КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Болно до костију

Përderisa vajzat do të shikohen e trajtohen si një mall që duhet t’i jepet dikujt, dhe edukohen në këtë frymë – se patjetër duhet t’i jepen dikujt nga dikush që do të vendosë për to, për shkak se ashtu e parashohin doket që i bartim prej shekujsh – do të jemi këta që jemi. Do të ketë shumë viktima dhune gra; do të ketë reagim të ngathët institucional dhe do ta qajmë vdekjen e dikujt, duke e pasur patjetër edhe një mendim personal për qenien njerëzore të cilën as nuk e kemi njohur

“Drejtësi për të gjitha gratë e vrara. Të gjitha jemi nëna. Të gjitha e kemi ka i’ vajzë me ia dhanë dikujt”.

Kjo qe deklarata e njërës nga protestueset në Pejë, dy ditë pas vrasjes mizore të Arlinda Zekajt, 49-vjeçare. Do të mund të ketë qenë ndjenja e shqetësimit pas krimit apo edhe ndikimi i kamerës që te shumë njerëz e nxit tremën dhe shkakton shpërqendrimin. Por, me gjasë do të ketë qenë lapsus frojdian. “Të gjitha e kemi ka i vajzë me ia dhanë dikujt” në fakt është përbërës thelbësor i mendësisë dominuese në shoqërinë kosovare, që vazhdon të jetë patriarkale.

Dhe përderisa vajzat do të shikohen e trajtohen si një mall që duhet t’i jepet dikujt, dhe edukohen në këtë frymë – se patjetër duhet t’i jepen dikujt nga dikush që do të vendosë për to, për shkak se ashtu e parashohin doket që i bartim prej shekujsh –  do të jemi këta që jemi. Do të ketë shumë viktima dhune gra; do të ketë reagim të ngathët institucional dhe do ta qajmë vdekjen e dikujt, duke e pasur patjetër edhe një mendim personal për qenien njerëzore të cilën as nuk e kemi njohur.

Vrasja mizore e Arlinda Zekajt qe kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar. Procedurat e tejzgjatura administrative dhe gjyqësore kulmuan me vdekjen e saj të dhunshme. Pavarësisht ankesave e kërkesave të saj të shkruara në një shqipe të kulluar dhe pa lënë hapësirë për asnjë dyshim, të cilat ua drejtoi kryetarit të Gjykatës në Pejë dhe kryeprokurores së Pejës, një ditë të enjte, tri ditë para se të vritej.

* * *

22.10.26

Prokurorisë Themelore Pejë/Urgjencë

Për Kryeprokuroren

Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë të njëri tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë.

Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja.

Kjo është shkresa ime e fundit.

Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.

Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!

Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri!

E dhimbshme deri në asht!!

С поштовањем

Арлинда Зекај

* * *

Reagim në përgjigjen e kryetarit/urgjencë

Поштовани господине председниче,

Vrasjet nuk qenkan të rastësishme. Tani e shoh sa kontribut japin institucionet në vrasjen e grave.

Ju jeni njoftuar me kohë – takimi me gjyqtarin, pa veprime konkrete, është zero!

Afatet ligjore janë tejkaluar dhe ligji e kompetenca e gjyqtarit nuk mund të zëvendësohen me fjalën “mundësi”.

Për më shumë, gjyqtari juaj lëshon vendim kontradiktor dhe e bën të vështirë jetën e një gruaje dhe lirinë e një fëmije.

Pse? Ndoshta nuk di, ndoshta di çfarë nuk duhet të di – disi (...) jetë të mirë me të gjithë, e në veçanti me të fortët. E dhimbshme deri në asht.

(...) Kurseni kohën dhe merruni me substancë, jo me “mundësi”. Nuk jeni t’u luajt loto, por t’u zbatu ligj në shërbim të qytetarëve!

Pas vrasjes time nuk pres të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini!

Faleminderit që morët kohë për ta arsyetu veten dhe gjyqtarin.

С поштовањем

Арлинда Зекај  

* * *

Alarmimi që e bëri Zekaj nuk qe blof – duket ta ketë parandier më të keqen, sepse ajo më mirë se kush i ka njohur njerëzit me të cilët ka jetuar në shtëpinë, ndërtimin e së cilës e ka financuar edhe vetë. E në të cilën nuk mund të shkonte. Sepse e kërcënonin. Jo vetëm burri, por edhe kunati dhe vjehrra.

Natën e vrasjes, policia e përcolli deri te dera dhe e la aty, pasi që gjatë ditës, ish-burri i saj kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Kjo e kishte paraqitur në polici, kurse burrin e dërguan në mbajtje.

Disa minuta më vonë, policia do të kthehej sërish – Arlinda tashmë ishte vrarë, në praninë e familjarëve, edhe të mitur, ndër ta.

Vrasësi, ish-kunati i saj, iku. U zu pas tri ditësh dhe tash të dy vëllezërit me precedentë penalë gjenden në paraburgim. Porse ky fakt, nuk do ta kthejë Zekajn në jetë.

Policia dhe gjyqësori e kanë ditur për rrezikun që i kanosej. Ish-kunati ka dosje kriminale që nga 2003-a. Është akuzuar për kryerjen e 11 veprave penale (armëmbajtje pa leje, kanosje, dhe përdorim të dhunës) dhe është dënuar 4 herë me aktgjykime të formës së prerë. Ish-bashkëshorti nga ana tjetër, është i përfshirë në 6 raste penale, 4 prej të cilave janë nisur më 2026 të ndërlidhura me dhunën në familje, kanosjen dhe shkeljen e urdhrave të gjykatës karshi ish-bashkëshortes.

E megjithatë, nuk ia dhanë mbrojtjen të cilën e kërkonte. Sepse ishte e drejtë e saj ta kërkonte. Sepse ashtu ligji e parasheh. Porse ligji, e dëshmoi dikush me emrin Faruk, kishte tjetër kuptim për policinë.

* * *

Kryeprokurori i Kosovës i suspendoi kryeprokuroren e Pejës dhe prokuroren e rastit. Ironike që dy gra të mos e kenë kuptuar urgjencën e argumentuar të një gruaje, e cila ka qenë aq e vetëdijshme sa të mbledhë dëshmi, për çdo rast, për të drejtat që po i shkeleshin.

Nga ana tjetër, IPK-ja i suspendoi 11 zyrtarë policorë që kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Ndërkohë, nga Këshilli Gjyqësor ende nuk dëgjuam gjë – se çfarë masash do të merren ndaj gjykatësit të rastit dhe kryetarit të gjykatës në Pejë. Dje, shefi i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje për arsye morale. Gjë të cilën nuk e çmuan të nevojshme ministrat: e Drejtësisë, Gërvalla, dhe i Punëve të Brendshme, Sveçla.

Mbase edhe do të mund të argumentohej se nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë rast. Por, megjithatë, Gërvalla është koordinatorja nacionale për luftimin e dhunës në familje, kurse Sveçla mbikëqyrësi i Policisë. E kjo qeveri është qe gjashtë vjet në pushtet, dhe krejt çfarë dëgjuam dje në konferencë për shtyp është se do të hartohet strategjia e re. Fjalë kot. Sa strategjia është miratuar në këtë Kosovë, e nuk zbatohet se nuk ka as mekanizma e as zbatues.

Dorëheqja e tyre do të ishte shenjë se Qeveria njëmend e ka marrë me seriozitet çështjen e dhunës, sidomos ndaj grave dhe se nuk do të mjaftohej me shprehje ngushëllimesh dhe me përmbledhjen e dy raporteve me informata që edhe ashtu rrodhën në publik dy a tri ditë më herët.

Askush nuk ia ka ndaluar Qeverisë t’i fuqizojë QPS-të; ta shtojë numrin e hallkave elektronike për monitorimin e ushtruesve të dhunës në familje (pse Sylaj nuk e ka pasur një, për shembull?); të shtojë numër policësh të specializuar për t’i trajtuar rastet e dhunës me empati, duke pasur parasysh incidencën e lartë të rasteve të dhunës në familje gjithandej në Kosovë; ta centralizojë fundja çështjen e shtëpive të sigurta dhe punësimin më afatgjatë të viktimave të dhunës – e që dihet fort mirë që janë zgjidhje provizore që shpesh i detyrojnë viktimat të kthehen te dhunuesi, apo edhe ta parandalojë krimin brenda në Polici.

* * *

Qeveria i ka thuajse të gjitha në duar.

E ka fuqinë e përgatitjes së ligjeve, dhe e ka shumicën për t’i kaluar ato. E edhe për t’i zbatuar.

E ka edhe sistemin arsimor në duar. Pas familjes, shkolla është vendi që duhet ta formojë karakterin e fëmijës. Është vendi ku fëmija duhet ta kuptojë se vajzat nuk janë mall as për shitje, e as për martesë, se fundja kjo e fundit është zgjedhje e tyre; se nuk është marre nëse edhe djemtë i lajnë enët e i hekurosin teshat; se fakti se janë fizikisht më të fuqishëm, nuk do të thotë se duhen keqpërdorur atë fuqi.

U bënë shumë vjet që po sillemi në rrethin e njëjtë vicioz. Boll mâ!

[емаил заштићен]