КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

УЕФА објашњава КОМА зашто је изрекла најстрожу казну Косову

УЕФА

Ashtu si pritej, UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës për shkeljet e bëra në ndeshjen e 14 nëntorit mes Kosovës dhe Izraelit. Ajo ndeshje ishte luajtur në “Fadil Vokrri”, ndërsa kishte përfunduar 0:0. 

UEFA të enjten mbrëma i publikoi vendimet e Trupit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEBD). Ndaj Kosovës, përkatësisht FFK-së ishin katër akuza, për të cilat edhe u shpall fajtore. Federata e Futbollit e Kosovës u gjobit me plot 42 mijë e 250 euro. Dhe dënimi më i rëndë, prej 20 mijë euro, nuk ishte plotësisht e qartë se për cilën shkelje ishte dhënë.

“Gjobitet Federata e Futbollit e Kosovës me 20 mijë euro për transmetimin e mesazhit që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive”, shkruan në pikën katër të vendimit.

KOHA i ka shkruar UEFA-s për të sqaruar këtë vendim dhe mori përgjigje të premten paradite. Dënimi ka të bëjë me thirrje drejtuar delegacionit të Izraelit në stadium.

“Ju lutemi të keni parasysh se sanksioni lidhej me thirrje politike provokuese drejtuar delegacionit izraelit në stadium”, shkruan në përgjigjen me shkrim të zyrës për media të UEFA-s.

Pasi kishte fishkëllima gjatë intonimit të himnit të Izraelit, është pritur që FFK-ja të dënohet nga UEFA. Disa lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur kur u intonua himni i Izraelit, në shenjë proteste. Kjo bëri bujë dhe një pjesë e opinionit ishte kritike ndaj lojtarëve.

FFK-ja për sjellje raciste apo diskriminuese të shikuesve është gjobitur me 10 mijë euro dhe dënim me kusht të mbylljes së një sektori të stadiumit për një ndeshje si vendase. Dënimi me mbyllje të një sektori të stadiumit fuqizohet nëse bëhet ndonjë shkelje tjetër e ngjashme në dy vjetët e ardhshme.

Për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës, FFK-ja është gjobitur me 2250 euro. Ndërkohë për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit, federata kosovare duhet të paguajë në UEFA 10 mijë euro të tjera.

Pra gjithsej FFK-ja është gjobitur me 42 mijë e 250 euro.

Ky ishte dënimi i dytë ndaj FFK-së për ndeshjet e edicionit të pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. 

Akuzë ndaj FFK-së ishte bërë edhe për veprimet e tifozëve kosovarë në ndeshjen e Austrisë me Kosovën, të luajtur më 27 shtator në Vjenë. Për transmetim të “mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarje sportive”, FFK-ja ishte dënuar me 15 mijë euro. Nuk ishte sqaruar nga UEFA se për çfarë mesazhi bëhet fjalë. Me 20 mijë euro të tjera federata kosovare e futbollit ishte gjobitur për sjellje raciste apo diskriminuese të tifozëve kosovarë.