КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

Након приближавања Светског првенства, Косово „стагнира“ у Лиги нација

косове

Fushata kualifikuese për Botërorin 2026 mbetet më e mira e Kosovës deri më tani. Në një grup ku fillimisht vlerësohej autsajdere, Kosova u rendit e dyta. Mbeti prapa Zvicrës dhe la pas Slloveninë dhe Suedinë. Më pas në plejof e eliminoi Sllovakinë, ndërsa pësoi 1:0 nga Turqia në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror.

Kosova iu afrua goxha shumë Botërorit dhe kjo bëri që entuziazmi për përfaqësuesen e futbollit të rritet goxha shumë në vend. Thuajse të gjithë besonin se rritja e “Dardanëve” do të vazhdonte në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, ku Kosova për herë të parë ishte në nivelin e dytë, përkatësisht në Ligën B.

Fillimi ishte i mbarë – fitore 1:0 ndaj Irlandës në Prishtinë më 24 shtator. Por ajo fitore mbeti e vetmja në fushatën që përfundoi të martën mbrëma me humbje të rëndë – 3:0 po nga Irlanda në Dublin, në praninë e 50 mijë shikuesve.

Menjëherë më 27 shtator, Kosova pësoi 3:1 nga Austria në Vjenë. Pasuan barazimet dëshpëruese pa gola me Izraelin dhe po ashtu barazimi 1:1 me Austrinë në Prishtinë. 

Para ndeshjes së fundit, Kosova ishte në pozitë të mirë për të pëfunduar në pozitën e dytë në grup, që do t’i sillte favore të shumta. Do t’ia siguronte plejofin për kalim në Ligën A dhe vazon e dytë për shortin e kualifikimeve për Euro 2028. Për këtë i duhej barazimi në Dublin.

Askush nuk e përmendte “skenarin” që Kosova të mbetej e fundit dhe kështu të luante në plejofin për mbetje në Ligën B. Por gjatë ndeshjes, kur Izraeli po fitonte 1:0 ndaj Austrisë, Kosova ishte në rrezik të binte në vendin e katërt në grup. Megjithatë Austria barazoi 1:1 me Izraelin dhe kjo bëri që Kosova të përfundonte e treta në grup me gjashtë pikë. Vendi i tretë siguroi mbetjen në Ligën B. Për një pjesë të tifozëve, qëndrimi në Ligën B është sukses. Edhe përzgjedhësi Franco Foda disa herë e kishte përsëritur se synimi është mbetja në Ligën B. 

Por shumica e tifozëve nuk po e vlerësojnë sukses. Vendin e tretë më shumë e vlerësojnë si stagnim se vazhdim të rritjes, që do ta afronte Kosovën me një ngjarje të madhe futbolli.

Опис није доступан.

Поређења

Derisa Austria vlerësohej favorite e madhe e grupit, ka pasur pritje, për disa real e për disa jo, që Kosova të renditej e dyta në grup. 

Sa për krahasim, grupi në Ligën e Kombeve nuk ishte as afër i fortë sa grupi në kualifikimet për Botërorin 2026. Zvicra, Suedia dhe Sllovenia vlerësohen në nivel të përafërt me Austrinë, por më lart se Irlanda dhe Izraeli.

Zvicra e fitoi Grupin 1 të Ligës B dhe u kthye në Ligën A. Sllovenia përfundoi e dyta në të njëjtin grup dhe do të luajë në plejof për Ligën A. Suedia e fitoi Grupin 4 të Ligës B dhe po ashtu u kthye në Ligën A. 

Në shortin e kualifikimeve për Euro 2028, Zvicra, Suedia, Austria, Sllovenia dhe Irlanda do të jenë në vazon e dytë. Kosova në të tretën.

FFK-ja nuk ka bërë ndonjë koment për fushatën e Kosovës. Në postimin për rezultatin e ndeshjes, kritikat e tifozëve ishin të shumta, kurse nuk kanë munguar as fyerjet.

Selektori Foda ka folur për ndryshimin e madh mes Ligës C dhe Ligës B. 

“Ishte hera e parë që luajtëm në Ligën B. Filluam mirë. Ndaj Irlandës fituam në shtëpi. Ndaj Austrisë dhe Izraelit ndoshta është dashur t’i marrim pikët e plota në shtëpi. Skuadra mori mësim nga këto ndeshje. E pamë që Liga B është nivel tjetër nga Liga C. Ajo që na mungoi ishin golat në ndeshjet në shtëpi ndaj Austrisë dhe Izraelit, të cilat është dashur t’i fitonim”, ka thënë Foda pas ndeshjes me Irlandën. 

Опис није доступан.

Gjërat që shkuan keq

Përfundimisht nuk ishte kampanjë e lehtë për Kosovën. Goditja e parë erdhi pa filluar ndeshjet. Kapiteni shumëvjeçar, Amir Rrahmani, njoftoi për tërheqjen nga përfaqësuesja, i pakënaqur me mënyrën e drejtimit të federatës. Fitorja ndaj Irlandës sikur la në hije rëndësinë e largimit, por në çdo përfaqësuese vërehet mungesa e largimit të një futbollisti që për shumë vjet e udhëheq mbrojtjen dhe është kapiten.

Kosova po ashtu nuk e përballoi me sukses periudhën e parë me plot katër ndeshje. Pas humbjes 3:1 nga Austria, Foda la në stol shumë prej startuesve në ndeshjen e 1 tetorit ndaj Izraelit në Debrecen të Hungarisë. Dhe ajo ndeshje përfundoi 0:0. Ishin më shumë dy pikë të humbura për “Dardanët”. Disa prej atyre që fituan rastin dhanë sinjale pozitive, por jo të tilla sa për të rritur nivelin e përfaqësueses. 

Dukshëm më mirë Kosova luajti ndaj Austrisë në shtëpi, më 4 tetor. Megjithatë ajo ndeshje përfundoi 1:1, kurse Austria golin e barazimit e shënoi në minutën e 85-të. Një vendosje jo e duhur në mbrojtje kushtoi goxha shumë. 

Pasoi barazimi pa gola me Izraelin në shtëpi, më 14 tetor. Ishte një paraqitje e vlerësuar e zbehtë, që mbeti në hije të fishkëllimave të shikuesve ndaj himnit të Izraelit dhe faktit që lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur gjatë himnit izraelit. 

Veldin Hoxha u përjashtua me karton të kuq në atë ndeshje, pas dy të verdhëve që i mori për ndërhyrje të pakujdesshme. U vlerësua si episod vendimtar.

Ndaj Irlandës, në minutën e 26-të Kreshnik Hajrizi ndali topin me dorë në vijë të portës. Ai moment bëri bujë në gjithë botën e futbollit. Hajrizi u përjashtua me të kuq, ndërsa irlandezët realizuan penalltinë.  Dhe më pas ndeshja u dominua nga Irlanda.

Foda ka pranuar se Kosovës i munguan golat në shtëpi, por përfaqësuesja nuk ishte efikase në përgjithësi. Vedat Muriqi shënoi për fitoren e vetme, ndaj Irlandës. Në humbjen 3:1 nga Austria, Edon Zhegrova e shndërroi në gol penalltinë, të cilën fillimisht dëshiroi ta gjuante Fisnik Asllani. Ndaj Austrisë shënoi Asllani, me asistim të Zhegrovës. Pra vetëm tre gola në gjashtë ndeshje, një prej tyre nga penalltia. Pak për të pretenduar më shumë.

Te Kosova ka pasur mungesa të rëndësishme për shkak të lëndimeve. Florent Muslija ishte mungesë e madhe, e në katër ndeshjet e para edhe Elvis Rexhbeçaj.

Lëndime gjatë kësaj vjeshte kishin edhe Arijanet Muriq, Albian Hajdari, Lumbardh Dellova, Ermal Krasniqi. Kishte edhe ardhje të reja, që bënë bujë. Por që  dolën të jenë më shumë ardhje me shpresë se do të “ndezin” në të ardhmen.

Në shumë përfaqësuese, Liga e Kombeve vlerësohet edhe mundësi për eksperimente. Eksperimentet me vendosje taktike nuk munguan as te Kosova. Por që nuk dolën shumë të suksesshme.