Të paktën pesë persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në sheshin kryesor të qytetit të Krakovit në Poloni, të shtunën pasdite.
Sipas raportimeve të mediave polake, sulmuesi ka hapur zjarr nga një veturë ndaj personave që ndodheshin në sheshin “Rynek Główny”, një prej pikave më të frekuentuara turistike të qytetit. Të shtënat kanë ndodhur pak pas orës 15:00.
I dyshuari është qëlluar nga policia gjatë operacionit dhe është arrestuar, ndërsa më pas është dërguar në spital. Sipas raportimeve, në mesin e të plagosurve ka edhe pjesëtarë të policisë, por detajet për gjendjen e tyre nuk janë bërë të ditura.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të shumta policore, zjarrfikës dhe emergjenca mjekësore.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se është duke u informuar nga ministri i Brendshëm për situatën në Krakov dhe se policia po heton motivin dhe të gjitha rrethanat e sulmit.
Sheshi kryesor i Krakovit është një nga destinacionet më të njohura turistike në Poloni, i rrethuar nga ndërtesa historike dhe kisha e famshme e Shën Marisë.
VIDEO (Momenti kur neutralizohet i dyshuari):
The krakow terrorist has been killed! Excellent job krakow police! https://t.co/xqfgTeuxzx
— milkbar (@milkbarpl) Новембар 7, 2026