КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Без струје, воде и грејања, Украјинци се суочавају са нестанцима струје након руских напада

зимски

Sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë jetën e ukrainasve, teksa dimri po afron. Mijëra familje në Kiev dhe qytete të tjera po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, mungesë uji dhe ngrohjeje

(BBC) - Daryna Kulchytska është një nënë që po përballet me vështirësi të shumta. Ajo është prind i vetëm dhe jeton me dy fëmijët e saj në një banesë në katin e shtatë të një ndërtese në Kiev. Përveç kujdesit për fëmijët, ajo duhet të sigurohet që ata të ushqehen dhe t’i kryejnë detyrat e shkollës. Por, mbi të gjitha, Daryna përballet edhe me një pasiguri tjetër: nuk e di saktësisht se kur do t’i ndërpritet energjia elektrike.

Ajo vetëm e di se kjo do të ndodhë së shpejti. Dritat do të fiken, prizat nuk do të kenë më rrymë, interneti do të ndërpritet dhe uji nuk do të rrjedhë më nga çezmat. Këtë mbrëmje, energjia elektrike nuk është ndalur për një orë më shumë se sa ishte paralajmëruar, por Daryna është në nxitim për t’u shërbyer darkën fëmijëve dhe për të përfunduar punën e saj nga shtëpia.

“Gjatë ditëve të fundit, kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë në ditë, por jo gjithmonë në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi”, tregon ajo.

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për arritjen e paqes, banorët e Ukrainës po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të planifikuara të energjisë elektrike. Kjo po ndodh për shkak të sulmeve gjithnjë e më intensive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit. Në përgjigje, Ukraina ka sulmuar rafineritë e naftës në Rusi.

Zyrtarët janë të shqetësuar se jeta e miliona ukrainasve mund të bëhet shumë shpejt e papërballueshme, nëse nuk arrijnë të furnizohen me energji elektrike për të paktën katër orë në ditë. Disa prej tyre në biseda private paralajmërojnë se kjo situatë është pothuajse realitet, pasi disa familje në Kiev po përballen me ndërprerje që zgjasin deri në 20 orë.

Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë nisur më herët këtë vit, krahasuar me dimrin e kaluar, dhe po zgjasin më shumë. Si pasojë, banesat si ajo e Darynas po bëhen gjithnjë e më të errëta dhe më të ftohta. Ajo ka veshur disa shtresa rrobash dhe një pallto të trashë, pasi temperaturat po bien si brenda, ashtu edhe jashtë banesës.

Pak para orës 19:30, dëgjohet një kërcitje e lehtë dhe gjithçka zhytet në errësirë. Energjia elektrike është ndërprerë dhe nuk do të rikthehet deri në agim.

Ashensori nuk funksionon, ndërsa edhe furnizimi me ujë do të ndërpritet, pasi energjia elektrike nevojitet për ta pompuar atë deri në banesën e tyre. Daryna nxjerr elektrikët dhe qirinjtë me bateri, ndërsa bashkë me djalin, Kyryllin, dhe vajzën, Olenën, ulen për të luajtur me letra lojën Uno, para se të shkojnë më herët në shtrat.

Kyrylli 12-vjeçar, i cili flet anglishte të rrjedhshme që e ka mësuar gjatë dy vjetëve të jetesës në Shtetet e Bashkuara, nuk e fsheh pakënaqësinë për këtë situatë.

“Nuk kemi drita, ujë, ngrohje apo energji elektrike. Dhe nuk kemi as argëtim. Me ndërprerjen e rrymës na është zhdukur edhe gjithë argëtimi”, thotë ai. “Kemi shumë lojëra tavoline, një raft të tërë me to, por i kemi luajtur ndoshta njëqind mijë herë”.

Ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike përfshijnë lagje të tëra, shumë familje detyrohen të qëndrojnë në errësirë, bashkë me rrugët dhe ndërtesat përreth.

“Kur shikon jashtë, ndonjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë, sepse nuk ka drita”, thotë Daryna.

Kievi është qyteti më i prekur. Për shkak të mungesës së energjisë, në disa raste janë ndalur edhe trenat e metrosë dhe autobusët elektrikë. Ndërkohë, në mbarë Ukrainën, qindra mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike gjatë javëve të fundit.

Arsyen e kësaj situate ekipi i BBC-së e pa gjatë vizitës në një nga centralet më të mëdha elektrike të Ukrainës, i cili mezi qëndron në këmbë pas sulmit të fundit me raketa balistike. Ky konsiderohet si sulmi më i fuqishëm dhe më shkatërrues i Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Shkatërrimi i centralit gjigant 

Centrali gjigant, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për arsye sigurie, është shndërruar në një grumbull metalesh të shtrembëruara dhe tubacionesh të shkatërruara. Turbinat janë mbuluar nga rrënojat, ndërsa i gjithë centrali është jashtë funksionit.

Volodymyr Kovalenko ishte në detyrë në dhomën e kontrollit, duke u kujdesur për funksionimin e centralit, kur raketat goditën rreth orës tre të mëngjesit.

“Ishte një sulm jashtëzakonisht i fuqishëm. Nuk kishim përjetuar kurrë diçka të tillë. Kishte pasur sulme edhe më parë, madje ishte shembur një pjesë e çatisë dhe situata ishte mjaft e rëndë. Por këtë herë dëmet ishin shumë më të mëdha”, tregon ai.

Kovalenko, i cili ndoqi gjurmët e prindërve dhe punon në këtë central prej 25 vjetësh, thotë se shkatërrimi i tillë ta thyen zemrën, por shprehet i bindur se objekti mund të riparohet.

Megjithatë, puna për rindërtimin e tij po pengohet nga alarmet e sulmeve ajrore, të cilat bien çdo 15 deri në 30 minuta. Gjatë vizitës katërorëshe të BBC-së, alarmi u dëgjua shtatë herë. Sa herë që paralajmërohen sulme me dronë ose raketa, punëtorët duhet të ndërpresin punën dhe të kërkojnë strehim. Gjatë vizitës, të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan ose vazhduan drejt objektivave të tjera.

Kur nuk kanë kohë të arrijnë në strehimoren kryesore të centralit, punëtorët strehohen në themelet e oxhaqeve të tij gjigante.

“Është shumë e vështirë. Ti përgatitesh mendërisht për një punë të caktuar dhe pastaj bie alarmi i sulmit ajror. Duhet të largohesh sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Vadym Bobyr, i cili drejton punën për rikthimin e centralit në funksion.

39-vjeçari, i cili punon në këtë central për gjysmën e jetës së tij, duket i vogël përballë rrënojave të shkatërruara dhe e di se rindërtimi i tij do të jetë një sfidë e madhe.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne i kishim riparuar të gjitha këto, e kishim vënë centralin sërish në punë, por tani gjithçka është shkatërruar përsëri. Është e dhimbshme, por ne e vazhdojmë punën dhe përpiqemi t’i kryejmë detyrat tona”.

Teksa bisedojnë me gazetarin e BBC-së, bie një tjetër alarm për një raketë lundruese ruse të tipit Banderol që po afrohet.

Punëtorët vrapojnë nëpër korridoret e ngushta dhe mes tubacioneve, por nuk kanë kohë të arrijnë në strehimore. Për t'u mbrojtur, u duhet të fshihen pas njërit prej mureve më të trasha të centralit. Raketa u interceptua përfundimisht rreth pesë kilometra larg.

Punëtorët e sektorit të energjisë janë vazhdimisht të rrezikuar. Që nga gushti, objektet energjetike janë sulmuar pothuajse çdo ditë, duke shkaktuar disa viktima çdo javë. Rreziku po bëhet gjithnjë e më i madh.

Pas përfundimit të alarmit të fundit, një ekip punëtorësh kthehet në terren për të riparuar linjat që furnizojnë me energji rrjetin kombëtar. Megjithatë, centrali i shkatërruar nuk do të jetë në gjendje të prodhojë energji elektrike deri në përfundim të këtij dimri.

Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina ende ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energjinë e nevojshme. Problemi qëndron te shpërndarja e saj nëpër shtëpi dhe biznese, pasi shumë linja elektrike dhe nënstacione janë goditur. Rusia po përdor edhe dronë të kamufluar, të cilët vendosen në shtylla dhe kabllo elektrike dhe mbeten të pazbuluar deri në momentin kur aktivizohen nga rusët.

Largimi nga kryeqyteti 

Maxim Timchenko, drejtor ekzekutiv i DTEK-ut, kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë, thotë se Rusia po e vë rrjetin e dëmtuar elektrik nën presion shumë më të madh se vitin e kaluar. Ndërkohë, mbrojtja ajrore, e mbingarkuar nga sulmet, nuk po arrin t’i mbrojë të gjitha objektet jetike të vendit.

“Ajo që ka ndryshuar është shkalla e sulmeve dhe llojet e ndryshme të armëve që po përdoren. Ky është dallimi kryesor: fuqia dhe përmasat e sulmeve janë dyfishuar”, thotë ai.

Sipas tij, rindërtimi i centralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme, pasi punëtorët, të cilët janë vazhdimisht nën sulme, arrijnë të punojnë me efikasitet vetëm një ose dy orë në ditë.

“Po luftojmë për mbijetesën jo vetëm të gjithë vendit, por edhe të njerëzve të zakonshëm, sidomos gjatë dimrit”, thotë Timchenko.

Edhe Kovalenko shpreh të njëjtin përkushtim për të mbajtur dritat ndezur.

“Energjia është baza e gjithçkaje, e jetës së njerëzve dhe e shtetit. Asgjë nuk mund të funksionojë pa të. Unë ia kam kushtuar gjithë jetën kësaj pune”, thotë ai.

Shumë ukrainas po zgjedhin të largohen nga kryeqyteti, madje edhe nga vendi, për t’u shpëtuar muajve të të ftohtit të ashpër. Por Daryna, Kyryll dhe Olena e dinë se dimri sapo ka filluar.

“Është ndjenja më e keqe. Kur kthehem nga shkolla, jam i lodhur dhe shtrihem në shtrat. Papritur, bie alarmi i sulmit ajror. Pastaj ikin dritat. Dhe mbi të gjitha, kam shumë detyra shtëpie”, thotë Kyrylli.

Pasi fëmijët bien në gjumë, Daryna flet për mendimet e saj për t’u zhvendosur në një vend më të sigurt ose më të ngrohtë. Ajo është mes dëshirës për të qëndruar pranë shtëpisë, miqve dhe familjarëve, dhe frikës se sa e vështirë mund të bëhet jeta gjatë muajve të ardhshëm.

Ajo tregon se kjo situatë po ndikon rëndë në shëndetin e saj mendor dhe se ka frikë edhe për pasojat te fëmijët, veçanërisht te Olena, e cila shpesh përjeton makthe. Megjithatë, pavarësisht errësirës dhe vështirësive, Daryna nuk dorëzohet.

“Nuk dua të jetoj pa drita. Por në Ukrainë njerëzit thonë: më mirë pa drita, sesa me rusët. Po, kemi frikë, kemi shumë frikë. Por për ne është më mirë të jetojmë pa energji elektrike, por edhe pa rusët”.