КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Немачка пооштрава правила за испитивање језика

Немачка

Gjermania do të zbatojë rregulla më të rrepta për testin e gjuhës gjermane për migrantët, Deutsch-Test für Zuwanderer (DTZ), i cili zhvillohet në përfundim të kursit të integrimit. Ndryshimet hyjnë në fuqi më 1 nëntor dhe synojnë të parandalojnë mashtrimet gjatë provimit.

Ministria e Brendshme gjermane, e drejtuar nga Alexander Dobrindt, i ka arsyetuar masat e reja me rritjen e rasteve të mashtrimit në provim.

Testi përbëhet nga tri pjesë: dëgjimi dhe leximi, shkrimi dhe të folurit. Deri më tani, për të marrë certifikatën e nivelit B1, kandidatët duhej të arrinin këtë nivel në pjesën me gojë dhe në njërën nga dy pjesët me shkrim.

Me rregullat e reja, kandidatët duhet të dëshmojnë njohuri në të tria pjesët e testit dhe të arrijnë së paku nivelin A2 në pjesën ku kanë rezultatet më të dobëta. Nëse një pjesë lihet pa u plotësuar ose rezultati në të është shumë i dobët, kandidati nuk mund ta marrë certifikatën B1, edhe nëse ka rezultate të mira në pjesët e tjera.

Sipas arsyetimit të Ministrisë së Brendshme në propozimin për ndryshimin e rregullores, disa kandidatë kanë siguruar përgjigjet përmes internetit dhe i kanë përdorur ato në pjesët e dëgjimit dhe leximit, ndërsa pjesën e shkrimit e kanë lënë krejtësisht bosh. Pavarësisht kësaj, ata kanë arritur të marrin certifikatën B1 falë rezultatit në pjesën me gojë.

Certifikata B1 nga testi DTZ është një prej kërkesave për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Gjermani dhe shërben gjithashtu si dëshmi e njohjes së gjuhës gjatë procesit të marrjes së shtetësisë gjermane.

Ndryshimet vlejnë vetëm për testin DTZ dhe nuk prekin certifikatat e tjera të njohjes së gjuhës gjermane.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), vitin e kaluar testit iu nënshtruan 318.550 persona. Nivelin B1 e arritën 175.193 kandidatë, apo 55 për qind e të testuarve, ndërsa nivelin A2 e morën 102.663 persona, ose 32,2 për qind. Nën nivelin A2 mbetën 40.694 kandidatë, që përbëjnë 12,8 për qind të të testuarve.