КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Специјално: Ако пресуде против Тачија постану правоснажне, биће извршене једна за другом

Хасхим Тхаци

Gjykata Speciale të martën shpalli vendim dënues ndaj Hashim Thaçit dhe tre të tjerëve në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Për të tjerët dënimi llogaritet i kryer pasi kanë kaluar më shumë kohë në paraburgim, por jo edhe për Thaçin. Sipas Speciales, në rast se dënimet ndaj tij marrin formë të prerë, ata do t’i vuajë njëri pas tjetrit. Juristi Ardian Bajraktari këtë e vlerësoi shkelje të të drejtave të njeriut

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka dy vendime dënuese në dy raste të trajtuara nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilat ende s’kanë marrë formë të prerë.

Dilemat që gjyqtari i vetëm në rastin kundër administrimit të drejtësisë i ngriti një ditë më parë gjatë shpalljes së vendimit lidhur më mënyrën se si do të kryhet ky dënim në rast se merr formë të prerë, në një përgjigje për KOHËN i ka sqaruar Specialja.

Zëdhënësi i kësaj Gjykate, Michale Doyle, tha se dënimet nuk do të unifikohen.

“Dënimet nuk do të kryhen njëkohësisht, por njëri pas tjetrit”, ka thënë ai.

Edhe për pjesën e paraburgimit, Doyle tha se paraburgimi që Thaçi e ka kryer do t’i llogaritet vetëm për dënimin në rastin për krime lufte dhe jo në atë për administrimin e drejtësisë.

“Koha që ka kaluar z. Thaçi në paraburgim llogaritet për dënimin në shkallë të parë për çështjen për krime lufte. Rrjedhimisht, nuk mund të merret parasysh edhe për dënimin tjetër, për të cilin gjykatësi vendosi se dënimi do të kryhet pasi të kryhet dënimi tjetër. Kjo partiakë nuk është e ndryshme nga ajo e gjykatave dhe tribunaleve të tjera”, ka thënë ky zëdhënës.

E avokati Ardian Bajraktari thotë se në rast që shkohet me këtë qasje të paraburgimit sipas përgjigjes së Speciales, atëherë bëhet fjalë për cenim të të drejtave të Thaçit.

“Në rastin konkret, z. Thaçi krahas masës së paraburgimit për rastin e madh, nga dhjetori i vitit 2024 atij i është caktuar edhe një masë tjetër e paraburgimit, çka natyrisht ngre pikëpyetje serioze në rast se vërtet shkohet me këtë qasje që e kanë paralajmëruar Dhomat e Specializuara. Kemi cenim themelor të lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, ajo se çka vlerësoj është se do të pritet verdikti përfundimtar edhe në raport me rastin e madh mbi të gjitha, sepse në instancë të fundit unë vlerësoj që edhe ky rast është nisur në kontekst të rastit të madh”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Bajraktari, në rast se vendimet bëhen përfundimtare duhet të ketë unifikim të dënimit.

“Si rregull, do të duhej unifikim i dënimit ashtu që të llogaritet edhe kjo pjesë. Mirëpo, megjithatë vlerësoj që sipas asaj që është bërë publike, Gjykata Speciale e pret epilogun e të dyja proceseve me theks të veçantë në raport me rastin e madh siç njihet për me ardhë deri te një vendim final sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë ky avokat.

Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Gjykata Speciale. Ndërsa, Thaçi është dënuar të martën edhe për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë së këtij rasti. 

Në rastin e parë, ai u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa në rastin e dytë me 1 vit e pesë muaj. Për pengim të administrimit të drejtësisë u dënuan edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.