КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Сејдиу о случају Арлинде Зекај: Морају се утврдити пропусти и одговорности

Кораб Сејдиу

Avokati Korab Sejdiu ka vlerësuar se institucionet duhet të japin llogari për mënyrën se si kanë vepruar në rastin e Arlinda Zekajt, duke theksuar se, kur ekzistojnë paralajmërime të qarta për rrezikun ndaj jetës së një personi, shteti dhe organet përgjegjëse kanë obligim të ndërmarrin masa për mbrojtjen e tij.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Sejdiu ka thënë se përgjegjësia duhet të shqyrtohet në disa nivele, përfshirë atë penale, institucionale dhe morale, ndërsa ka theksuar se vlerësimet përfundimtare për dështimet e mundshme të sistemit duhet të bëhen pasi të publikohen raportet përkatëse dhe të përfundojnë hetimet.

Sipas tij, fakti që Arlinda ka humbur jetën tregon se mbrojtja e saj nuk ka qenë e mjaftueshme, ndërsa mbetet të përcaktohet se në cilin nivel ka dështuar sistemi dhe kush mban përgjegjësi për këto dështime.

“Qëllimi i vlerësimit është që të shihet se ku janë ngecjet në sistem, pse ka ngecur sistemi dhe kush janë personat përgjegjës që më vonë të kërkohet llogaridhënie prej tyre. Shteti ka dështuar sepse personi në fjalë tashmë është e vdekur dhe nuk ka bërë mjaftueshëm që ta mbrojë. Tash, kush nuk e ka bërë mbrojtjen e mjaftueshme mbetet për t’u parë pasi që të dalin raportet përkatëse dhe të shihet se ku ka pasur dështime... Përgjegjësia detyrimisht duhet të kërkohet, llogaridhënie duhet të ketë. Asnjë institucion në botë nuk mund t’i ndalë të gjitha vrasjet që ndodhin, mirëpo kur ke paralajmërime kaq të zëshme që një person është në rrezik, është obligim i shtetit, i institucioneve që t’i dalin në ndihmë”, ka deklaruar Sejdiu.

Sejdiu ka vlerësuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime të thella juridike për rastin, pa pasur qasje në raportet që po përpilohen dhe në rezultatet e hetimeve që po zhvillohen lidhur me veprimet e ndërmarra nga institucionet.

Sa i përket reagimit të institucioneve ndaj kërkesave për ndihmë, ai ka thënë se shpërfillja e qytetarëve nga institucionet publike është një problem që, sipas tij, shfaqet në nivele të ndryshme. Ai ka theksuar se nuk do ta befasonte nëse një situatë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e Arlindës.

Në këtë kontekst, Sejdiu ka folur edhe për rëndësinë e urdhrit mbrojtës, duke theksuar se qëllimi i tij është mbrojtja e personit ndaj të cilit ekziston rreziku. 

“Urdhri mbrojtës është shumë i mirë, por nuk duhet të jetë diçka që mbetet vetëm në letër”, ka theksuar Sejdiu.