КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Влада не предвиђа повећање пензија 2027. године „кршећи закон“

Пензије Владине карикатуре

Повећање мизерних пензија

Rritja e pensioneve përmes amendamentimit të Ligjit të Buxhetit për vitin 2027 do të kërkohet nga deputetë opozitarë. Edhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, kërkon rritjen e tyre dhe harmonizimin e pensioneve kontributdhënëse me inflacionin. Sipas tij, kështu e kërkon ligji

Pavarësisht se ekzekutivi nuk ka paraparë, në buxhetin e vitit 2027 do të propozohet rritja e pensioneve. 

Këtë nismë e ka paralajmëruar deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, pas miratimit të Projektbuxhetit në lexim të parë në seancën e së enjtes.

Haxhiu ka thënë se pensionistët janë ndër kategoritë më të prekura nga inflacioni dhe se rritja e pensioneve duhet të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Deri tash nuk kemi parë që institucionet u kanë dalë zot pensionistëve me mbështetje të nevojshme e merituar. As në Projektbuxhetin për vitin 2027 nuk është paraparë rritja e pensioneve, as për pensionistët e kategorisë bazike dhe as për pensionistët kontributdhënës. Meqë buxheti gjatë javës është miratuar në lexim të parë, tash është hapur edhe afati ligjor për të propozuar amendamentime dhe si propozim i imi do të jetë përfshirja e rritjes së pensioneve në buxhetin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Haxhiu.

E kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, ka thënë se pensionistët janë ndjerë të lënë pas dore, pasi në Projektbuxhet janë paralajmëruar rritje pagash dhe shtesa, por jo edhe rritje të pensioneve.

“Në këtë rast unë kam menduar që do të rritet pensioni krahas rrogave që është bërë. Edhe ndër prioritetet e para është që çdo rritje e të hyrave në të gjithë shoqërinë të rritet edhe pensioni. Por fatkeqësia ka ndodhur që bash pensionistët që janë shtresa më e pafuqishme për mbijetesë, nuk është bërë rritje”, ka thënë ai.

Kastrati ka thënë se përveç nevojës për rritje, Qeveria ka edhe obligim ligjor për harmonizimin e pensioneve kontributdhënëse me inflacionin.

“Unë mendoj që ai duhet ta shikoj ngritjen e pensionit kontributdhënës për shkak që nuk është bërë qe dy vjet. Në ligj parashihet që nëse nuk rritet në afat prej dy vjetëve, qeveria është e obliguar ta harmonizojë me inflacionin. Në këtë rast inflacioni prej dy vjetëve unë mendoj që është mbi 10%, që do të thotë është qeveria e detyruar ta shikoj këtë periudhë kohore dyvjeçare, kur dihet që pensioni kontributdhënës është rritur diku në shtator 2024. Tash ne jemi 2026-ën”, është shprehur Kastrati.

KOHA i ka dërguar pyetje Qeverisë lidhur me arsyet pse nuk është paraparë rritja e pensioneve në Projektbuxhetin për vitin 2027, nëse ka hapësirë buxhetore për një rritje të tillë dhe nëse planifikohet që pensionet të rriten gjatë vitit të ardhshëm, por nuk ka marrë përgjigje.

Pensioni bazik i moshës në Kosovë është 150 euro në muaj, ndërsa pensionet kontributdhënëse variojnë nga 218 deri në 318 euro, në varësi të shkallës së arsimimit.