КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Од извештаја Дика Мартија до Хага, како је основан Специјални суд?

Специјализоване собе

Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës u bë pas pretendimeve të ngritura në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, ku pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzoheshin për përfshirje në krime të rënda, përfshirë edhe pretendimet për trafikim organesh. Pretendimi për trafikim organesh nuk u provua, por çështja tashmë ishte ndërkombëtarizuar. Pas hetimeve të mëtejshme, Kosova mori përsipër themelimin e një mekanizmi të veçantë gjyqësor për trajtimin e akuzave që dolën nga këto hetime. Kështu, në vitin 2015 u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat në kuadër të drejtësisë tranzicionale njihen edhe si një gjykatë hibride, janë perceptuar nga një pjesë e opinionit publik si të njëanshme sa i përket trajtimit të proceseve gjyqësore.

Krijimit të kësaj gjykate i paraprin pretendimet e ish-prokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte. Ajo pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së ishin përfshirë në ndalimin e personave, disa prej të cilëve, sipas saj, ishin dërguar në Shqipëri, ku dyshohej se u ishin hequr organet.

Për të verifikuar këto pretendime, në vitin 2008, Këshilli i Evropës caktoi senatorin zviceran, Dick Marty.

Raporti i Dick Martyt u prezantua në dhjetor të vitit 2010 para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në të u kritikuan edhe ndërkombëtarët që kishin administruar Kosovën pas vitit 1999, me pretendimin se kishin neglizhuar hetimin e këtyre rasteve dhe se krimet kishin mbetur të pandëshkuara.

Kjo më vonë ishte evidentuar edhe në draftrezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilën thuhej se është e nevojshme që të hartohej një instrument ligjor ndërkombëtar për të ndjekur penalisht autorët e këtyre krimeve.

Në linjë të kësaj, në fillim të 2011-s u krijua Task Force Special Investigative e BE-së, e cila kishte për qëllim hetimin e këtyre pretendimeve, në krye të secilës ishte prokurori amerikan, Clint Williamsoni, i cili më herët kishte punuar edhe në Tribunalin Penal për Ish-Jugosllavinë.

Pas afër tre vjetësh punë në këtë task-forcë, Williamson prezantoi gjetjet duke theksuar se kanë arritur të sigurojnë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë kundër disa zyrtarëve të lartë të UÇK-së.

“Elemente të caktuara të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”, tha Williamson.

Kjo task-forcë, e cila ishte krijuar pas pretendimeve për trafikim organesh, nuk gjeti prova për të ngritur një akuzë të tillë.

Përpara një deklaratë të tillë të Williamson, ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kishte dhënë disa informacione, duke shtuar se si do të dukej gjykata që do të trajtonte këto akuza e cila sipas saj, do të largonte renë e zezë nga vendi.

“Duke krijuar një gjykatë speciale, një gjykatë të veçantë të Kosovës, e cila do të përbëhej nga gjyqtarë ndërkombëtarë me seli në Kosovë, por edhe me një seli jashtë saj. Ku mund të trajtoheshin çështje të ndjeshme, si intervistimi i dëshmitarëve. Kosova do të tregonte se është e gatshme që të marrë përgjegjësinë e saj ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të forconte kredibilitetin e saj”, tha Jacobson.

Por, Ann Jacobson kishte thënë se sfida në krijimin e kësaj gjykate ishte votimi i tri të katërtave të Kuvendit të Kosovës.

Ndёrsa nё letrat qё shkëmbyen presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, me përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Catherin Ashton, thuhej se “nëse hetimi i Task-Forcës Speciale Hetimore çon në një aktakuzë dhe në një gjykim, duhet të krijohet një mjedis i përshtatshëm për administrimin e duhur të drejtësisë”. 

Rrjedhimisht ishte thënë se për këtë çështje do të duhej që të përdorej një tribunal i specializuar me bazë në Kosovë, por që procedurat do të zhvilloheshin jashtë duke pasur parasysh natyrën e akuzave.

Krijimin e kësaj gjykate do ta shtynte kriza politike qё kishte karakterizuar vendin pas zgjedhjeve tё qershorit tё 2014-s.

Përfaqësues amerikanë dhe evropianë u patën vënë në aktivitete diplomatike për të bindur autoritetet e Kosovës që të miratojnë themelimin e një Tribunali ose Gjykatë Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.

Në qershor të 2015-s sërish ishte ambasadorja Jacobson që bënte thirrje për formimin e Speciales duke thënë se të gjithë e dinë se cila do të ishte alternativa. Ajo kishte shtuar se SHBA-ja dhe vendet e tjera strategjike nuk do të bllokonin procesin e Kombeve të Bashkuara.

“Ju bëj thirrje liderëve politikë të Qeverisë dhe Parlamentit që të marrin këtë çështje seriozisht dhe të ecin përpara pa rrezikuar legjitimitetin dhe reputacionin e vazhdueshëm të Kosovës për hir të një numri të vogël individësh që mund të akuzohen nga kjo gjykatë”, tha Jacobson.

Deputetët dhe subjektet politike fillimisht e kishin kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, por me vonë ata zbutën qëndrimet e tyre.

Zbutja e terminologjisë nga fjala Tribunal në Gjykatë Speciale, sadopak i pati relaksuar qëndrimet e partive parlamentare.

Përpjekja e parë për votimin e marrëveshjes mes Kosovës e BE-së për themelimin e Speciales dështoi më 26 qershor 2015.

Por, pas pak javësh, më 3 gusht 2015, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, Listës Serbe, Grupit parlamentar 6+ e disa deputetëve pa grup parlamentar votuan për themelimin e saj.

Nga 117 deputetë të pranishëm, votuan 88. Prej tyre, 82 ishin për, pesë ishin kundër dhe një prej tyre abstenoi.

Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, pati thënë se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.

Sidoqoftë, Thaçi pati përsëritur qëndrimin e tij të shprehur, se pavarësisht kësaj padrejtësie, siç e kishte quajtur ai, institucionet e Kosovës duhet të themelojnë këtë gjykatë.

Kundër saj ishte pozicionuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pati thënë se Kuvendi nuk do të duhej të miratonte themelimin e kësaj Gjykate, dhe ishte shprehur i bindur se as Këshilli i Sigurimit nuk do ta themelonte atë.

Në atë seancë, Partia Demokratike e Kosovës pati dalë edhe me propozimin që Kuvendi të marrë vendim për themelimin e një fondi, përmes së cilit, Qeveria e Kosovës me buxhetin e shtetit t’i mbulonte të gjitha shpenzimet e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore që do të ngrihen ndaj tyre nga gjykata e veçantë.

Në janar të vitit 2016, u miratua Marrëveshja e Përkohshme midis vendeve tё ulëta dhe Kosovës nё lidhje me vendosjen e Institucionit Gjyqësor tё Specializuar tё Kosovës nё Holandё.  

Kurse, në shkurt të vitit 2016, u miratua marrëveshja me shtetin pritës midis Holandës dhe Kosovës.

Pas shumё ndryshimesh, u miratuan nga gjyqtarët më 17 mars 2017, u votua edhe Rregullorja e Procedurave dhe provave tё kёsaj Gjykate. Ato u rishikuan më 29 maj 2017 dhe pasi u vlerësuan në përputhje me Kushtetutën, kanë hyrë në fuqi më 5 korrik të po atij viti.

Më 22 dhjetor 2017, me nismë të deputetëve të partive të atëhershme në pushtet: PDK, AAK dhe Nisma, u tentua të bëhej shfuqizimi i Speciales, por reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ishte i ashpër. Kërcënoi me pasoja të mëdha për Kosovën. Nisma nuk u hodh në votim

Shtetet e Quintit patën shprehur shqetësimin e thellë me përpjekjet në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, përkatësisht Dhomave të Specializuara.

“Jemi thellësisht të shqetësuara me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Me kushtetutë, DHSK-ja kishte mandatin për pesë vjet, por më pas ishin bërë ndryshimet asisoj që ky mandat do të vazhdonte derisa Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftonte për përfundimin e mandatit të tyre.

Aktivitetet e para të kësaj gjykate kishin filluar qysh në fund të 2018-s, kur Rrustem Mustafës, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, i ishte dërguar ftesa që të intervistohej më fillim të 2019-s.

Ftesat ishin pranuar më pas edhe nga ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I arrestuari i parë nga Specialja ishte Salih Mustafa i njohur me nofkën Cali, aktakuza ndaj të cilit ishte konfirmuar me 12 qershor 2020, ndërsa në shtator të po të njëjtit vit ishte transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Ai akuzohej për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, i cili më vonë u dënua me burgim dhe me urdhër për dëmshpërblimin e viktimave në vlerë të 207 mijë eurove.

Shtatori i 2020-s shënon edhe arrestimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ata më vonë u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim dhe me nga 100 euro gjobë.

Aktakuza kundër katër drejtuesve të UÇK-së u konfirmuan më 26 tetor 2020 nga Dhomat e Specializuara.

Më 5 nëntor të atij viti, pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit, Thaçi u arrestua nga policia ndërkombëtare.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Thaçi tha se ky është një çmim i radhës për lirin.

Aktakuza e Speciales ndaj Hashim Thaçit, së bashku me atë ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u konfirmua nga gjyqtari i procedurës paraprake më 26 tetor 2020

Specialja e arsyetoi paraburgimin e tij dhe të tjerëve me mundësinë e frikësimit e rrezikimit të dëshmitarëve.

E në mars të 2021-s u arrestua në Belgjikë edhe Pjetër Shala nën akuzat për krime lufte, ndaj të cilit apeli ka vendosur burgim prej 13 vjetësh si dhe dëmshpërblim ndaj viktimave në vlerë të 208 mijë eurove.

Për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë dënuar edhe Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari.

Ndërsa, për vepra të ngjashme janë duke u gjykuar Hashim Thaçi, Bashim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Kundër kësaj gjykate dhe në përkrahje të personave që janë akuzuar nga Specialja, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Hagë, Kroaci e Strasbourg të Francës janë organizuar disa protesta.