КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Две амбуланте у Кишнапољу и Вербици су привремено затворене, становници против одлуке

Кишнапол

Ambulancat në fshatrat Kishnapolë dhe Verbicë të Gjilanit prej një muaji nuk po ofrojnë shërbime shëndetësore për banorët. Vendimi u ka shkaktuar vështirësi dhe shpenzime shtesë

Tash e një muaj, dy ambulancat në fshatrat Kishnapolë dhe Verbicë të Gjilanit janë mbyllur, duke i lënë pa shërbime banorët e këtyre fshatrave.

Përmes një vendimi, nga Komuna banorët janë njoftuar se nga data 2 nëntor shërbimet shëndetësore mund t’i marrin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Bresalc.

Banorët e fshatit Kishnapolë kanë thënë se ky njoftim u ka sjellë probleme, pasi detyrohen të bëjnë shpenzime shtesë për të marrë shërbime shëndetësore.

“Shqetësimi ynë është se të gjithë kemi të sëmurë. Unë e kam bashkëshorten dhe vëllain, të cilët duhet të shkojnë në Gjilan për të marrë infuzion dhe injeksione. Dje, madje, e kam pasur bashkëshorten në kontroll. Ajo merr terapi për zemrën dhe mushkëritë. E kam dërguar, por një terapi në Gjilan na kushton 60-70 euro. Këtu i kemi pasur barnat pa pagesë”, ka deklaruar Fatmir Mehmeti.

“Megjithatë, në këto kushte të sotme, ku të shkojnë këta qytetarë për t’u shëruar, kur ambulanca është e gatshme? Është tejet e nevojshme për banorët e këtushëm. Në emër të qytetarëve kërkoj që komuna sa më shpejt ta hapë konkursin, ta pranojë një punëtor dhe ta vërë ambulancën në funksion”, ka thënë Ramadan Mehmeti.

“Tri fshatra i kemi në këtë ambulantë. Kemi fëmijë dhe familje me kushte shumë të rënda. Tash, prej Kishnapolit deri në Gjilan, është një orë rrugë. Nuk kemi autobusë, nuk kemi transport urban, e disa nuk kanë as vetura. Nëse sëmuret fëmija, me çka ta dërgojmë?” ka deklaruar banori tjetër, Driton Murati.

Edhe banori i fshatit Verbicë, Shahin Hasani, ka thënë se largësia nga qyteti ua vështirëson marrjen e shërbimeve shëndetësore.

“Me të dëgjuar lajmin për mbylljen e këtyre dy ambulancave, nuk jemi ndier aspak të kënaqur, sepse, si fshatra të largëta nga qyteti, është dashur ta kemi mjekun. Këtu në Verbicë e kemi pasur dy herë në javë, ndërsa në Kishnapolë tri herë, sa e di unë. Kemi qenë të furnizuar edhe me barna. Na i kanë kryer të gjitha shërbimet, si injeksione, infuzione e të tjera. Tash, edhe për diçka të vogël, duhet të shkojmë ose në Bresalc, ose në Gjilan”, ka thënë Hasani.

Ndërkaq, asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Sami Ahmeti, ka thënë se këtë çështje e ka ngritur edhe në mbledhjet e Kuvendit. Ai ka deklaruar se Komuna po merr vendim që po ua largon shërbimet nga banorët, e për këtë përmend edhe mbylljen e ofiqarive.

“Unë, si banor, e kam adresuar këtë çështje edhe në Kuvendin Komunal, por, fatkeqësisht, po na përcjell edhe mbyllja e zyrave të vendit. Edhe në Verbicë, edhe në Kishnapolë, të dyja zyrat e vendit janë mbyllur. Qytetarët, për të marrë një ekstrakt të lindjes apo çfarëdo dokumenti tjetër nga zyra e vendit, duhet të shkojnë në Gjilan, sepse këto shërbime mungojnë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, nga Komuna e Gjilanit kanë thënë se nuk bëhet fjalë për mbyllje të ambulancave, por për ndërprerje të përkohshme të punës.

“Fillimisht, nuk bëhet fjalë për vendim të mbylljes së ambulancës, por për ndërprerje të përkohshme të shërbimit ambulantor deri në rekrutimin e stafit të ri. Aktualisht jemi në përgatitje të konkursit për rekrutimin e personelit, i cili pritet të shpallet këto ditë”, është shprehur drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu.

Drejtoresha e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, bazuar në raportet gjashtëmujore, ambulanca ka pasur numër shumë të ulët të shërbimeve të ofruara.

Për këtë arsye, ajo ka thënë se deri në rekrutimin e stafit të ri, personeli do të angazhohet në QKMF për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve, veçanërisht gjatë sezonit të gripit.

Në ambulancën e Kishnapolës, shërbimet shëndetësore janë ofruar edhe për banorët e tri fshatrave përreth: Sllakocit të Ulët, Sllakocit të Epërm dhe Gadishit.