Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci gjatë një adresimi në Bruksel, në kuadër të Konferencës për Veprimin Kundër Minave në Ukrainë (Ukraine Mine Action Conference – UMAC), e organizuar nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina, derisa ka folur për angazhimin dhe suksesin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në asgjësimin e mjeteve shpërthyese, ka përmendur mbështetjen që Kosova e ka ofruar për Ukrainën.
Gjithashtu, Maqedonci ka ofruar edhe gatishmërinë që Kosova me eskperiencën e saj në fushën e deminimit, ta ndihmojë Ukrainën në rimëkëmbje pas konfliktit me Rusinë.
Por, siç është shprehur Maqedonci, Kosova nuk do të kishte pengesa që ta ndihmonte edhe më shumë në rast se Ukraina do ta njihte Kosovën.
“Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme”, ka thënë Maqedonci gjatë këtij adresimi.
Ai ka shtuar se zvogëlimi i ndikimit rus i cili vazhdon të jetë i pranishëm në Serbi do ta ndihmonte si sigurinë Evropën, ashtu edhe Ukrainën.
“Fatkeqësisht, sot në Serbi vazhdon të jetë i pranishëm ndikimi rus. Ende ekzistojnë institucione ruse që mbajnë kontakte, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë. Ato gjithashtu vazhdojnë të jenë të angazhuara në mbështetjen e mbrojtjes civile dhe aktiviteteve të tjera në Serbi. Besoj se zvogëlimi dhe pengimi i pranisë ruse në Evropë, apo brenda kufijve evropianë, do ta ndihmonte gjithashtu Ukrainën dhe sigurinë e Evropës”, është shprehur Maqedonci.