КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Слоган: „Пријави насиље“ је против

Слоган: „Пријави насиље“ је против

Në nismë të fushatës “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”, 13 organizata të shoqërisë civile kanë kritikuar Ministrinë e Drejtësisë për sloganin e përzgjedhur “Raporto dhunën”. Ato kanë vlerësuar se përgjegjësia për mbrojtjen e viktimave nuk duhet të bartet mbi to, por mbi institucionet

Janë 13 organizata të shoqërisë civile të cilat kanë reaguar të enjten ndaj Ministrisë së Drejtësisë për centralizimin e fushatës “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave” dhe për thirrjen e përzgjedhur këtë vit.

Ato kanë kundërshtuar sloganin “Raporto dhunën”, duke vlerësuar se përmes tij, përgjegjësia për veprim vendoset mbi viktimat, në vend se të theksohet përgjegjësia e institucioneve për mbrojtjen e tyre.

Sipas organizatave, problemi kryesor në Kosovë nuk është raportimi i dhunës, por mosveprimi institucional pas raportimit, mungesa e mbrojtjes efektive, riviktimizimi i viktimave dhe mungesa e llogaridhënies.

“Përzgjedhja e këtij slogani, përballë dështimeve të vazhdueshme shtetërore në luftimin e dhunës ndaj grave, reflekton mungesë të thellë të kuptimit të natyrës strukturore të dhunës me bazë gjinore, të përgjegjësisë institucionale dhe të ndjeshmërisë ndaj viktimave. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kuadër të së cilës funksionon edhe Zyra e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, bart përgjegjësinë qendrore për koordinimin e politikave shtetërore në këtë fushë. Pa e mohuar rëndësinë e raportimit, problemi thelbësor në Kosovë qëndron veçanërisht te mosveprimi institucional pas raportimit”, thuhet në reagim.

Organizatat kanë kritikuar edhe rolin dominues të Ministrisë së Drejtësisë në organizimin e kampanjës, duke pretenduar se ajo gradualisht është shndërruar nga një platformë e aktivizmit qytetar në një aktivitet qeveritar.

“Përjashtimi i organizatave të grave dhe organizatave të shoqërisë civile nga vendimmarrja apo mungesa e konsultimit me to nuk është thjesht çështje organizative, por çështje e përfaqësimit, legjitimitetit dhe autonomisë së lëvizjes feministe. Shteti bart përgjegjësinë për politikat, buxhetet, zbatimin e ligjeve dhe llogaridhënien për dështimet institucionale, ndërsa aktivistët, organizatat e grave dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të gëzojnë hapësirën e pavarur për të kritikuar pushtetin, kundërshtuar politikat dhe kërkuar ndryshime. Këto role nuk mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën”, thuhet në reagim.

Reagimi është nënshkruar nga 13 organizata, përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi, Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.

KOHA të enjten ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me reagimin e organizatave, por nuk ka marrë përgjigje.

E, në kuadër të aktiviteteve të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar të enjten nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, me të cilët ka bashkëbiseduar për format e ndryshme të dhunës, parandalimin e saj.

Gjatë bashkëbisedimit, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj me vlerat e barazisë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe refuzimit të çdo forme të dhunës.

“Një shoqëri e barabartë ndërtohet duke filluar nga mënyra si edukohen brezat e rinj. Nga respekti për dinjitetin e secilit, nga marrëdhëniet pa paragjykime mes vajzave dhe djemve dhe nga bindja se dhuna, në çfarëdo forme, nuk mund të arsyetohet dhe as të pranohet si pjesë e jetës sonë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka diskutuar me nxënësit edhe për sfidat që lidhen me dhunën ndaj grave, dhunën në mjediset shkollore dhe në hapësirën digjitale, duke theksuar se parandalimi i saj kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët nga të gjithë.

“Luftimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave kërkon domosdoshmërisht përfshirjen aktive të djemve dhe burrave. Nuk mund të kërkojmë barazi pa angazhimin e të gjithëve dhe nuk mund të ndërtojmë siguri duke e lënë asnjë palë jashtë kësaj përgjegjësie”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka vlerësuar mendimet dhe pikëpamjet e të rinjve, duke theksuar se përvojat dhe pritjet e tyre duhet të jenë pjesë e politikave që synojnë një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë.

“Jemi shumë me fat me rininë që kemi. Mendimet, pikëpamjet dhe përvojat e tyre janë të çmuara dhe duhet të kenë vendin e merituar edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027-2031. Politikat që ndërtojmë duhet të pasqyrojnë realitetin që ata përjetojnë dhe pritjet e tyre për një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.

Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” zhvillohet çdo vit, duke nisur nga 25 nëntori.

Gjatë kësaj periudhe organizohen aktivitete të ndryshme nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile në mbarë Kosovën.