КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

КФОР критикован

КФОР се састао са представницима Војске Србије у Приштини

Ka nxitur reagime vizita që përfaqësues të ushtrisë serbe kanë bërë në Kosovë dhe janë pritur nga përfaqësuesit e KFOR-it. Kryetari i komisionit parlamentar për siguri ka thënë se publikimi i takimit me gjuhën e “respektit të ndërsjellë” është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm

Pritja që përfaqësuesit e KFOR-it u kanë bërë të enjten në Prishtinë ushtarëve të Serbisë, ka nxitur reagime.

Takimi që është mbajtur në kampin “Film City”, sipas KFOR-it, në fokus të diskutimeve pati bashkëpunimin dhe koordinimin lidhur me Vijën Kufitare Administrative dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake.

Publikimin e këtij takimi në Prishtinë, e ka quajtur “politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci.

“Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e “respektit të ndërsjellë”, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm. KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Bajqinovci.

KOHA ka kërkuar informacione nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me arsyet e këtij takimi, për takime të tjera që mund të jenë mbajtur në Prishtinë, si dhe janë kërkuar informata nëse janë njoftuar institucionet e Kosovës paraprakisht për këtë takime. Përgjigjet nga KFOR-i kanë munguar.

Pyetjeve të KOHËS nuk u janë përgjigjur as në Qeveri.

E, kritika për takimin kanë shprehur edhe ushtarakë e diplomatë.

Ish-zëdhënësi i FSK-së, Ibrahim Shala, ndonëse theksoi se vizitat e këtilla janë rutinore, shprehu nevojën për rishikim të mandatit të misionit të NATO-s.

“Çështja e misionit të KFOR-it duhet të rishikohet sepse jemi 26 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe jemi 18 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Shala në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Ndërkaq, tek ka folur për takimin, ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka thënë se ushtria serbe mban përgjegjësi për vrasje, masakra dhe dëbimin e 80 për qind të popullatës shqiptare të Kosovës.

“Ndërsa përfaqësuesit e dikurshëm të UÇK-së mbahen në burgun e Hagës, madje kur vijnë në Kosovë, siç ishte rasti me Jakup Krasnqin, mbahen në shtetrrethim. Vetëm ky fakt flet si po trajtohemi ne shqiptarët dhe Republika e Kosovës”, ka thënë Syla.

Një ditë më parë, KFOR-i ka njoftuar për një takimin në Prishtinë me përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë. Në të është theksuar se me Forcat e Armatosura të Serbisë ekziston komunikim transparent për të gjitha çështjet që lidhen me vijën kufitare dhe marrëveshjen tekniko-ushtarake, që i ka paraprirë hyrjes në Kosovë.