КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Косову није јасно који услови морају бити испуњени за чланство у Савету Европе

МфА

Shtatë muaj para takimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian, autoritetet në Kosovë kanë thënë se janë ende duke u marrë me identifikimin e kritereve që duhet përmbushur, në mënyrë që çështja e anëtarësimit të jetë në agjendë. Qasja e ekzekutivit karshi anëtarësimit në KiE është kritikuar nga opozita

Dy vjet e gjysmë pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se ende nuk e kanë të qartë se çfarë kërkesa duhet të përmbushen për të qenë në agjendën e Komitetit të Ministrave. 

Në një përgjigje të shkruar për KOHË-n, theksohet se po komunikohet me shtetet partnere për të sqaruar qëndrimet dhe kërkesat për procedimin tutje të aplikimit të Kosovës.

“Përmes këtyre konsultimeve po punohet për adresimin e shqetësimeve të ngritura dhe për sigurimin e mbështetjes së nevojshme për avancimin e procesit. Në këto komunikime, Kosova i referohet opinionit pozitiv të Asamblesë Parlamentare si bazë të rëndësishme për vendimmarrjen e mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Me gjithë rekomandimin pozitiv të Asamblesë Parlamentare, anëtarësimi i Kosovës në Këshill nuk ishte futur në agjendën e Komitetit të Ministrave, trupë kjo që e ka në dorë vendimin final. 

Atëkohë u prezantua si kusht për këtë hap, dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk treguan nëse ky kushtëzim mbetet ende.

Takimi i radhës i Komitetit të Ministrave do të mbahet më 12 maj në Mal të Zi, por nga Këshilli i Evropës nuk treguan nëse anëtarësimi i Kosovës do të jetë pjesë e diskutimeve.

Sipas Ministrisë, anëtarësimi i Kosovës në këtë këshill do të forconte mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë.

“Ai do të krijonte gjithashtu mundësi më të fuqishme për monitorim, llogaridhënie dhe adresimin e shqetësimeve për të drejtat e njeriut. Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi paraqitet si një hap që do të ndihmonte në trajtimin e shqetësimeve të partnerëve dhe në forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Qasja e Ekzekutivit për këtë proces anëtarësimi është kritikuar nga opozita.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se qeveria nuk e ka trajtuar me seriozitet këtë çështje.

“Janë zotuar që do ta zbatojnë asociacionin, të cilin vetë është pranuar nga kjo qeveri e konkretisht nga z. Kurti në marrëveshjen e Ohrit. Nuk kanë kërkuar asgjë çka kjo qeveri nuk ka pranuar dhe nuk kanë kërkuar asgjë që Albin Kurti nuk ka pranuar”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, thotë se kërkohet angazhim maksimal që të pranohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të bëjë hapa të ngutshëm, nuk duhet të bëjë politikë me të ardhmen e shtetit. Prioritet duhet të jetë shteti e jo ato veprimet populiste që shkojnë në favor të partisë së tyre”, ka thënë Kadrijaj.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Dy vjet më vonë, mori rekomandimin pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit, por procesi u stopua në hapin final.