КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Рачун за политичке игре од скоро пола милијарде евра

Парламент Косова

Фото: Архив

Фото: Дритон Пацхарада

Qindra miliona euro dhe mundësi për avancim në proceset integruese evropiane janë në rrezik për Kosovën, si pasojë e ngërçit të zgjatur institucional. Vetëm nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, vendi do të mund të kishte përfituar mbi 430 milionë euro, po të ishin përmbushur me kohë reformat e parapara. Por ngecja nuk reflektohet vetëm në fondet evropiane

Afër gjysmë miliard euro do të mund t’i kishte përfituar Kosova deri tani nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse do t’i kishte përmbushur në kohë reformat e parapara.

Por, përderisa politika e brendshme gati qe dy vjet merret me dilema kushtetuese e fajësime për bllokadë, vendi po e humb hapin në integrime e konsolidim ndërkombëtar e gjithashtu edhe në përmbushje të obligimeve që i ka marrë përsipër. 

Sipas Besar Gërgit, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, deri tani kanë përfunduar katër nga shtatë semestrat e Planit të Rritjes, ndërsa për disa reforma ka kaluar edhe afati shtesë i paraparë për përmbushjen e tyre.

Nëse reformat do të ishin zbatuar sipas afateve, përfitimet do të ishin dukshëm më të mëdha.

“Në qoftë se çdo gjë do të shkonte në rregull, të gjitha reformat që janë paraparë, qoftë ligjore, qoftë ekzekutive, të zbatoheshin me kohën e tyre të saktë, atëherë Kosova sot do të përfitonte diku rreth 432 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes. Pra, kjo po flasim në rastin më të mirë të mundshëm, në qoftë se do të kishte zbatim 100%”, ka thënë Gërgi.

Në shkurt të vitit 2026, Kosova ratifikoi marrëveshjen për Planin e Rritjes, përmes së cilës, në kuadër të përafrimit të politikave dhe reformave me Bashkimin Evropian, vendit i janë ndarë 880 milionë euro.

Deri tani, Kosova ka përfituar vetëm mbi 61 milionë euro nga kjo shumë, në formë të parafinancimit, që përbën rreth shtatë për qind të shumës së përgjithshme.

Por, sipas Gërgit, fondet e parealizuara të një vendi nuk mbeten domosdoshmërisht të paprekura deri në përmbushjen e reformave.

“Por çfarë mund të thoshim edhe një gjë që është shumë e rëndësishme të ceket, është se vendet e rajonit, si për shembull Mali i Zi, tashmë veçse kanë filluar përgatitjet e tyre për të përfituar nga fondet e vendeve si Kosova apo edhe Bosnja që nuk i shfrytëzojnë dot të hollat e tyre. Sepse Plani i Rritjes parasheh një mekanizëm kur një vend nuk i plotëson dot reformat, ato para nuk do të kthehen në Bruksel, por do të rishpërndahen te vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Gërgi.

Për vendet që ngecin në përmbushjen e reformave, Bashkimi Evropian ka paraparë edhe një periudhë shtesë prej një viti. Për Kosovën, afati për rreth 100 milionë euro përfundon në fund të këtij viti, ndërsa rreth 40 milionë euro të tjera tashmë konsiderohen të humbura.

Shuma përfundimtare e mjeteve që Kosova rrezikon t’i humbë do të bëhet më e qartë pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian në tetor.

Por kostoja e ngërçit institucional nuk kufizohet vetëm te fondet evropiane.

Profesoresha universitare Viona Rashica thotë se Kosova ka humbur dinamikë edhe në diplomacinë multilaterale dhe në proceset e saj integruese.

Sipas saj, një dekadë më parë, anëtarësimi në UNESCO ishte ndër prioritetet kryesore të diplomacisë së Kosovës dhe vendi ishte afër një rezultati konkret. Sot, çështja e anëtarësimit nuk është më në qendër të diskutimit publik.

Ngecje, sipas Rashicës, ka edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ndërsa aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian mbetet i ngrirë.

“Kjo hapësirë e humbur vërehet edhe në raport me NATO-n, ku, në rrethanat e reja të sigurisë në Evropë, Kosova do të duhej të ishte sot shumë më afër nisjes së dialogut zyrtar për Partneritetin për Paqe dhe thellimit të perspektivës së saj euroatlantike”, ka thënë Rashica.

Që nga janari i vitit 2025, Kosova ka pasur qeveri dhe kuvend funksional vetëm për rreth tre muaj. Ngërçi politik nuk është zgjidhur as pas tri palë zgjedhjeve, teksa edhe të radhës janë në horizont, pasi as pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk janë konstituuar institucionet.