КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Арбери

Две школе у ​​Приштини бојкотовале су наставу због смећа и недостатка грејања

Школа

Për shkak të pakënaqësisë me kushtet higjienike dhe mungesën e ngrohjes, në dy shkolla të Prishtinës nuk u mbajt mësimi. Kështu vendosën vetë prindërit. Bojkotimi i mësimit në “Mehmet Gjevori” dhe “Ismail Qemali” vazhdoi edhe të premten, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Komunës së Prishtinës dhe Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat

Vetëm një nxënëse shkoi për ta vijuar mësimin të premten në shkollën “Mehmet Gjevori” në Prishtinë.

Klasat e tjera mbetën të zbrazëta tërësisht. 

Prindërit vendosën të mos i dërgonin fëmijët në shkollë, në shenjë pakënaqësie me papastërtinë dhe mungesën e ngrohjes.

Këtë vendim të Këshillit të Prindërve, drejtoresha e shkollës “Mehmet Gjevori”, Vlora Maliqi, e konsideroi të panevojshëm.

Sipas saj, pavarësisht grevës së punëtorëve teknikë, stafi është kujdesur për mirëmbajtjen e shkollës, ndërsa probleme me ngrohjen ka pasur vetëm një ditë.

“Punëtorët teknikë tash e tri javë janë në grevë, por përgjatë kësaj kohe jemi munduar bashkë me stafin që të mbajmë të pastër shkollën duke punuar në mënyrë sistematike. Punëtorët teknikë e kanë pasur për obligim banjën ta pastrojnë e pjesën tjetër të shkollës jemi përkujdesur ne stafi”, ka thënë drejtoresha Maliqi. 

Ajo ka kundërshtuar edhe arsyetimin e dytë, të dhënë nga prindërit për ta bojkotuar mësimin.

“Sa i përket ngrohjes, po më vjen shumë keq se ndoshta është keqkuptuar sepse ngrohja vetëm dje nuk ka punuar për arsye që kemi pasur ndalje të rrymës, edhe ajo ka ndikuar që të dalë jashtë funksionit kalldaja e shkollës, por përkundër asaj në nxemje në shkollë kemi pasur, sepse të gjitha klasat kanë klima”, ka thënë Maliqi.

Në këtë shkollë, mësimi u mbajt edhe në një klasë të parafillores.

Ndërkaq, mësimi u bojkotua nga të gjithë nxënësit edhe në shkollën fillore “Ismail Qemali”.

Marrëveshja e arritur mes Komunës së Prishtinës dhe Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, nuk i bindi prindërit që t’i çojnë fëmijët në shkollë, pasi Këshilli i Prindërve e kishte marrë këtë vendim paraprakisht.

Komuna njoftoi një ditë më parë se deri në rikthimin e punëtorëve teknikë, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

Por, anëtarët e këshillit të prindërve thanë se vendimi për bojkot ishte i vështirë, por i domosdoshëm, me qëllim të përmirësimit të kushteve në shkollë. 

Arlind Celina, anëtar i Këshillit të prindërve në shkollën “Ismail Qemali”, ka thënë se tek pas alarmit, Komuna ka nisur të marrë masa për të bërë zgjidhje nëpërmjet ndërmarrjeve rajonale.

“Ky bojkot ka qenë në dëm të fëmijëve tanë dhe arsimtarëve që ju kemi përzi në planprogram, por ka qenë plani i fundit që është dashur me ndërmarr që kjo situatë me është stabilizuar. Edhe pse është nënshkruar marrëveshja me komunën, prapë greva nuk është ndal sepse ata donë siguri se janë gënjyer disa herë. Ndërmarrjet kanë ardhur kur situate ka eskaluar, kurse në përditshmëri kanë pastruar mësueset me nxënësa por ata nuk kanë pastruar, kanë fshi”, ka thënë Celina.

Pakënaqësi për situatën ka shprehur edhe Shqipe Kelmendi-Rama, që është anëtare e Këshillit të Prindërve në shkollën “Ismail Qemali”.

“Jam nënë e tre fëmijëve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, në klasën parë, në klasën e katërtën dhe të pestën. Probleme të tilla kanë ndodhur në vazhdimësi. Por, nuk është objekt që mundet me u pastru një herë ose dy herë në javë. Është objekt shumë i madh dhe është i mbingarkuar. Gati 3 mijë fëmijë hynë këtu dhe dalin çdo ditë”, ka thënë ajo. “Duhet dy herë ose tri herë në ditë me u pastru komplet shkolla, komplet banjot se ne po i sjellim fëmijët me mësu, me marrë dije dhe po i marrim të sëmurë”.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka thënë se beson që dikush qëllimisht po i mbush klasat me mbeturina në shkollën “Ismail Qemali” dhe “Naim Frashëri”.

“Kemi parë mbeturina që nuk janë të zakonshme që të jenë ato mbeturina të asaj klase, edhe për thasë të panumërta. Është e pamundur që klasat të mbushen me katër thasë e pesë thasë. Kjo e do një analizë sepse kemi dyshime tona me individë të caktuar ku kërkojmë nga menaxhmenti i shkollës që t’i marrë të gjitha veprimet në raport me ta”, ka thënë Elshani.

Gjatë të enjtes, përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat të Kosovës kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, pas të cilit, është njoftuar se kërkesa për zbatimin e pagës minimale është aprovuar.