Nga këndvështrimi i një studiuesi të komunikimit, një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprës “Mitrovica në periudhën osmane: histori dhe arkitekturë” – redaktor: Oktaj Hasanin; autorë: Agron Islami dhe Orges Drançolli, botues: “Libraria Artini”, Prishtinë – është kujtesa kolektive. Një shoqëri nuk e ndërton kujtesën vetëm përmes teksteve shkollore dhe dokumenteve zyrtare. Kujtesa ndërtohet edhe përmes objekteve, hapësirave, monumenteve dhe tregimeve që lidhen me to. Në pikëpamjen time, libri është një përpjekje e arrirë për t’i dhënë publikut një rrëfim më të dokumentuar për të kaluarën e Mitrovicës në këtë periudhë historike në një format të qasshëm për të gjithë, studiues, guida, apo thjesht qytetarë të interesuar për të kaluarën e qytetit
Të shkruash një recension për një vepër historike kur nuk je historian është, në njëfarë mënyre, një sfidë. Por pikërisht kjo distancë nga fusha e historisë, mendoj që krijon një kënd tjetër leximi. Një kënd nga i cili nuk gjykohen shumë burimet, metodologjia apo interpretimet historiografike, por atë të një lexuesi dhe studiuesi të shkencave shoqërore që përpiqet të kuptojë se çfarë i ofron një vepër e tillë publikut e gjerë dhe pse një studim mbi historinë e një qyteti ka rëndësi edhe përtej disiplinës së historisë.
Vepra “Mitrovica në periudhën osmane: histori dhe arkitekturë”, me përmbajtje të përgatitur nga Agron Islami dhe Orges Drançolli dhe me redaktim të Oktaj Hasanit, tërheq vëmendjen që në strukturën e saj për mënyrën se si ndërthur dy dimensione të rëndësishme të së kaluarës së qytetit: historinë dhe trashëgiminë e tij arkitekturore të një periudhe të caktuar të qytetit, që nga shekulli XVI deri më 1912.
Pjesa e parë e hartuar nga Agron Islami, fokusohet në historinë e Mitrovicës gjatë periudhës osmane, duke nisur nga zhvillimi i vendbanimit dhe duke vijuar me transformimet e tij gjatë shekujve, duke ofruar të dhëna nga burime të ndryshme të arkivave osmane dhe burimeve tjera. Kjo ndërthurje e fakteve historike dhe burimeve të ndryshme, paraqet një prezantim unik të historisë së qytetit të asaj periudhe. Përfshirja e të dhënave mbi vendbanimet, demografinë, urbanizimin dhe institucionet e qytetit e bën këtë pjesë veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se si një vendbanim gradualisht merr karakteristika të një qendre urbane. Kjo pjesë sigurisht që do të pasurojë shumë më shumë nëse do të kishte të dhëna edhe për gjeografinë e vendbanimeve, shtrirjen dhe kufizimin e tyre. Me gjasë të dhënat në dispozicion, nuk e ofrojnë një gjë të tillë.
Megjithatë, kjo pjesë e librit, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për studiues të fushave të tjera dhe qytetarë që kërkojnë njohje të prejardhjes meqë paraqet jo një histori të bazuar në ngjarje politike, por një histori të dokumentuar të zhvillimit të një qyteti përmes të dhënave demografike, zhvillimit të vendbanimeve dhe objekteve fetare, shoqërore e ushtarake. Pra, një veçori tjetër e këtij libri është gjithashtu që nuk ndalet vetëm tek objektet fetare. Përfshirja e shkollave të kohës, spitalit, hamamit, Sahat Kullës, urave dhe objekteve të tjera e zgjeron kuptimin e qytetit osman përtej dimensionit fetar.

Në këtë kuptim, kapitujt që trajtojnë; Xhaminë e Mazhiqit, Xhaminë e Bajrit/Hamidije, Xhaminë e Ibrit, hamamin, Sahat Kullën, urat dhe spitalin e Mitrovicës, janë veçanërisht domethënës. Ato na bëjnë të mendojmë se historia e një qyteti nuk ruhet vetëm në dokumente, por edhe në hapësirën fizike të tij.
Pjesa e dytë e librit e përgatitur nga Orges Drançolli, e lidhur me arkitekturën, e plotëson këtë perspektivë. Nëse pjesa historike na ndihmon të kuptojmë se si është zhvilluar Mitrovica, trajtimi arkitekturor na ndihmon të kuptojmë se si është materializuar ky zhvillim në hapësirën urbane. Kjo pjesë përmban edhe një orientim gjeografik mjaft të vlefshëm edhe për turistët apo guidat që në të ardhmen do të punojnë në këtë fushë.
Nga këndvështrimi i një studiuesi të komunikimit, një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj vepre është kujtesa kolektive. Një shoqëri nuk e ndërton kujtesën vetëm përmes teksteve shkollore dhe dokumenteve zyrtare. Kujtesa ndërtohet edhe përmes objekteve, hapësirave, monumenteve dhe tregimeve që lidhen me to. Në pikëpamjen time, libri është një përpjekje e arrirë për t’i dhënë publikut një rrëfim më të dokumentuar për të kaluarën e Mitrovicës në këtë periudhë historike në një format të qasshëm për të gjithë, studiues, guida, apo thjesht qytetarë të interesuar për të kaluarën e qytetit.
Padyshim për një lexues johistorian të këtij libri, leximi i tij ta pamundëson ta shohësh qytetin e Mitrovicës sërish njëjtë. Kjo ngase të dhënat e paraqitura në libër të lidhin me objektet, orientimin dhe vlerat që kanë ato për qytetin dhe historinë e tij. Pra, leximi i këtij libri të ndihmon ta kuptosh më qartë qytetin, objektet, historinë, e që besa e disa nga sjelljet e njerëzve sot. Si të tillë, këtë libër e rekomandoj sidomos për guidat e licencuara, zyrtarët e trashëgimisë kulturore e pastaj edhe qytetarët e Mitrovicës që dëshirojnë të mësojnë më shumë për qytetin e tyre.