Apoya a TIME. Preserva la verdad.
del mundo del espectáculo

Rosalía triunfa en los Latin Grammy 2026 y gana el premio al Álbum del Año.

Rosalía

Rosalía

Foto: Prensa asociada

Këngëtarja spanjolle Rosalía ka fituar çmimin më të rëndësishëm, “Albumi i vitit”, në edicionin e 27-të të ceremonisë “Latin Grammy Awards”, me albumin e saj “Lux”, duke kurorëzuar një mbrëmje të mbushur me performanca të jashtëzakonshme muzikore, ka shkruar agjencia e lajmeve Associtaed Press.

E emocionuar dhe mes lotësh, Rosalía e nisi fjalimin e saj në gjuhën spanjolle, duke kujtuar se kjo është hera e tretë që e fiton këtë çmim. Ajo e krahasoi albumin e ri me dy projektet e saj të mëparshme, “El Mal Querer” (2018) dhe “Motomami” (2022), duke e përshkruar “Lux” si një hap të guximshëm drejt të panjohurës.

“Besoj se është shumë e rëndësishme të thuash të vërtetën tënde dhe që edhe të tjerët të kenë mundësinë të shprehin të vërtetën e tyre. Ky album është e vërteta ime”, u shpreh këngëtarja.

Video e fjalimit të Rosalías:

Në fakt, mbrëmja nisi me Rosalían në qendër të vëmendjes. Ajo hapi ceremoninë në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas, me një performancë mbresëlënëse të këngëve nga albumi “Lux”: “La Rumba Del Perdón”, “La Perla” dhe “Dios Es Un Stalker”.

E shoqëruar nga valltarë me aureola engjëllore, në një skenografi që krijonte pamjen e reve qiellore, artistja solli në skenë botën muzikore të albumit të saj të ri, ku ndërthuren formimi klasik, orkestrimet madhështore dhe frymëzimi nga jetët e shenjtoreve femra.

Pavarësisht diskutimeve dhe kritikave nëse Rosalía duhet të jetë pjesë e “Latin Grammy”, duke qenë se është spanjolle dhe jo latine, votuesit e vlerësuan fuqishëm muzikën e saj. Përveç çmimit “Albumi i vitit”, kënga e saj “La Perla” fitoi edhe çmimin “Kënga e vitit”.

Gjatë fjalimit për këtë çmim, Rosalía falënderoi Meksikën dhe ftoi në skenë bashkëpunëtorët e saj në këngë, treshen amerikane të muzikës urban sierreño, Yahritza Y Su Esencia.

Festë e madhe edhe për Daddy Yankeen

I njohur si “Mbreti i Reggaetonit”, Daddy Yankee ishte një nga protagonistët kryesorë të ceremonisë “Latin Grammy Awards” 2026. Artisti portorikan u shpall “Personaliteti i vitit”, duke u bërë artisti i parë i muzikës latine urbano që merr këtë vlerësim prestigjioz.

Rreth një orë pas nisjes së ceremonisë, ai pushtoi skenën me një performancë energjike, duke e kthyer atë në një stadium të vërtetë. Përmes ndryshimeve të shumta të veshjeve dhe skenografisë, Daddy Yankee solli disa nga hitet më të mëdha të karrierës së tij, duke vendosur gjithmonë në qendër vendlindjen e tij, Porto Rikon.

Video e performancës së Daddy Yankee:

Në repertorin e tij u përfshin këngët “Ella Me Levantó”, “Con Calma”, “Despacito”, “Lo Que Pasó, Pasó”, “Rompe”, “Pokito” dhe, natyrisht, hiti ikonik “Gasolina”. Në skenë iu bashkuan edhe artistë të njohur si Bizarrap, Bad Gyal, Feid, Jay Wheeler, French Montana, LL Cool J dhe Diljit Dosanjh.

Çmimin e nderit ia dorëzoi këngëtarja Janet Jackson, e cila shprehu admirimin dhe respektin e saj për artistin. 

Janet Jackson dhe Daddy Yankee

“Porto Riko, mos harro... Porto Riko nuk është e vogël. E vogël është harta”, ka thënë ai kur e pranoi çmimin.

Një mbrëmje me performanca të jashtëzakonshme

Performancat muzikore ishin ndër momentet më të spikatura të ceremonisë. Karol G u shoqërua nga një orkestër e plotë dhe 12 muzikantë mariachi për interpretimin e baladës meksikane “Ese Hombre es Malo”.

Karol G

Mon Laferte emocionoi publikun me këngën e saj plot ndjenjë “Femme Fatale”, ndërsa Silvana Estrada solli një ndërthurje të kulturës dhe trashëgimisë muzikore me interpretimin e “Dime”, duke përdorur instrumentin tradicional venezuelian cuatro.

Ylli brazilian Anitta prezantoi një përmbledhje të hiteve nga albumi “Equilibrium”, mes tyre “Desgraça”, “Choka Choka” dhe “Meia Noite”. Performanca ndërthuri ritme të ndryshme, nga muzika braziliane dhe samba, te bossa nova, semba, reggae dhe pop-i elektronik, me këngë të interpretuara në portugalisht, spanjisht dhe anglisht.

Video e performancës së Anittas: 

Pak më vonë, Anitta u rikthye në skenë për të marrë çmimin për albumin më të mirë të muzikës pop bashkëkohore në gjuhën portugeze. Në fjalimin e saj, ajo vuri në pah rëndësinë e kulturës së komunitetit me ngjyrë në Brazil, vendin e saj të lindjes.

Një tjetër moment emocionues ishte homazhi për legjendën meksikane të muzikës ranchera, José Alfredo Jiménez. Në këtë përkujtim, të organizuar nga Edgar Barrera, morën pjesë The Warning me këngën “Te Solté la Rienda”, Reik me “La Media Vuelta”, Sofía Reyes dhe Yami Safdie me “Si Nos Dejan”, ndërsa Camila Fernández interpretoi “El Rey”.

Camila Fernández interpretoi “El Rey”

Edhe vetë Edgar Barrera pati një natë historike, me 30 çmime “Latin Grammy” përgjatë karrierës së tij, ai u bë personi më i vlerësuar në historinë e ceremonisë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të René Pérez, i cili kishte fituar 29 çmime.

Gjatë mbrëmjes u zhvillua edhe një homazh për Willie Colón, muzikantin, aktivistin dhe një nga figurat themeluese të salsas urbane, i cili vdiq në muajin shkurt të këtij viti. Në këtë përkujtim performuan djali i tij, Miguel Colón, Nathy Peluso, Luis Figueroa dhe artistë të tjerë.

Publiku u argëtua gjithashtu me performancat e Feid dhe Kany García, e cila prezantoi këngën akustike me ndikime flamenco “La Niña Que Fui”. Këngëtari uruguaian Jorge Drexler solli një interpretim teatror të “Las Palabras”, ndërsa reperi argjentinas Milo J performoi së bashku me ikonën e muzikës folklorike Gustavo Santaolalla.

Në skenë u ngjitën gjithashtu Grupo Frontera me “Bye” dhe “Ojitos Bellos”, Carín León me “Desde Que Te Tengo”, si dhe Juanes dhe Vivir Quintana me “Humano”. Elena Rose performoi “Alma”, e shoqëruar nga valltarë me shpata, ndërsa grupi venezuelian Rawayana e ktheu skenën në festë me këngët “Bendito” dhe “Inglés En Miami”.

Grupo Frontera

Fitues të shumtë nga zhanre të ndryshme muzikore

Çmimi i parë i mbrëmjes u prezantua pak pas performancës hapëse të Rosalías. Pablo Alborán dhe Howie Dorough, anëtari i grupit Backstreet Boys, i dorëzuan Juanesit çmimin për albumin më të mirë pop/rock për “Juanesteban”.

Më pas, çmimet vijuan me ritëm të shpejtë. Milo J fitoi çmimin “Incizimi i vitit” me këngën “Niño”, ndërsa Karol G u shpall fituese në kategorinë e albumit më të mirë urban me “Tropicoqueta”.

Xavi fitoi çmimin për albumin më të mirë bashkëkohor meksikan me “Dosis”, duke marrë kështu “Latin Grammyn” e parë të karrierës. Performanca e tij me këngët “Dosis” dhe “No Capeã” shënoi edhe mbylljen e ceremonisë. Ndërkohë, Fonseca u vlerësua me çmimin për albumin më të mirë bashkëkohor tropikal për “Antes Que El Tiempo Se Vaya”.

Çmimin “Artisti i ri më i mirë” e fitoi këngëtarja kolumbiane Aria Vega, e cila nuk i mbajti dot lotët gjatë fjalimit të saj. Këtë vit, Akademia Latine e Incizimit ndryshoi kriteret e kësaj kategorie, duke përcaktuar se mund të konkurrojnë vetëm artistët që kanë publikuar më pak se tre albume ose 25 këngë.

Pjesa më e madhe e çmimeve u ndanë gjatë ceremonisë paraprake, përpara transmetimit televiziv. Ndër fituesit ishte edhe Bobby Pulido, i cili mori çmimin “Latin Grammy” për albumin më të mirë të muzikës Tejano me “Bobby Pulido & Friends: Una Tuya y Una Mía (Vol. 2/En Vivo)”.

Vetëm pak ditë më parë, Pulido kishte shënuar një tjetër sukses historik, duke fituar një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së si kandidat i Partisë Demokratike, pas përmbysjes së rezultatit në një distrikt të Teksasit.

Gjatë fjalimit të pranimit të çmimit, ai bëri edhe një njoftim të befasishëm për të ardhmen e tij artistike.

“Dua t’ju them se po tërhiqem nga muzika dhe po largohem me shumë mirënjohje”, ka thënë ai.