Apoya a TIME. Preserva la verdad.
del mundo del espectáculo

Johnny Depp regresa a Hollywood: ¿Tendrá éxito su regreso?

Johnny Depp

Johnny Depp

Foto: Prensa asociada

“A Christmas Carol” e Charles Dickens është një nga historitë më të njohura të pendesës, ku një njeri me një reputacion të diskutueshëm befason të gjithë duke zbuluar anën e tij të mirë. Por çfarë kuptimi merr kjo histori kur në rolin kryesor të versionit të ri kinematografik, “Ebenezer”, shfaqet aktori i njohur, Johnny Depp.

Traileri i filmit "Ebenezer": 

BBC ka shkruar se përzgjedhja e aktorit i jep filmit një dimension të veçantë, duke pasur parasysh polemikat që e kanë shoqëruar karrierën e tij vitet e fundit.

Në muajin nëntor të vitit 2020, Depp humbi një çështje gjyqësore për shpifje në Angli kundër gazetës britanike “The Sun”, e cila e kishte cilësuar si dhunues të bashkëshortes. Gjykatësi vendosi se gazeta kishte arritur të provonte se pretendimet e publikuara ishin në thelb të vërteta. Pas këtij vendimi, gjigandi “Warner Bros.” e largoi menjëherë aktorin nga seria e filmave “Fantastic Beasts”.

Konflikti mes Depp dhe ish-bashkëshortes së tij, aktores Amber Heard, vazhdoi edhe në gjykatat amerikane. Në vitin 2022, Depp e paditi Heard për shpifje, pas një artikulli të saj në “The Washington Post”, ku ajo kishte shkruar për përvojën e saj si një figurë publike që përfaqësonte dhunën në familje. Këtë herë, juria vendosi në favor të Depp, duke arritur në përfundimin se Heard kishte shpifur për të.

Megjithatë, gjyqi gjashtëjavor, i ndjekur gjerësisht nga publiku, nxori në pah detaje të shumta të marrëdhënies së trazuar të çiftit, përfshirë përdorimin e substancave narkotike. Ish-këshilltarja martesore e tyre, Laurel Anderson, dëshmoi se kishte vërejtur atë që e përshkroi si “dhunë të ndërsjellë” mes tyre.

Në atë periudhë, karriera e Depp dukej sikur kishte marrë fund. Në vitin 2023, aktori deklaroi se ndihej i bojkotuar nga industria e Hollywoodit.

“Sigurisht që ndihesh pak i bojkotuar kur të kërkohet të largohesh nga një film për shkak të një akuze”, ishte shprehur ai.

Rikthimi i diskutueshëm i “Ebenezer”

Tani, tre vjet më vonë, emri i Johnny Depp shfaqet sërish në krye të një produksioni të madh hollivudian. Filmi festiv “Ebenezer”, i realizuar nga studioja “Paramount”, përfshin gjithashtu aktorë të njohur si Ian McKellen, Rupert Grint dhe Daisy Ridley.

A do të pritet Depp nga publiku me të njëjtin entuziazëm si personazhi i tij, Scrooge, pas transformimit dhe pendesës?

Duket se ekipi promovues i filmit po mbështetet pikërisht te ideja e rikthimit të aktorit. Traileri i parë, i publikuar në muajin korrik, e vendosi këtë temë në qendër të vëmendjes.

“Na solli Jack Sparrow, Edward Scissorhands dhe The Mad Hatter”, thuhej në mbishkrimet e videos, përpara se të shfaqej Depp në disa sekuenca të shkurtra. Rreth 30 sekonda pas nisjes së trailerit, aktori shfaqet duke buzëqeshur dhe duke thënë: “Është bukur të jesh sërish këtu”.

Por kjo strategji promovuese nuk është pritur mirë nga të gjithë.

Maureen Ryan, autore e librit “Burn It Down: Power, Complacency and a Call for Change in Hollywood”, e konsideron të papërshtatshëm faktin që rikthimi i Depp është kthyer në temën kryesore të fushatës publicitare.

“Në këndvështrimin tim, ta bësh idenë e rikthimit të tij qendrën e një fushate promovuese kaq gazmore është pa shije dhe larg së qenit tërheqëse”, shprehet ajo për BBC.

Megjithatë, komentet e shumta në YouTube pas publikimit të trailerit kanë qenë kryesisht pozitive. Disa fansa kanë shprehur entuziazmin për rikthimin e aktorit, duke deklaruar se mezi presin ta shohin filmin që në ditën e parë të shfaqjes.

Nga ana tjetër, një artikull i Emily Lawford në “New Statesman”, pas publikimit të trailerit, mbante titullin: “Johnny Depp është rikthyer, kështu që lëvizja Me Too ka vdekur vërtet”.

Ryan mendon se situata është më komplekse. Sipas saj, Hollywoodi kalon vazhdimisht nëpër cikle ndryshimesh, ku përpjekjet për reformim të industrisë dhe përgjegjësinë e figurave të fuqishme zëvendësohen herë pas here nga reagime kundërshtuese ndaj këtyre ndryshimeve.

Hollywoodi i jep një shans të dytë atyre që sjellin fitime

Mbështetësit e Depp besojnë se aktori është trajtuar padrejtësisht dhe se akuzat e Heard dëmtuan karrierën e tij. Në një intervistë të vitit 2025, ai e kishte përshkruar veten si një lloj “objekti prove” për lëvizjen #MeToo.

Eksperti i marrëdhënieve me publikun Mark Borkowski, autor i librit “The Fame Formula”, vëren se Depp ka arritur të ruajë një bazë të fortë fansash, edhe gjatë periudhës më të vështirë të karrierës së tij.

Sipas tij, imazhi i aktorit si një figurë rebele e muzikës rock dhe e kinemasë, me një personalitet të veçantë, ka ndikuar që disa prej polemikave të mos e largojnë plotësisht publikun prej tij.

“Gjithçka varet nga mënyra se si publiku ndihet ndaj teje dhe nga emocionet që i përcjell. Në njëfarë mënyre, është një lloj alkimie”, shprehet Borkowski.

Në fakt, Depp nuk u izolua plotësisht nga industria e filmit. Në vitin 2023, ai u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë, ku prezantoi filmin francez “Jeanne du Barry”. Po atë vit, realizoi edhe filmin “Modi, Three Days on the Wings of Madness”, si regjisor, ndërsa vazhdoi të ishte imazhi i parfumit Sauvage të brendit “Dior”.

Historia e karrierës së Amber Heard ka qenë krejt ndryshe. Pasi kishte një rol të rëndësishëm në filmin “Aquaman” të vitit 2018, ajo u shfaq me një rol shumë më të vogël në vazhdimin e vitit 2023, “Aquaman and the Lost Kingdom”. Që atëherë, aktorja nuk ka marrë pjesë në ndonjë film tjetër.

A e ka ruajtur Depp fuqinë për të tërhequr publikun?

Për Borkowskin, rikthimi i Depp në Hollywood ishte gjithmonë një mundësi reale.

“Hollywoodi di të të japë një shans të dytë, nëse sheh se mund të fitojë para. Kjo është pjesa vendimtare. Gjithçka lidhet me paratë”, ka thënë ai.

Gjatë gjyqeve, fansat e Depp e mbështetën fuqishëm në rrjetet sociale dhe jashtë sallave të gjyqit, duke treguar se aktori vazhdonte të kishte një bazë të konsiderueshme admiruesish.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në suksesin e filmit është transformimi fizik i aktorit. Për shkak të makijazhit dhe protezave që përdoren për ta shndërruar në Scrooge, Depp është pothuajse i panjohshëm.

Karen McNally, profesoreshë e historisë së filmit, televizionit dhe kulturës amerikane në London Metropolitan University, mendon se kjo mund ta ndihmojë publikun ta shohë aktorin përmes personazhit që interpreton, duke lënë në plan të dytë polemikat që e kanë shoqëruar.

“Gjithmonë ekziston dilema kur shikon filma me aktorë për të cilët ke lexuar gjëra të pakëndshme: A dua t’i shoh ende? A duhet t’i shoh? Por është më e lehtë kur përfytyron personazhin dhe jo vetë aktorin me gjithë historinë që mbart”, shpjegon ajo.

Sipas McNallyt, “Ebenezer” i ka të gjithë përbërësit për t’i shërbyer si një mjet i suksesshëm rikthimi Deppit.

Është një histori klasike, një film festiv familjar dhe një rrëfim që përfundon me ndjenja pozitive. Nëse publiku largohet nga kinemaja me emocionet e një historie shpengimi, kjo mund të ndikojë edhe në perceptimin e tij për aktorin.

“Besoj se ky film do t’i shërbejë shumë mirë dhe do të arrijë atë që ai dëshiron prej tij”, përfundon McNally.

Parashikimet janë në favor të filmit

Shenjat e para për suksesin e “Ebenezer” duken premtuese. Në muajin gusht, gazetari Matthew Belloni raportoi në “Puck News” për një shfaqje testuese të filmit të organizuar nga Paramount, ku Depp kishte marrë 86 pikë nga 100.

Ky konsiderohet një rezultat shumë i lartë, veçanërisht kur vlerësimi mesatar për një aktor kryesor në këto testime është rreth 67 pikë.

Edhe parashikimet e platformës “Box Office Theory” janë optimiste. Sipas saj, filmi pritet të arkëtojë rreth 22 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në kinematë amerikane dhe të kalojë shifrën e 100 milionë dollarëve në total.

Me një buxhet të raportuar prej 38 milionë dollarësh, një rezultat i tillë do të përbënte një sukses të konsiderueshëm për produksionin.

Përfaqësuesi i Depp i  ka thënë BBC-së se publiku dhe industria e filmit janë jashtëzakonisht të entuziazmuar për këtë rikthim.

Nëse “Ebenezer” rezulton një sukses, mundësitë për projekte të tjera të mëdha në Hollywood mund të shtohen. Në gusht, producenti Jerry Bruckheimer deklaroi për “Deadline” se seria “Pirates of the Caribbean” po përgatitet të rikthehet, me mundësinë që Depp të jetë sërish në rolin kryesor.

Ndërkohë, aktori do të shfaqet edhe në filmin “Day Drinker”, ku luan përkrah Penélope Cruz, me regji nga Marc Webb. Filmi pritet të dalë në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Edhe traileri i këtij produksioni duket se luan me idenë e rikthimit të Depp, jo vetëm me personazhin që interpreton.

“Menduat se kisha mbaruar? Unë mbaroj kur të them vetë se kam mbaruar”, thotë ai në njërën nga skenat e trailerit, me një theks që tingëllon sikur është irlandez.