Këngëtari i grupit "Imagine Dragons", Dan Reynolds, dhe aktorja Sofia Vergara janë fotografuar së bashku gjatë një darke në Beverly Hills, Los Angeles, më 24 tetor, duke nxitur spekulime për një lidhje të mundshme mes tyre, ka shkruar Noticias electrónicas.

Reynolds, 39 vjeç, dhe aktorja e serialit “Modern Family”, 54 vjeçe, darkuan në restorantin italian “Cipriani”, në shoqërinë e miqve. Sipas fotografive të publikuara nga mediat, të dy dukeshin në humor të mirë, ndërsa në një moment u panë duke u kapur për dore mbi tavolinë.

Dalja e tyre së bashku vjen vetëm pak javë pasi u bë e ditur ndarja e Reynolds nga aktorja Minka Kelly, me të cilën ishte në lidhje për afro katër vjetësh. Asnjëri prej tyre nuk ka komentuar publikisht ndarjen.
Megjithatë, këngëtari duket se po vazhdon jetën e tij sentimentale. Më 18 tetor, ai u shfaq në një koncert të Miley Cyrus në Hollywood Bowl, në shoqërinë e influenceres Chantel Jeffries.
Edhe jeta private e Vergaras ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes, pas deklaratave të ish-bashkëshortit të saj, aktorit Joe Manganiello, për martesën e tyre shtatëvjeçare.
Në librin e tij të ardhshëm autobiografik, “Bloodlines”, Manganiello ka treguar se beteja shtatëvjeçare me një sëmundje autoimune, e cila për pak i kushtoi me jetë, ndikoi rëndë në marrëdhënien e tyre. Sipas tij, gjatë asaj periudhe martesa ishte bërë “plotësisht e zbrazët nga ana emocionale”.
Pas publikimit të këtyre deklaratave, Vergara shpërndau në Instagram një postim që krahasonte një “burrë të mirë” me një “burrë narcisist”, pa sqaruar nëse mesazhi lidhej drejtpërdrejt me ish-bashkëshortin.
Ndërkohë, aktorja kishte deklaruar më herët se një nga kushtet e saj për një lidhje të ardhshme është që partneri të mos dëshirojë të ketë fëmijë të tjerë.
Ndërkohë, as Reynolds dhe as Vergara nuk kanë konfirmuar nëse darka e tyre ishte një takim romantik.