Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Opinión

La canción "Oj Kosovo, Kosovo" es una reivindicación territorial del Estado soberano de Kosovo.

Nëse e ardhmja evropiane e Serbisë dhe e Ballkanit do të ndërtohet nën tingujt e melodive të nacionalizmit të madh serb, që shoqëruan ngritjen e përgjakshme të Millosheviqit, kam frikë se do të përballemi me një përsëritje tjetër të historisë. Dhe këtë nuk duhet ta lejojmë kurrë

Ndërsa Evropa në Bruksel po festonte zgjerimin dhe pajtimin, si rrufe në qiell të hapur jehoi melodia e nacionalizmit të Millosheviqit, "Oj Kosovo, Kosovo", pikërisht në momentin kur kishim filluar të shpresonim se Serbia, pas Vuçiqit, do të shkëputej nga ideologjia që gjatë viteve '90 u solli fatkeqësi miliona njerëzve. 

Imagjinoni që në hapjen solemne të një forumi evropian, kushtuar paqes, zgjerimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, dikush të vendosë të interpretojë një melodi që për dekada ka shërbyer si shoqërim muzikor i pretendimeve territoriale të një shteti ndaj një vendi fqinj. 

Imagjinoni gjithashtu që një skandal i tillë të ndodhë në zemër të Bashkimit Evropian, nën patronatin e Komisionit Evropian, përpara njerëzve që do të duhej të përfaqësonin të ardhmen politike të Ballkanit. 
Në vend të kësaj, në Brukselin e vitit 2026 na priti një mirëseardhje përmes një udhëtimi muzikor në kohë, që na ktheu drejtpërdrejt në Gazimestan të vitit 1989.  

Gjatë koncertit, i cili mbante titullin "Melodia e Unitetit", u prezantua muzikë nga vendet e rajonit. Megjithatë, për Kosovën ishte përzgjedhur kënga "Oj Kosovo, Kosovo", e njohur edhe për vargjet e saj të para, "Sa Kosova zora sviće" (Nga Kosova agon drita). 

Kënga, e cila u interpretua në mënyrë instrumentale, pa tekst, nga një grup muzikor slloven, shkaktoi një valë pakënaqësish dhe reagimesh plotësisht të arsyeshme nga pala kosovare. 

Edhe komisionerja evropiane Marta Kos, të hënën në mëngjes shprehu keqardhje për këngën dhe ua hodhi fajin muzikantëve, porse keqardhja e saj, nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik në Kosovë u interpretua si ironi e pastër. 

Përse kjo këngë nuk kishte absolutisht vend në këtë ngjarje? 

Sepse kjo këngë ka autorin e saj, vitin e krijimit dhe kontekstin politik. 

Ajo u shkrua nga Ljubomir Manasijeviq në vitin 1989, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, kur përbindëshi Sllobodan Millosheviq, në Gazimestan, mobilizoi nacionalizmin serb, i cili shumë shpejt u bë një nga nxitësit kryesorë të katastrofës jugosllave. 

Ky incident është veçanërisht i rëndë edhe për shkak të momentit politik në të cilin ndodhi, kur nga pushteti i ri serb pritet shkëputje nga fantazitë territoriale, mitet e luftës dhe kultura politike e viteve '90. 

Edhe pse nuk ka prova se pushteti i ri serb, Lista Studentore apo delegacioni zyrtar i Serbisë e kanë urdhëruar interpretimin e kësaj kënge, do të ishte normale që ata të distancoheshin prej saj. 
Prandaj, duhet të shtrohet pyetja për qëndrimin e tyre politik ndaj këtij veprimi. 

Dhe ta kemi një gjë të qartë: ajo që ndodhi në Bruksel është absolutisht e papranueshme, veçanërisht duke pasur parasysh gjakun e derdhur dhe vuajtjet që ka përjetuar populli i Kosovës. 

Askush nuk ka të drejtë t'i shpërfillë këto vuajtje. 

Sepse kjo bie ndesh me vetë parimet dhe vlerat demokratike që Evropa pretendon se i përfaqëson. 
Dhe askush nuk guxon ta anashkalojë faktin se në Kosovë janë kryer krime të tmerrshme.  

Një milion refugjatë, 11 mijë të vrarë dhe 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë shifrat që përmenden nga burimet kosovare. 

Pikërisht për këtë arsye, punonjësit e BE-së i detyrohen Kosovës me një kërkimfalje publike, e jo vetëm shprehje keqardhjeje. 

Sepse, nëse e ardhmja evropiane e Serbisë dhe e Ballkanit do të ndërtohet nën tingujt e melodive të nacionalizmit të madh serb, që shoqëruan ngritjen e përgjakshme të Millosheviqit, kam frikë se do të përballemi me një përsëritje tjetër të historisë. 

Dhe këtë nuk duhet ta lejojmë kurrë.