Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

Hysri Selimi se declara inocente y solicita su liberación. La fiscalía insiste en una pena más severa.

Hysri Selimi

Në Gjykatën e Apelit janë prezantuar ankesat e palëve ndaj aktgjykimit të Themelores për të akuzuarin Hysri Selimi, i cili është dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë. Prokuroria kërkoi ashpërsim të dënimit, ndërkaq i pandehuri Selimi u deklarua i pafajshëm

Është deklaruar i pafajshëm edhe në seancën e Apelit, Hysri Selimi i dënuar në shkallë të parë me 6 vjet burgim, për spiunazh në favor të Serbisë.

Selimi akuzohet se si i rekrutuar nga shërbimi i inteligjencës i Serbisë, BIA, në vazhdimësi ka ndihmuar punën e tij në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.

Por, në seancën e shkallës së dytë, Selimi para trupit gjykues tha se çdo gjë e ka bërë në koordinim me AKI-në.

“Jam plotësisht i pafajshëm dhe kërkoj vendim të drejtë, të zbardhet e vërteta. Asgjë s’kërkoj, vetëm të zbardhet e vërteta. Unë dëshmoj edhe e kam dëshmu, e kam thënë gjithmonë të vërtetën se kam punu për shtetin tim, për institucionin tim – për AKI-në, me vullnet e dëshirë. Pa interes”, tha ai.

Lirim për të akuzuarin Selimi kërkoi edhe avokati i tij, Ali Beka.

“Ne si mbrojtje kërkojmë që i pandehuri Selimi të lirohet nga akuza ose aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim. I mbrojturi im nuk i mohon ato veprime që janë përshkruar në aktgjykim dhe në aktakuzë, megjithatë ky pretendon se veprimet prej vitit 2023 i ka ndërmarrë me AKI-në”, theksoi Beka.

Ankesë për dënimin e Selimit ka parashtruar edhe Prokuroria Speciale, duke kërkuar ashpërsim të dënimit.

Këtë e kërkoi edhe Prokuroria e Apelit.

“E mbështesim ankesën e Prokurorisë Speciale dhe kërkojmë që të akuzuarit Hysri Selimi t’i shqiptohet dënim në kohëzgjatje më të lartë, me arsyetimin se Gjykata e shkallës së parë, dënimin e shqiptuar nuk është në proporcion me veprën penale, rrezikshmërinë e veprës penale”, deklaroi prokurorja e Apelit, Sebahate Hoxha - Pepaj.

Sipas organit të akuzës, i pandehuri Selimi ka takuar drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s, Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër në territorin e Serbisë, si në Vranjë, Nish e Bujanoc, të cilët i ka informuar në bazë të detyrave që ia caktonin paraprakisht e që kishin të bënin me informacionet lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se si shpërblim për informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e këtij shërbimi të Serbisë.