Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

La familia de Astrit Dehari acusa a la Fiscalía de intentar manipular el caso.

Alcohol

Foto de : Driton Pacharada

Dhjetë vjet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, rrethanat e këtij rasti nuk janë sqaruar. Familjarë të tij thanë se bëhet fjalë për vrasje dhe akuzuan Prokurorinë për tentim të manipulimit të rastit. Po ashtu edhe kryeministri Albin Kurti dhe avokati i familjes Dehari thanë se Astriti është vrarë

Një dekadë pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, familja e tij insiston se ai u vra në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe vazhdon të kërkojë drejtësi për zbardhjen e rrethanave. 

Në një konferencë për media të enjten, të mbajtur para Prokurorisë Speciale, Avni Dehari, babai i Astritit, ka akuzuar organin e akuzës se ka tentuar ta zvarrisë rastin.

“Ka pasur manipulime rreth vdekjes së Astritit. Kryeprokurori Sylë Hoxha bënte përpjekje me urdhër të pushtetit të atëhershëm që këtë vdekje ta paraqiste si vetëvrasje. Raporti i mjekëve ligjorë të pavarur kishte sjellë fakte se nuk behej fjalë për vetëvrasje, por për vrasje. Edhe shumë dëshmi të tjera sjellin fakte, këtë e ka vërtetuar edhe raporti i mjekësisë ligjore. Katër prokurorë që nga fillimi e kanë zvarritur këtë rast deri sa kanë dalë në pension”, ka thënë Dehari, i cili është edhe deputet i Vetëvendosjes. “Shpresojmë që do të kemi rezultate. Ia lëmë kohës”.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, po ashtu i kritikoi prokurorët.

“U bënë 10 vjet, maltretim për krejt familjen, mirëpo Prokuroria nuk ka marrë vendim asnjëherë. Që 10 vjet në pritje, e kemi pak vështirë si familje, nuk është e lehtë me e tejkalu, nuk jemi t’u prit kumeditë sa prej Prokurorisë, se nuk po marrin kurrfarë vendimi. Secili prokuror që po vjen po ia nis prej fillimi dhe po presin të pensionohen”, ka thënë Dehari. “Po shpresoj që ky prokuror që e ka marrë tash rastin është i ri, ndoshta po e kryen pa u pensionuar. Ta dimë edhe na se jemi moshu”.

E avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi u shpreh i bindur se Astrit Dehari u vra.

“Epilogu i vetëm përfundimtar është që Astrit Dehari është vrarë fiks para 10 vjetëve dhe ne e dimë që prokurorë të caktuar kanë tentuar që ta mbyllin rastin si vetëvrasje”, ka thënë Gashi.

Në këtë përvjetor, familjarë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë bënë homazhe e vunë kurora lulesh pranë varrit të tij.

Prej aty, kryeministri Albin Kurti po ashtu tha se bëhet fjalë për vrasje.

“10 vjet pa Astritin janë shumë, janë shumë për familjen, për Vetëvendosjen, për të gjithë ne që e njohëm, por janë edhe shumë për Kosovën dhe shqiptarët, sepse mungon e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia. 10 vjet më vonë nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit”, ka thënë kryeministri Kurti. “Pesë prokurorë janë ndërruar për rastin e tij dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet që të japin konstatime para hetimeve. Kjo e rëndoi shumë situatën dhe kjo situatë vazhdoi sot e asaj dite, pasi askush nuk është akuzuar, askush s’është arrestuar, akuzuar e dënuar për mbytjen e Astritit që e la familjen, Vetëvendosjen dhe Kosovën pa këtë djalë të jashtëzakonshëm”.
Për këtë rast, është folur edhe në seancën e rregullt të Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së Deharit, kërkohet nga shteti drejtësi për rastin e tij. 

Por, ai gjithashtu ka thënë se kërkohet përgjegjësi e drejtpërdrejtë nga shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje. 

Ai ka thënë se për 6 vjet në pushtet, Vetëvendosja nuk ka arritur ta sjellë një evidencë të thjeshtë për atë se çfarë ka ndodhur me rastin e aktivistit Dehari. 

“Lëreni këtë punë, mos e politizoni, kërkoni përgjegjësi edhe ndaj personave që janë në pushtet tash e gjashtë vjet dhe nuk kanë bërë asgjë për këtë temë. Pra, ne kërkojmë drejtësi si ju, por kërkojmë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie”, është shprehur Tahiri në deklarimet jashtë rendit të ditës ne seancën e Kuvendit. 

Astrit Dehari u gjet i vdekur në vitin 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshime për terrorizëm, pas sulmit me granatahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Teksa autoritetet fillimisht e cilësuan rastin si vetëvrasje, Lëvizja Vetëvendosje, familja e tij dhe mbrojtja kanë këmbëngulur se bëhet fjalë për vrasje.

Rasti ende nuk ka marrë epilog.