Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

Noviembre trae de vuelta a Mitrovica los días de jazz que fueron cancelados en septiembre.

Mitrovica jaz

Mesi i shtatorit e shtyu për “arsye jashtë kontrollit”, e tash “Mitrovica International Jazz Days” duket se e ka situatën nën kontroll. Është akorduar për edicionin e katërt, programi është “riorkestruar”. I qartë e i prerë ka qenë njoftimi të premten, shoqëruar me posterin shumëngjyrësh me tis retro. Datat e reja tashmë janë caktuar: 24, 25 dhe 26 nëntor. 

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në edicionin e katërt të ‘Mitrovica International Jazz Days’, një festival që këtë vit i kushtohet krijimtarisë, talentit dhe kontributit të grave në jazz – një zhanër muzikor që tradicionalisht është dominuar nga burrat”, shkruhet në njoftim. Sipas organizatorëve, “Festivali sjell për publikun tre koncerte ndërkombëtare jazzi, me protagoniste muzikante të shquara nga skena evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe koncertin tradicional ‘MIJD Big Band & Friends’, i cili kremton trashëgiminë e pasur muzikore të Mitrovicës”. 

Në javën e parë të shtatorit, “Mitrovica International Jazz Days” do të shtyhej vetëm pak ditë para se të niste në Parkun e Qytetit. Organizatorët kishin paraparë që të mbahej më 16, 17 dhe 18 shtator. Në njoftimin e saj, drejtoresha e festivalit, Rona Nishliu, kishte thënë se vendimi ishte marrë për “arsye jashtë kontrollit” të organizatorëve, fillimisht pa dhënë detaje të tjera rreth rrethanave që kanë çuar në shtyrje. “16 shtatori ishte një datë që e prisnim me padurim prej më shumë se gjashtë muajsh. Ajo duhej të shënonte hapjen madhështore të festivalit tonë të dashur dhe të ishte një ditë për të festuar muzikën xhaz, si dhe atë që na bashkon si komunitet ballkanik i xhazit. Fatkeqësisht, për arsye jashtë kontrollit tonë, u detyruam të merrnim vendimin tejet të dhimbshëm për ta shtyrë edicionin e këtij viti, të planifikuar për datat 16-18 shtator 2026”, kishte shkruar ajo në rrjete sociale. 

Por arsyeja kishin qenë zhvillimet në Hagë. “Lidhen me rrethanat e veçanta që shoqërojnë datën 16 shtator dhe me nevojën për të pasur një planifikim sa më të saktë dhe të përgjegjshëm të të gjithë komponentëve logjistikë dhe organizativë. Datat e festivalit janë përcaktuar shumë muaj më parë, në një kohë kur data 16 shtator nuk ishte paraparë si datë për zhvillime të rëndësishme institucionale”, kishte thënë ajo për KOHËN. 

Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.  Katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan me 81 vjet burgim. 

Ajo që e karakterizon programin e “Mitrovica International Jazz Days” me program e data të reja janë personazhet kryesore. Të tre triot udhëhiqen nga jazz-instrumentiste, e që në këtë formë i shkon për shtat edhe synimit për edicionin e sivjetmë si një kontrapunkt në “një zhanër muzikor që tradicionalisht është dominuar nga burrat”. 

Do të hapet me “Eleonora Strino Trio” nga Italia. Strino cilësohet si një nga kitaristet dhe kompozitoret më interesante të skenës bashkëkohore italiane të jazzit. E lindur në Napoli, ajo ka krijuar identitet të veçantë artistik, duke ndërthurur traditën e jazzit klasik me një gjuhë moderne, plot ndjeshmëri, elegancë dhe kreativitet. Sipas përshkrimit, “me virtuozitetin në kitarë dhe aftësinë për të krijuar improvizime të pasura e spontane, Strino sjell një muzikë që ndërthur melodinë, ritmin dhe emocionin. Ajo shoqërohet nga Giulio Corini në kontrabas dhe Zeno De Rossi në bateri, dy muzikantë që kontribuojnë në një dialog dinamik dhe plot nuanca”, është përshkrimi i trios. 

Më 25 nëntor skena do t’i lihet trios së Anaïs Foux nga Luksemburgu, pianiste dhe kompozitore e cila përfaqëson një brez të ri artistësh që po sjellin perspektiva të freskëta në skenën evropiane të jazzit. Triptikun me trio do ta përmbyllë ai i Olivia Trummerit, pianiste, këngëtare dhe kompozitore gjermane, e vlerësuar si një nga artistet më interesante të gjeneratës së saj në skenën ndërkombëtare të jazzit. “Me një formim të pasur në muzikën klasike dhe jazz, si dhe me përvojën e fituar në qytete si Shtutgarti, Berlini dhe New Yorku, ajo ka zhvilluar një stil unik, në të cilin ndërthuren jazzi, muzika pop, gospel dhe R&B”, shkruhet në përshkrimin e trios i cili në Mitrovicë do të performojë po më 25 nëntor. Përmbyllja më 26 nëntor do të bëhet me Bing Bendin e vetë festivalit tok me shokë, si një festë për trashëgiminë e pasur muzikore qytetit nikoqir. 

 “Olivia Trummer Trio”  dhe  “Eleonora Strino Trio” ishin paraparë edhe në “Mitrovica International Jazz Days” për shtator. E hapja qe paralajmëruar me një koncert unik. Ishte planifikuar të performonte për herë të parë në Kosovë grupi amerikan i jazz-fusionit “Snarky Puppy”, i udhëhequr nga basisti Michael League dhe fitues i pesë çmimeve “Grammy”. Koncerti në Mitrovicë ishte pjesë e turneut botëror dhe ishte një prej pikave kryesore të programit të festivalit. Pas Mitrovicës, grupi ishte planifikuar të vazhdonte turneun në Stamboll e më pas në Athinë. Kur ishte paralajmëruar ardhja e “Snarky Puppy” në Kosovë, Nishliu kishte thënë se përfshirja e Mitrovicës në turneun evropian të bendit përbënte një moment të rëndësishëm për festivalin dhe skenën kulturore të vendit. Tash kjo është tjetër histori. Nëntori ia rikthen Mitrovicës ditët e jazzit që u anuluan në shtator, me një format të ri, por me një emërues të përbashkët – muzikën si festë.