Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

IlirOs: la mente que transformó la escena musical en Kosovo.

Ilir Osmani

Ilir Osmani – IlirOs (9 korrik 1971 – 25 nëntor 2026)

Ilir Osmani – IlirOs, producenti e artisti që i dha formë jo vetëm skenës muzikore, por një subkulture, ka vdekur të mërkurën në moshën 55-vjeçare. Për Ilir Osmanin s’ka biografi të shkruar. Në disa projekte nënshkruhej “Mastermind IlirOs”, e për ata që punuan me të, ai ishte vërtet i tillë: mendje gjeniale që ecte para kohë në skenën muzikore. “Ai ka qenë para nesh”, ka thënë miku i tij, jazz-kitaristi Driton Bejta. Për kantautorin Genc Salihu ai ishte një nga arsyet kryesore pse muzika e Prishtinës konsiderohet më e avancuar në raport me rajonin

Nëpër video-spote muzikore, rëndom shfaqej si në sfond, në intervista të rralla s’e merrte fjalën i pari, nuk ngarendte as për vëmendje, por në studion e tij muzikore, ishte ai që printe. Në disa projekte nënshkruhej me pseudonimin “Mastermind IlirOs”, e për ata që punuan me të, ai ishte vërtet i tillë: Një mendje gjeniale e muzikës. 

Pas luftës, qe njeri prej reformuesve të skenës muzikore moderne, zbulues e përkrahës i talenteve të reja. Mbi të gjitha kishte një nuhatje të hollë për trendët, ishte pararendës. Sepse, siç thotë një mik e bashkëpunëtor i tij, “skena e Kosovës do të ishte disa vjet mbrapa pa energjinë e kreativitetin e tij”. 
Ilir Osmani – IlirOs, producenti e artisti që i dha formë jo vetëm skenës muzikore, por një subkulture apo një kulture të tërë urbane të Kosovës, ka vdekur të mërkurën. Lajmin e kanë dhënë disa prej kolegëve të tij nëpër rrjete sociale. S’i ka mbijetuar një ataku kardiak. Ai ishte 55-vjeç. 

Për Ilir Osmanin, s’ka biografi të shkruar. Për gjenerata të reja, mund të jetë një emër i panjohur. Por kur përmenden hitet që janë vulosur prej tij, ose grupet të cilëve u ka dhënë formë, emri i tij është i pashlyeshëm. Njësoj sikurse edhe kujtimet për të. 

“E kam pasur shok të ngushtë. Ka studiuar bas-kitarë do të thotë për muzikë jazz në Zürich. Ai ka qenë student i muzikës këtu dhe në vitet ’90 ka dalë nga Kosova”, ka thënë jazz-kitaristi Driton Bejta në një deklaratë për KOHËN fill pas lajmit për vdekjen e tij. 

Pas luftës, Ilir Osmani do të merrej më shumë me hip-hop dhe si producent. “E ka avancuar hip-hopin, duke e bërë atë me më shumë filozofi e psikologji. Ka njohur shumë dimensione, pasi ka qenë shumë i lexueshëm. Ka sjellë trende të reja. Qasja e tij e avancuar është shfaqur në tekstet e hip-hopit. Ka bërë edhe hite të muzikës popullore. Ka punuar edhe muzikë për film, për komeditë e Stupcave, muzikë për teatër, pastaj për kino-dokumentarë. Si basist, ka bërë edhe muzikë jazz”, ka thënë Bejta. 
IlirOsin e ka përshkruar si njëri që lexonte shumë e përparimtar. 

“Ka folur për filozofi, shkencë, gjeopolitikë e gjithçka. E kam pasur në klasë dhe ai i ka sfiduar edhe profesorët”, ka thënë miku i tij. 

Kantautori Genc Salihu ka zbërthyer kompleksitetin e qasjes muzikore të IlirOsit. Ka kujtuar kur do ta takonte për të parën herë në studion e tij. “Iliri e kishte nji përgatitje kulmore profesionale. Ishte, pikë së pari, bas- kitarist virtuoz i shkolluem në perëndim, në traditën e jazz-muzikes. Me të vërtetë basist i jashtëzakonshëm, teknikisht e artistikisht. Ishte në gjendje ta shpaloste nji solo që të ban me t’u marrë mendtë nga kompleksiteti, por gjithmonë shume muzikal edhe në momentet më akrobatike. Në anën tjetër, ka ditë edhe me ta mbushe barkun bas me dy-tri nota të thjeshta e të qëllueme, plot groove, shije e kompetencë konceptuale”, ka thënë Salihu, në një deklaratë me shkrim për KOHËN, të mërkurën mbrëma. 

Sipas tij më e rëndësishmja, Iliri Osmani kishte një shije dhe nuhatje shumë të sofistikuar muzikore. 

“Interesimet e tij në stile, zhanre dhe tradita, ishin të shumta dhe të thella. Por, me gjithë këtë, për Ilirin, nuk ishte e randësishme përkatësia estetike – ai me muzike kërkonte të çante përpara, me trasu shtigje të reja, intriguese, kuptimplota, pa dogmatizëm zhanresh e qasjesh. Ishte producent i jashtëzakonshëm muzikor që e nxori ma të mirën prej disa nga artistët kryesorë të skenës se muzikës së mirë në Kosovë”, ka thënë Salihu. “Por-Nó”, “NR”, “Retrovizorja” kanë qenë disa prej formacioneve që i ka përmendur Salihu për ta ilustruar atë që nxori IlirOsi, “proaktiv, energjik, tonelata talent, profesionalizëm i nivelit ma të naltë, inovativ, i pakompromis, me shije të hollë dhe marrëdhënie të thellë me artin e muzikës moderne”.  

“Ky ishte Ilirosi - nji nga arsyet kryesore pse muzika e Prishtinës konsiderohet cool dhe e avansume në raport me rajonin. Nëse themi se, mbas luftës, Kosova e pati nji boom të befasishëm me muzikë të jashtëzakonshme në fushën e muzikës alternative dhe të hip-hop-it cilësor, dora e Ilirit pati nji nga ndikimet ma të randësishme në atë dukuni. Ai e ngriti standardin jo vetëm teknik dhe profesional, por edhe artistik e kreativ”, ka thënë ai. 

Genc Selihu u është rikthyer kujtimeve, vizitës së parë në studion e IlirOsit. Edhe aty zbërthehej matrica e krijimtarisë së tij. Filozofia e tij për muzikën. 

“Më bani përshtypje se punonte në kambë, në nji tavolinë të gjate. ‘Nëse ulna n’karrige, s’muj me e feel-itë muzikën me trup, njeri. S’ka bounce! Muzika ndihet edhe me bark, me gjoks, me gjunjë, jo veç me vesh e me tru!”, me pat thanë”, ka cituar Salihu, “Mastermidein IlirOs”. Që ta ndjenin muzikës, ai ua hapte shtigjet edhe të tjerëve. 

“Ulqinaku me ide të çmenduna e me afro”, ka titulluar një shkrim përkujtimor për Ilir Osmanin, kantautori e producenti Dritëro Nikqi. 

“Në ato vitet e para të masluftës, studio e Ilirit, si pjesë e INIT, ka qenë çerdhe e krijimit dhe lansimit të skenës së re të asaj kohe në Kosovë. Me ‘Por-nó’ e kemi incizu EP-në e parë aty në vitin 2002, e nji vit ma vonë albumin e parë të ‘Retrovizores’, ‘Polaroid’. Diku në atë kohe ishin edhe ‘NR’ në incizim të ‘Egjelit’... Studioja e Ilirit vlonte tanë kohën”, ka shkruar Nikqi, themelues i njërit prej grupeve më unike të rockut alternativ pas luftës, tok me Rron Qenën.

Sipas tij, Ilir Osmani do t’ua bënte më të lehtë punën, kur ata ia mësynin studios së tij edhe me “gjysmë-këngë”, kur ishin “në kërkim të gjatë të tingujve të duhur” a “kur i editonin në mënyrë të pamundur ‘semplet’”. 

“Gjithmonë kërkues e gjithmonë në shërbim të muzikës, sado të çuditshme a gati të parealizueshme konceptet, ai ka qenë aty me plot vullnet e kureshtje. Ai ka qenë i rrallë te ne me qasjen e tij, pa komplekse provinciale e pa boomerizma, gjithmonë t’u e shpjegu procesin e incizimit e t’u e nda diturinë e tij prej nji audio-mjeshtri, pa u kursy. Më ka ndihmu me e gjetë lirinë në incizimin digjital, me inkurajimin që albume të mira munden me u realizu edhe në dhomë të fjetjes, e ma vonë më ka këshillu e përkrahë tanë kohën gjatë ndërtimit të ‘Studio C’”, ka shkruar Nikqi. Sipas tij, viteve të fundit, Ilir Osmani, do ta gjente lirinë e tij në studion e improvizuar ku merrej kryesisht me incizimet e tij. 
“Ditë e shkërdhyeme me e pranu këtë lajm të lig sot”, ka shkruar ai. “Skena jonë kishte me qenë disa vjet mbrapa pa energjinë e kreativitetin tand”, e ka përmbyllur ai kujtimin për njeriun që jo vetëm nënshkruhej, por ishte i tillë: “Mastermind IlirOs”. 

Sepse përherë ai bënte hapa para. 

“Ai ka qenë para nesh”, ka thënë miku i tij Driton Bejta për atë që kantautori Genc Salihu e veçon si një nga arsyet kryesore pse muzika e Prishtinës eci para në raport me rajonin. E, për këtë nuk janë të paktë ata që mendojnë sikurse Salihu. Se Ilir Osmani, “ka me qenë i kujtuem e i festuem si nji nga të mëdhenjtë”.