UEFA i ka kërkuar falje Fenerbahçes për shkak se para se të niste ndeshja ndaj Shakhtarit Donetskut në Ligën e Kampionëve, ka bërë një gabim organizativ.
Megjithatë, ai gabim është përmirësuar nga Vedat Muriqi, sulmuesi dhe kapiteni i Kosovës.
Gjatë rreshtimit të lojtarëve në momentin e intonimit të himnit të Ligës së Kampionëve, Mason Greenwoodi nuk e pati asnjë fëmijë para.
Por, për fëmijën që mbeti në korridor shkaku i tollovisë së madhe, është përkujdesur Muriqi.
Për këtë gjest, UEFA e ka falënderuar sulmuesin shtatlartë të Kosovës, i cili edhe e realizoi golin e fitores 1:0 ndaj Shakhtarit.
Kështu kanë raportuar mediumet e njohura turke të shtunën.
“UEFA ka njoftuar se problemi ishte i natyrës organizative, duke shpjeguar se për shkak të tollovisë në korridor, njëri prej fëmijëve nuk ka arritur t’i përcjellë lojtarët. Letra i është dërguar klubit nga UEFA, ku ka kërkuar falje”, ka shkruar “Sondakika”.
Ky medium më pas ka shkruar se UEFA e ka falënderuar në letër Muriqin, i cili e ka marrë fëmijën me vete dhe e ka mbajtur para, pasi Greenwoodi kishte hyrë më herët në fushë.
Ndeshja e zhvilluar në mesjavë i takoi xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve në “Stamford Bridge”.
Muriqi e shënoi golin e fitores në minutën e 56-të. Fenerbahçe tani i ka tetë pikë. Muriqi e kishte shënuar edhe golin e fitores 3:2 ndaj Liverpoolit.