Apoya a TIME. Preserva la verdad.
fútbol americano

Gjilan "ataca" a Drita, el campeón lidera

Luz OCS

Në këtë periudhë të kampionatit vitin e kaluar Drita paraqitej në skenën evropiane, përkatësisht në Ligën e Konferencës. Në stadiumin “Fadil Vokrri” luante ndaj Shkëndijës së Tetovës, një ditë para festës më të madhe të shqiptarëve, 28 Nëntorit. Këtë vit, Drita nuk paraqitet në Evropë dhe ka mbetur tetë pikë prapa Prishtinës lidere.

Gjilani dhe Drita luajnë në derbin e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll të dielën nga ora 16:00 dhe kanë synime të kundërta.

Gjilani kërkon t’i afrohet pozitave të para, ndërsa Drita e “sulmon” kreun e tabelës.

Drita është e treta me 27 pikë. Gjilani, që në fillim ishte kandidat i fortë për titull, ka mbetur prapa në vendin e pestë me 22 pikë, sa i ka edhe Ballkani në vendin e katërt.

Trajnerët e të dyja skuadrave më parë kishin udhëhequr ekipet të cilat do t’i kenë përballë. Zekirija Ramadani, që fitoi tituj dhe shkroi historinë me paraqitje në Evropë, u shkarkua nga Drita në fillim të gushtit të këtij viti. Në tetor u zyrtarizua trajner i Gjilanit. Ai u zëvendësua me Ardian Nuhiun, që vitin e kaluar ishte shkarkuar nga Gjilani. Edhe Nuhiu kishte pasur suksese me Dritën. E ka të fituar një titull.

“Është një rivalitet shumë i madh mes dy skuadrave të një qyteti. Dhe gjithmonë në derbi, pavarësisht objektivave që i kanë pasur brenda klubeve, pozitat në tabelë, gjithmonë ka qenë i zjarrtë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë. Në derbi arma kryesore do të jetë lufta sportive, pa e anashkaluar punën taktike, fizike, aspektin psikologjik. Cila do ta menaxhojë presionin mund të dalë fitimtare”, deklaroi Ramadani në konferencën për shtyp.

Ai po ashtu ka thënë se mbështetet në përkrahje të tifozëve për të arritur sukses.

“Për ne është ndeshja e radhës, i rëndësishëm është trepikëshi. Një fitore për tifozët tanë është një krenari plus deri në derbin e radhës”, theksoi ai.

Ndeshje të vështirë pret edhe homologu e tij, Ardian Nuhiu. Nuhiu synon fitoren po ashtu, ndërsa ka thënë se te Drita nuk mungon motivi.

“Do të jetë ndeshje e luftuar, e shoh te skuadra si motiv shtesë për shkak të derbit. Pres nga skuadra ime që të jap maksimumin dhe në fund të arrijmë deri te fitorja”, ka theksuar Nuhiu, trajneri i Dritës.

Në konferencën për shtyp te Drita ishte edhe Igball Jashari. Ai e vlerësoi ndeshjen shumë të rëndësishme por kërkon fitore.

“Na pret ndeshje e vështirë, por hyjmë në derbi për të fituar”, ka thënë Jashari.

Të dielën nga ora 13:00 luhet edhe ndeshja mes Feronikelit 74 dhe Prishtinës. Prishtina është e para me 35 pikë. Feronikeli 74 është i shtati me 15 pikë.

Xhiroja mbyllet të hënën me dy duelet tjera që luhen nga ora 13:00.

Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” në Klinë e pret Ballkanin, ndërsa Drenica në “Bajram Aliu” përballet me Vushtrrinë.

Dukagjini është i gjashti me 18 pikë. Drenica e parafundit në tabelë i ka 12 pikë, teksa Vushtrria në vendin e fundit ka vetëm tri pikë në 14 ndeshje.