Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Rafet Halimi sucede a Valdet Gashi como Fiscal Jefe Adjunto en la Fiscalía Especial

Rafet Halimi

Mbledhja e së premtes e Këshillit Prokurorial të Kosovës është karakterizuar me shumë zhvillime të cilat prekin punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Pas dorëheqjes së prokurorit Valdet Gashi nga pozita e zëvendëskryeprokurorit të kësaj Prokurorie dhe nga ajo e udhëheqjes së Departamentit për Korrupsion, pasardhës i tij është caktuar prokurori Rafet Halimi. Në këtë mbledhje u caktuan udhëheqës në tri departamente dhe u shpall konkurs për avancimin e katër prokurorëve.

Pas dorëheqjes së prokurorit Valdet Gashi nga pozita e zëvëndëskryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe udhëheqësit të Departamentit për Korrupsion, pasardhës i tij në këto pozita është caktuar prokurori Rafet Halimi.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me propozimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Speciales, Dren Paca.

“Konstatohet se prokurorit Valdet Gashi i përfundon mandati i zëvendeskryeprokurorit të kësaj Prokurorie dhe njëherësh të udhëheqësit të Departamentit për Korrupsion dhe Krim Financiar për shkak të dorëheqjes… Prokurori Rafet Halimi vendoset që të caktohet zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Speciale deri në një vendim tjetër të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka thënë Arian Gashi, kryesues i KPK-së.

Serish me propozimin e Dren Pacës, KPK-ja vendosi për caktimin e udhëheqësve në tri departamente të Prokurorisë Speciale.

Prokurori Bekim Kodraliu u caktua si udhëheqës i Departamentit për Hetimin e Terrorizmit, prokurori Kastriot Mema u vendos në Departamentin për Hetimin e Krimit Të Organizuar, ndërkaq Rafet Halimi u caktua në udhëheqje të Departamentit të Korrupsionit dhe Krimit Financiar.

Me pretendimin se Mema nuk i ka dy vjet përvojë në departamentin të cilin u caktua ta udhëheqë, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, e kundërshtoi vendimin për të. 

“E di që prokurori Rafet dhe Bekim janë që disa vite në departamente të njëjta, por edhe sa e di unë, edhe pse sekretariati i ka këto të dhëna, prokurori Kastriot është i caktuar më vonë edhe nuk besoj që i ka dy vjet sipas këtij kriteri”, ka thënë Krasniqi.

E, kryesuesi Gashi bëri të ditur se këto caktime janë të përkohshme deri në një vendim tjetër të KPK-së.

Paca kishte kërkuar nga KPK-ja edhe avancimin e shtatë prokurorëve në Prokurorinë Speciale, por u mor vendim që konkursi të hapet vetëm për katër pozita.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, sugjeroi Pacën që të bëjë rishpërndarje të lëndëve për prokurorët.

“Unë një sugjerim ia kisha dhënë publikisht që disa prokurorëve të Prokurorisë Speciale që fillimisht me i çu deri në Pallat që ta mësojnë sallën e gjykimit se ka mundësi që dy vjet a tri a sa kanë mungu atje, bën vaki nuk e dinë edhe sallën e gjykimit ku e kanë. Prandaj, ky riorganizim është kaq i nevojshëm”, ka thënë Krasniqi.

Në mbledhjen e së premtes, KPK-ja e shtyu vendimin për kërkesat e kryeprokurorëve të prokurorive në Prizren dhe Ferizaj për hapjen e konkurseve për avancimin e prokurorëve në departamentet e tyre për krime të rënda.