Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Albania ha logrado avances significativos en áreas clave, pero persisten problemas en el funcionamiento de las instituciones democráticas.

Albania y la Unión Europea

Raporti i Progresit do të përmendë edhe protestat e nisura në muajin maj dhe i quan “Mobilizimi më i madh qytetar që nga tranzicioni demokratik“, ndërsa për protestat e studentëve të nisura në tetor thotë se “pati incidente të dhunës ku u përfshinë edhe protestuesit, edhe Policia e Shtetit“. Notat më të mira kanë të bëjnë me punën e SPAK-ut, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shqipëria ka bërë “progres të mirë“ në fushat kryesore të procesit të anëtarësimit në BE, ndërkohë që sfidë e madhe mbetet funksionimi i institucioneve demokratike të vendit si pasojë e polarizimeve të skajshme politike. Kjo do të jetë porosia e përgjithësuar nga raporti i progresit për këtë vit, të cilin Komisioni Evropian do ta miratojë në takimin e Kolegjit të Komisionerëve të mërkurën, më 4 nëntor, në Bruksel, kur edhe do të bëhet publik.

Koha ka pasur rastin të lexojë draftin e këtij raporti, sikur edhe të raporteve për vendet e tjera. Pos Malit të Zi, vend i cili ka avancuar më së shumti dhe është shumë afër për t'i mbyllur të gjithë kapitujt negociues, Shqipëria del në krye të vendeve nga procesi i zgjerimit me progresin më të madh të arritur.

Raporti për Shqipërinë këtë vit do të jetë tejet pozitiv, krahasuar me raportet për vendet e tjera, si dhe me raportin e vitit paraprak për Shqipërinë. Komisioni Evropian në këto raporte vlerëson përmbushjen e kritereve objektive dhe specifike, duke i krahasuar edhe me rekomandimet që në secilin kapitull ka dhënë Komisioni Evropian nga raporti paraprak.

Sa u përket notave që jepen për të vlerësuar nivelin e progresit, ato janë nga “prapakthim“, që përmendet kryesisht në rastet e Serbisë dhe Gjeorgjisë, pastaj “pa progres“, që është notë zero, “progres i limituar“, që është notë e dobët, pastaj “njëfarë progresi“, që është pak më mirë, “progres i mirë“, që është vlerësim pozitiv, dhe “progres shumë i mirë“, që është vlerësimi maksimal. Po ashtu, matet edhe niveli i përgatitjes për të marrë përgjegjësi si vend anëtar një ditë.

Raporti i Progresit do të përmendë edhe protestat e nisura në muajin maj dhe i quan “Mobilizimi më i madh qytetar që nga tranzicioni demokratik“, ndërsa për protestat e studentëve të nisura në tetor thotë se “pati incidente të dhunës ku u përfshinë edhe protestuesit, edhe Policia e Shtetit“. “Asnjë dialog nuk është zhvilluar deri më tash. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të mirëfillta për t'u përfshirë në dialog konstruktiv“, thuhet në draftin e raportit.

Notat më të mira kanë të bëjnë me punën e SPAK-ut, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në kapitujt kyç, raporti i progresit do të konstatojë se Shqipëria ka shënuar “progres të mirë“ dhe kjo do të përfshijë edhe fushën e luftës kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit, politikën e jashtme, drejtësinë, liritë dhe sigurinë. Një lloj progresi, por jo edhe të mjaftueshëm, Shqipëria ka shënuar në fushën e lirisë së shprehjes.

Ndërsa “progres të limituar“ Shqipëria ka bërë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, ku problem është ligji për investimet strategjike. Kjo ka të bëjë edhe me zonat e mbrojtura në Nartë.

Ndonëse për luftën kundër korrupsionit do të konstatohet “progres i mirë“, në versionin e fundit të tekstit të draftit do të thuhet se “megjithatë, natyra e përgjithshme gjithëpërfshirëse e korrupsionit mbetet sfidë“. Do të thuhet se legjislacioni për parandalimin e korrupsionit është përshtatur tutje me standardet evropiane, përfshirë konfliktin e interesit, lobimin dhe mbrojtjen e fishkëlluesve/sinjalizuesve.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, edhe aty nota është “progres i mirë“. Posaçërisht vlerësohet puna e SPAK-ut.

“SPAK-u konsolidoi tutje bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht me vendet anëtare dhe agjencitë e BE-së. Lufta e vazhdueshme kundër grupeve të krimit të organizuar me rrezikshmëri të lartë dha rezultate të para të prekshme“, pritet të thuhet në raport.

Kjo pjesë, sipas burimeve diplomatike, është posaçërisht e rëndësishme për shumë vende anëtare, pasi me këtë bashkëpunim po goditen seriozisht edhe “grupet shqipfolëse“ të krimit të organizuar që veprojnë në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian.

Por raporti do të tërheqë vërejtjen edhe për sulmet e natyrës politike ndaj disa pjesëtarëve të SPAK-ut. Në Raportin e Progresit për Shqipërinë do të konstatohet se “edhe nga shumica parlamentare, edhe nga opozita është përdorur gjuhë diskredituese për gjyqësorin dhe anëtarët individualë“ dhe se kjo “nxit shqetësimin për ndarjen e pushteteve“.

Për dallim nga progresi në fushat kyç që përfshihen në procesin formal të anëtarësimit, Shqipëria nuk ka ndryshuar për të mirë sa i përket funksionimit të institucioneve demokratike.

“Sfidë e posaçme është funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri, për shkak të mjedisit thellësisht të polarizuar politik, me mbikëqyrje të limituar parlamentare të ekzekutivit. Reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme“, thuhet në tekstin e draftit të Raportit të Progresit për Shqipërinë. Problem është edhe mospërfillja e propozimeve nga opozita, miratimi i ligjeve në Kuvend pa debat të duhur paraprak, fakti që propozimet e ligjeve vijnë kryesisht nga anëtarët e qeverisë e jo edhe nga Kuvendi, paqartësitë në kompetenca e kështu me radhë.

Por, përkundër kësaj, Shqipëria këtë vit vlerësohet me progres të mirë, prandaj Komisioni do të publikojë të mërkurën, krahas Raportit të Progresit, edhe një udhërrëfyes kohor për hapat drejt arritjes së qëllimit për anëtarësim në BE. Pos për Shqipërinë, Komisioni këtë do ta bëjë edhe për Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, përderisa vendet e tjera janë shumë prapa në proces. Vendet si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë arritur një lloj progresi, por për shkaqe politike kanë mbetur pa lëvizur. Serbia dhe Gjeorgjia kanë ecur prapa, ndërsa për Turqinë, ndonëse miratohen akoma raporte, nuk e konsiderojnë më seriozisht si kandidate për anëtarësim.