Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

La oposición no espera que el gobierno concrete las inversiones de capital previstas para 2027.

reunión de gobierno

Foto de : Driton Pacharada

Investimet kapitale janë ndër instrumentet kryesore për zhvillimin ekonomik, që, sipas opozitës, Qeveria nuk po i shfrytëzon siç duhet. Deputetë opozitarë kanë kritikuar ekzekutivin për mosrealizimin e projekteve dhe kanë paralajmëruar se as buxheti prej 1 miliard eurosh i paraparë për vitin 2027 nuk pritet të gjejë zbatim. E, ministrja Mimoza Kusari-Lila vonesat i lidh me procedurat e prokurimit publik

Deputetë opozitarë e kanë kritikuar ekzekutivin për mosrealizim të investimeve kapitale.

Nga janari deri në shtator është shpenzuar vetëm 30 për qind e buxhetit të nivelit qendror të planifikuar për këtë kategori.

E as për buxhetin prej 1 miliard eurosh të paraparë për këtë kategori në vitin 2027, 
opozita nuk pret punë më të mirë. 

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, mosrealizimin e investimeve kapitale e konsideron qasje të Qeverisë, e cila, sipas saj, po e dëmton zhvillimin ekonomik.

“Mëkat që kjo Qeveri nuk e ka kuptuar se investimet kapitale janë ndër instrumentet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, veçanërisht për një ekonomi si e jona, e cila vazhdon të varet nga importi. Investimet në rrugë, hekurudha, shkolla, spitale dhe infrastrukturë publike krijojnë vende pune, mbështesin bizneset vendore, ulin kostot e transportit dhe prodhimit, përmirësojnë shërbimet publike, ambientin e të bërit biznes dhe rrisin konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona”, ka thënë ajo.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Invovacionit, Mimoza Kusari-Lila, pranon se zvarritja e projekteve kapitale është e dëmshme, mirëpo fajin ia la procedurave të tenderimit. 

Kusari-Lila tha se ky problem pritet të zgjidhet me ligjin e ri për Prokurimin Publik. 

“Ne këtë shtet e kemi të gjithë bashkë, edhe operatorët edhe institucionet edhe partitë politike, prandaj duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme në të cilën, po e ripërsëris, ruajmë kualitetin e punëve dhe projekteve, e ngremë edhe kontrollin, transparencën dhe llogaridhënien, por gjithashtu edhe afatet kohore i kemi, ashtu siç bëhet çdokund mirëfilli, e jo me zgjatje, stërzgjatje ku ka projekte që nisen ndoshta para tri a katër viteve e sot ende janë në proces të kryerjes”, është shprehu ajo.

Por, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, thotë se arsyetimi i Kusari-Lilës do të ishte i vlefshëm nëse Qeveria do të ishte në fillim të mandatit të saj të parë, por jo pas disa vitesh në pushtet.

“Po kjo ka logjikë në qoftë se kish pasur qeveri dy vjet, jo një qeveri pesëvjeçare. Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet më falni 14 shkurt të vitit 2021. Pra është 21, 22, 23, 24, 25, 26. Pra ky po hyn në vitin e shtatë, domethënë për pak muaj shkurt ky hyn në vitin e shtatë të qeverisjes", ka thënë Tahiri.

Në Buxhetin për vitin 2027 për investime kapitale, pjesa dërrmuese janë projekte të bartura nga vitet e shkuara. E për projekte të nisura më herët si autostrada e Gjilanit apo magjistralja për Pejë nuk janë ndarë mjete që këto projekte të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.