Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

MES no modifica la normativa derogada por el Tribunal Supremo hace 6 meses.

MASH

Afro gjashtë muaj pas shfuqizimit të nenit 21 të rregullores për përzgjedhjen e personelit arsimor nga Gjykata Supreme, Ministria e Arsimit dhe Qeveria ende nuk e kanë harmonizuar atë me ligjin. E vonesat në ndryshimin e rregullores ngrenë shqetësime për ligjshmërinë e procedurave të përzgjedhjes së personelit në shkolla

Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Gjykata Supreme e ka shfuqizuar nenin 21 të Rregullores nr. 19/2024 për Procedurat e Përzgjedhjes së Personelit në Institucionet Arsimore, Ministria e Arsimit dhe Qeveria ende nuk e kanë ndryshuar këtë nen.

Gjykata e shfuqizoi këtë nen, pasi vlerësoi se nuk ishte në përputhje me ligjin, meqë në komisionin përzgjedhës për personelin arsimor nuk përfshiheshin drejtori i institucionit dhe këshilli drejtues i shkollës, siç kërkohet me nenin 35, paragrafin 4, të Ligjit për Arsimin Parauniversitar.

Sipas nenit 21, i cili u shfuqizua, komisioni përzgjedhës përbëhej nga kryesuesi që ishte nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), një mësimdhënës nga fusha përkatëse, një përfaqësues i Këshillit të Prindërve, një ekspert i arsimit dhe një ekspert i burimeve njerëzore. 

Nga pala paditëse ndaj Qeverisë dhe Ministrisë, Këshilli Drejtues i SHFMU-së “Xhavit Ahmeti”, kanë thënë se dispozita e shfuqizuar ka cenuar rolin dhe kompetencat e këshillave drejtues të shkollave. 
Sipas këtij këshilli, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, institucionet nuk kanë reaguar ende.

“Besojmë se aktgjykimi i Gjykatës Supreme është një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së ligjshmërisë në sistemin arsimor. Edhe pse vazhdon të ketë rezistencë institucionale ndaj ndryshimeve, jemi të bindur se respektimi i ligjit dhe i vendimeve gjyqësore është i pashmangshëm. Fatkeqësisht, viktimat më të mëdha të këtij mosfunksionimi ndër vite kanë qenë nxënësit tanë dhe vetë cilësia e arsimit, e cila shpesh është lënë në plan të dytë përballë interesave politike dhe interesave të ngushta joformale”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Drejtues të SHFMU “Xhavit Ahmeti”.

Megjithëse, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, kjo rregullore ishte në konsultim publik nga 1 deri më 22 korrik të këtij viti, me synimin për ndryshimin dhe plotësimin e nenit 21 për përbërjen e komisionit përzgjedhës, përmes paragrafëve 8, 9 dhe 10, rregullorja e ndryshuar ende nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe as në faqen e Ministrisë së Arsimit.

Nga aspekti juridik, avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se institucionet janë vonuar në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, duke pasur parasysh rëndësinë e nenit të shfuqizuar.

“Vlerësoj që Ministria e Arsimit vetëm sa është vonuar në rast se eventualisht nuk kanë ndërmarrë veprime të deritashme, së paku me aq sa është e njohur për publikun. Në Gazetën Zyrtare nuk figuron ndryshimi dhe plotësimi i kësaj rregulloreje. Prandaj, vlerësoj që duhet sa më parë që të jetë e mundur të ndërmerren veprimet në drejtim të harmonizimit të kësaj dispozite, sepse, siç e thashë, bëhet fjalë për një element jashtëzakonisht të rëndësishëm të përbërjes së paneleve me rastin e përzgjedhjes. Prandaj, sa më parë që të jetë e mundur, duhet të ndryshohet dhe plotësohet neni 21 në pajtim me gjetjet e aktgjykimit të Gjykatës Supreme”, ka thënë Bajraktari.

Sipas tij, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme përbën shkelje. 

Ai ka thënë se, nëse janë formuar komisione në bazë të nenit të shfuqizuar, ekziston rreziku që procedurat përkatëse të anulohen, pasi këto komisione konsiderohen të jenë formuar në kundërshtim me ligjin.

KOHA u ka dërguar pyetje Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit se pse ende nuk është publikuar rregullorja e ndryshuar, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.