Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

El municipio y el gobierno se culpan mutuamente por la basura en la capital.

basura

Qytetarë të Prishtinës ankohen për kaosin me mbeturinat. Për gjendjen e krijuar, Komuna vazhdon ta hedh fajin tek Ministria e Financave, duke u ankuar se nuk ua nënshkruan garancionin për kredinë në vlerë prej 74 milionë eurosh, nga Banka Gjermane për Zhvillim. Me këtë kredi, komuna beson se do të bënte zgjidhje për Kompaninë Regjionale “Pastrimi”

Rezana Bozhlani

Kontejnerët janë stërmbushur me mbeturina dhe ato shihen edhe në hapësira përreth tyre, nëpër lagje të Prishtinës. Gjendje e njëjte është krijuar në të gjitha lagjet, shkaku se kompania regjionale “Pastrimi” nuk e ka mbledhur bërllokun sipas orarit të përcaktuar.

Qeset me bërllok janë hedhur gjithandej rrugëve, derisa qytetarët ankohen për mjedisin ku jetojnë. 

“S’ka si më keq. Nuk kemi nga të kalojmë nga mbeturinat. Në trotuare, në vend që të kalojmë me fëmijë, ne duhet rrugës të ecim. Nuk ke kurrfarë sigurie për fëmijë. Këtu mbeturina, atje mbeturina, çdo kund, kudo që të këqyrsh, më keq nuk ka”, ka thënë një qytetare.

E Abaz Beqiri thotë se riciklimi do të ishte zgjidhje për problemin e grumbullimit të mbeturinave.

“Problemi është që mbeturinat duhet të riciklohen. Nuk shkon kështu. Mosmbledhja është tjetër problem, domethënë nëse do të ishin ricikluar nuk do ishin bërë kështu kontejnerët”, ka thënë ky qytetar.

E drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, përgjegjësinë e ka larguar nga Komuna e Prishtinës, duke e kritikuar Ministrinë e Financave për mosnënshkrimin e garancionit për marrjen e kredisë nga Banka Gjermane për Zhvillim, në vlerë prej 74 milionë eurosh.

“Fatkeqësia është që ministri i financave Hekuran Murati po e bllokon garancionin për kredi nga Banka Zhvillimore që të investohet në menaxhimin e mbeturinave. Ajo do të ishte zgjidhja më e mirë për kryeqytetin dhe gjithë regjionin. Fatkeqësia është se po bllokohet. Është mirë të dalë Ministri i Financave Hekuran Murati, të arsyetohet për bllokadën të cilën është duke e bërë dhe t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve pa dallim sepse ai bllokim po i kushton kryeqytetit”, ka thënë Retkoceri.

Edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati, ka kritikuar Ministrinë e Financave, për bllokimin e këtij financimi. 

“Banka Zhvillimore Gjermane, KFW-ja rikonfirmon, Hekuran Murati nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionë euro për pastrimin e rajonit të Prishtinës!

Dje, së bashku me kryeshefin e KRM Pastrimit, pritëm në takim delegacionin e KfW-së gjermane ku edhe njëherë na u rikonfirmua që ministri i Financave nuk po e nënshkruan kredinë 74-milionëshe për pastrimin e rajonit të Prishtinës”, ka thënë Musmurati.

Ministria e Financave nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me akuzat që zyrtarët komunalë po i hedhin drejt ministrit Hekuran Murati. 

Por Ministri Murati, të hënën gjatë një konference për media deklaroi se problemi për mos nënshkrimin e kredisë është se Banka Gjermane kërkon qëndrueshmëri të Kompanisë Pastrimi, ndërmarrje kjo që sipas tij, është keqmenaxhuar nga qeverisja e kryetarit Përparim Rama.

Ai ka thënë se faji për dështimin e këtij projekti nuk është as i tij e as i financuesit, por i vetë Komunës së Prishtinës. 

Ky projekt parasheh një kredi prej 74 milionë eurosh që i do t’i mundësonte kompanisë Pastrimi blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, krijimin e një qendre për riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e mbeturinave.