Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Diez escuelas en Pristina sin calefacción, el municipio culpa al gobierno.

Escuela

Që kur kanë nisur të bien temperaturat, 10 shkolla në kryeqytet nuk kanë ngrohje e disa prej tyre janë detyruar që mësimin ta mbajnë më orar të shkurtuar. Në disa klasa, prindërit kanë siguruar vetë kondicionerë për ta bërë më të përballueshëm qëndrimin në shkollë. Komuna fajëson bllokimin e mjeteve nga Ministria e Financave

Nëntori i këtij viti i ka zënë pa ngrohje nxënësit e dhjetë shkollave në Prishtinë.

Në mungesë të ngrohjes në shkollë, kondicionerë janë vendosur në disa klasa të shkollës “Iliria” në kryeqytet, e që është bërë me iniciativën e prindërve.

Në mungesë të ngrohjes, mësimi aty të martën është mbajtur me orar të shkurtuar.

Kjo shkollë ka 1 mijë e 630 nxënës.

Drejtoresha e saj, Drita Marmullaku-Nishevci, pranon se punimet që kanë nisur gjatë verës në rinovimin e saj kanë ngecur.

“Është me potencial çdo herë në rritje të numrit të nxënësve, mirëpo investimet të cilat janë bërë në shkollën ‘Iliria’ gjatë periudhës së verës, janë realizuar, sistemi termik, izolimi termik është realizuar, është përfunduar kulmi i shkollës në tërësi, mirëpo sistemi i ngrohjes ka ngecur”, ka thënë ajo.

Drejtoresha Marmullaku-Nishevci tregon se është gjetur një zgjidhje e përkohshme, me vetëfinancim të menaxhmentit të shkollës, duke i rregulluar disa nga radiatorët që kanë qenë më funksionalë.

E në shkollën “Faik Konica”, radiatorët janë krejtësisht jofunksionalë.

Edhe në këtë shkollë, prindërit e nxënësve kanë sjellë ngrohëse elektrike dhe kondicionerë.

Zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle, Kosovare Makolli-Leci, thotë se kanë pranuar shqetësime të shumta nga prindërit.

“Ngrohja ende nuk është funksionalizuar këtë vit shkollor, për shkak të punimeve në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë. Jemi në komunikim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, e cila po bën përpjekje për funksionalizimin sa më të shpejtë të ngrohjes. Po, kemi pranuar shqetësime nga prindërit. Megjithatë, gjendja aktualisht është stabile dhe e menaxhueshme, ndërsa mësimi po zhvillohet me orar të rregullt”, ka thënë Makolli-Leci.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, përgjegjëse për këtë situatë është Ministria e Financave.

“Po, aktualisht jemi duke u ballafaquar me mungesën e ngrohjes në shkollat edhe kopshtet e Prishtinës, për shkak të bllokimit që është bërë nga Ministria e Financave të kodit buxhetor, në raport me përdorimin e financave për çështjet e eficiencës së objekteve publike, përkatësisht edhe shkollave dhe kopshteve të Prishtinës. Të gjithë këta akterë bashkë, pra Drejtoria e Transformimit, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave, kanë qenë të informuar lidhur me këtë çështje të ndërprerjes së punimeve të lëna në gjysmë nga operatori ekonomik”, ka thënë drejtori Elshani.

Ai tregon se kanë nisur një kërkesë në Ministrinë e Financave për lirimin e mjeteve, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave lidhur me këtë çështje, por që nga e hëna nuk ka marrë përgjigje.

Krahas Prishtinës, edhe një numër shkollash në komuna të tjera janë përballur me mungesë të ngrohjes.