Ministrja e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka thënë se zona e Liqenit të Radoniqit tashmë ka zero ndërtime ilegale.
Në emisionin tre8tre në KTV, Pacolli ka deklaruar që kjo është zona e parë që është pastruar tërësisht nga ndërtimet ilegale.
Pasi është rrënuar edhe restoranti, sipas saj, për momentin nuk ka asgjë që mund të ndotë ujin në këtë pjesë.
“Kjo pjesa e rrënimeve në veri është vazhdimësi e projektit që ka nisë më herët, qysh dy tre muaj më parë kemi filluar në veri. pastaj kemi vazhduar edhe tek pjesa e liqenit të Radoniqit. Zona e Liqenit të Radnoqit ka tashmë zero ndërtime ilegale dhe është zona e parë që është pastruar tërësisht përfshirë edhe restorantin që ka operuar në atë zonë, pra tani nuk ka asgjë diçka që mund ta ndotë ujin. Në veri i kemi edhe disa ndërtesa të mbetura e pastaj do të kalojmë në Batllavë e Badoc”, ka deklaruar ministrja Pacolli.
Sipas Pacollit, qëllimi i tyre është që fillimisht të pastrohen zonat pranë ujërave.
“Qëllimi ynë është që fillimisht të fillojmë me zonat ujore, pra në pastrimin e ndërtimeve ilegale në zonat sanitare të liqeneve akumuluese që janë për ujë të pijes, e pastaj do të shkojmë në zonat e tjera. Qytetarët duhet të kenë kujdes të mos bëjnë ndërtime në zona të ndaluara pasi çdo ndërtim në zonë të ndaluar, i bije që është ndërtim ilegal do të rrënohet dhe të largohet nga ajo pjesë”, ka shtuar më tej ministrja.
Sa i përket vilës së Radoiçiqit, Pacolli ka theksuar se ajo ndërtesë nuk do të rrënohet, pasi, sipas saj, ajo tashmë është në shfrytëzim nga shteti i Kosovës.
“Villa e Radoiçiqit është një ndërtesë që e ka marrë në shfrytëzim shteti i Kosovës dhe ne do të sigurohemi që të kontrollohet lirimi i ujërave të zeza kësaj ndërtese. Është një objekt që është shpallur për interes shtetëror dhe duhet të jetë aty për policinë dhe forcat e tjera që duhet të jenë aty”, ka thënë Pacolli,
Ne do të marrim të gjitha masat që derdhjet të mos jenë në liqe dhe të shfrytëzohen për interesa të shtetit e jo për çfarë është shfrytëzuar më parë.
Pacolli ka shtuar se ata kanë qasje parimore dhe kështu, askush nuk mund t’i shpëtoj rrënimeve, nëse kanë bërë ndërtime në mënyrë ilegale.