Kompania Huawei është shpallur fajtore për komplot për vjedhjen e sekreteve tregtare dhe mashtrim bankar, por është shpallur e pafajshme për akuzën më të rëndë, atë të përfshirjes në një organizatë kriminale, në një gjykim historik në SHBA, raporton “BBC”.
Në një gjykim që zgjati dy muaj, prokurorët e akuzuan gjigantin kinez të teknologjisë dhe telekomunikacionit se kishte gënjyer, mashtruar dhe vjedhur për të siguruar çdo avantazh të mundshëm ndaj konkurrentëve.
Ekipi mbrojtës i Huaweit argumentoi se prokurorët e kishin cilësuar paraprakisht kompaninë si organizatë kriminale dhe më pas e kishin ndërtuar të gjithë aktakuzën mbi këtë premisë. Sipas mbrojtjes, suksesi i kompanisë ishte rezultat i inovacionit të saj.
Në një deklaratë, Huawei tha se pafajësia për akuzën e krimit të organizuar “konfirmon se këto pretendime nuk kanë bazë faktike dhe vërteton qëndrimin tonë të vazhdueshëm gjatë tetë vjetëve të fundit”.
Juristët në një gjykatë në Brooklyn e shpallën Huawein fajtor për 10 nga 12 akuzat, të cilat përfshinin edhe komplot për shkeljen e sanksioneve amerikane.
Megjithatë, juria nuk e shpalli Huawei fajtore për akuzën e komplotit për përfshirje në krim të organizuar, e cila kërkonte që anëtarët e jurisë të konstatonin se kompania kishte vepruar si një ndërmarrje kriminale.
Prokurorët federalë i treguan për herë të parë akuzat kundër Huaweit në vitin 2019, pas arrestimit të bujshëm në fund të vitit 2018 në Kanada të drejtueses së lartë të kompanisë, Meng Wanzhou.
Meng, e njohur edhe si Cathy Meng, u mbajt për tri vjet në Kanada, përpara se të lirohej dhe të kthehej në Kinë, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë.
Gjatë fjalës përmbyllëse javën e kaluar, ndihmësprokurorja amerikane Meredith Arfa u tha anëtarëve të jurisë se Huawei kishte kaluar 20 vjet duke bërë gjithçka që ishte e nevojshme për të zgjeruar biznesin e saj, përfshirë gënjimin e bankave lidhur me aktivitetet e saj tregtare në Iran dhe vjedhjen e sekreteve teknologjike nga kompanitë rivale për të siguruar epërsi në treg.
Megjithatë, avokati mbrojtës Brian Heberlig tha se Huawei ishte shndërruar në një kompani me aktivitet në 170 shtete dhe me më shumë se 200 mijë punonjës falë punës së palodhshme.
Pas vendimit të gjykatës, Huawei tha se pesë akuzat që lidhen me sekretet tregtare “ishin çështje civile, të cilat ishin zgjidhur gjatë dy dekadave të fundit”.
“Asnjë gjykatë nuk e ka shpallur ndonjëherë Huawein përgjegjëse për përvetësim të qëllimshëm të pronësisë intelektuale dhe kompanisë nuk i është kërkuar asnjëherë të paguajë dëmshpërblim për përvetësimin e sekreteve tregtare”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
“Ne do t'i shqyrtojmë tërësisht vendimet përkatëse dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona.”