KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΣΩΤ

Η οικογένεια Σαχίκι, ένα όνομα που αφήνει το στίγμα του στο θέατρο του Γκίλαν

Ka familje që e trashëgojnë një mbiemër, por ka edhe të tilla që bashkë me të trashëgojnë një histori të tërë arti.

Është një histori që ndërtohet ndër breza, një dashuri për artin dhe një pasion që nuk shuhet me kalimin e viteve.

Në Gjilan, një histori e tillë lidhet ngushtë me familjen Shahiqi. 

Muharrem Shahiqi, Sabedin Shahiqi dhe Jashar Shahiqi janë ndër emrat e hershëm të aktrimit, që i përkasin një historie që ka lënë gjurmë në botën e teatrit. 

Një rrugëtim që nuk mbeti vetëm në kohën e tyre, por vazhdoi të jetojë edhe në brezat pasues.

Sot, këtë trashëgimi artistike e bart Albani, djali i Jashar Shahiqit, si gjenerata e tretë e familjes që merret me aktrim. 

Për të, skena nuk është thjesht një vend ku interpretohen personazhe, por një pjesë e historisë së tij familjare, e kujtimeve dhe e një dashurie që është rritur bashkë me të.

“I pari i familjes tonë që ka filluar të merret me teatër në mënyrë profesionale ka qenë Muharrem Shahiqi, një aktor i kulturës shqiptare kosovare, ai ka qenë në vitet ‘50 d.m.th. aktor dhe themelues i kombësive në Shkup,  pas një kohe kontributi të tij atje i ka ardhur  një ftesë që me bë një trup këtu për me krijuar si teatër me punua këtu. Muharrem Shahiqi, është një prej themeluesve të Teatrit të Gjilanit të vitit 1975 , d.m.th. si trup si teatër, se si objekt kjo ka qenë edhe më herët”, tha Alban Shahiqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit të Gjilanit. 

“Pas tij është djali axhës së babit, Sabedin Shahiqi, është prej gjeneratës së parë të shkollës së lartë të degës së aktrimit në Prishtinë me profesor Faruk Begollin në vitin 1970, d.m.th. ai ka qenë student. Pas Sabedin Shahiqit d.m.th. është babi jem Jashar Shahiqi nga viti 1975-78, që ka qenë student i aktrimit edhe ai te Faruk Begolli, sepse ka qenë profesor Faruk Begolli ai që e ka udhëhequr shkollën e lartë të aktrimit pastaj është bërë akademi e arteve”.

Në familjen Shahiqi, arti shtrihet përtej aktrimit, duke përfshirë pikturën, dizajnin dhe muzikën, e duke e bërë krijimtarinë pjesë të identitetit të tyre familjar. 

“...Nuk është se as shtytje s’kam pas po krejt në mënyrë indirekte d.m.th. jam ndikuar për me qenë aktor, se gjithçka çka është biseduar rreth në familjen tonë është biseduar rreth teatrit, rreth dramës, kam ardhur si fëmijë i kam vizituar dramat, shfaqjet, d.m.th. në mënyrë indirekte mu ka imponuar pa e vërejtur unë hiq, veç kur e kam parë veten tu dashtë me studiuar dramën. Kam marr pjesë edhe si nxënës i shkollës mesme në organizimet që janë bërë, por tani edhe babi ka qenë okej për me vazhduar edhe unë kështu. Unë jam gjenerata e tretë e aktrimit në Gjilan, dhe ndihem krenar që jam gjenerata e tretë. Në familjen tonë ka me art pos aktrimit, kemi piktor në familje, motra është disenjatore, vajza e axhës tjetër edhe ajo disenjatore edhe djali axhës Luan Shahiqi është piktor, vëllai im është me akademi të muzikës, d.m.th. arti dhe kultura janë sill shumë në familjen tonë, dhe e kemi bërë me shumë kënaqësi dhe me shumë përkushtim për me i dhanë vendit tonë atë artin tonë, kulturën tonë”, tha Alban Shahiqi. 

Më 12 shtator, u nda nga jeta aktori Jashar Shahiqi, babai i Albanit. 

Për të, pranimi i kësaj humbjeje mbetet i vështirë, pasi përveç lidhjes familjare, ata ndanin edhe dashurinë për teatrin dhe skenën.

“Pas një sëmundje, pak më të rëndë që pati, ndërroi jetë. Është e vështirë për neve, sepse kemi qenë të lidhur shumë me të, tanë kohën kemi qenë bashkë edhe shokë edhe kolegë edhe në skenë, por edhe rrethi shoqëria e ka pas një shok të mirë një koleg të mirë e kanë respektua se edhe i ka respektua, e ka pas një autoritet të mirë në qytet e ma gjerë në Kosovë. Është e vështirë me pranuar, por duhet me gjetur forcë me i bë ballë se humbja e prindit ish humbje e madhe”, tha Alban Shahiqi. 

Shahiqi kujton shfaqjen e parë ne shkollë të mesme “Veroren” si dhe shfaqjen e tij të parë profesionale “Titaniku Shqiptar”.

“Po shfaqjen e parë e kam luajt ‘Veroren’ një dramatizim i një romani të autorit tonë të madh Rexhep Hoxha, unë kam qenë në shkollë të mesme në vit të dytë, e kam pas një rol Ylli mundem me thënë, që ishte një nga rolet kryesore, në regji të Muharrem Sylejmanit...Ndërsa shfaqja ime e parë profesionale është në vitin 1999 menjëherë pas luftës është ‘Titaniku Shqiptar’, komedi e cila ka qenë mjaft e suksesshme me 175 repriza, atë e kemi dhënë në gjithë Kosovën edhe ne Dodonë i kemi pasur afro 140 me bileta të shitura”, tha Alban Shahiqi. 

Ai kujton kohën kur qindra të rinj shfaqnin interesim për aktrimin, ndërsa sot, sipas tij, ky entuziazëm ka rënë dhe profesioni kërkon jo vetëm talent, por edhe përkushtim e aftësi për ta promovuar veten.
Alban Shahiqi është ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit të Gjilanit, duke mbajtur mbi supe jo vetëm një përgjegjësi institucionale, por edhe një lidhje të veçantë me historinë e teatrit dhe familjes së tij. 

Ai gjithashtu tregon se çfarë do t’i ofrojë publikut me marrjen e kësaj detyre. 

“...I kam disa qëllime që i kam cak për me i arritur, qëllimi është publikun me katërfishuar dhe me marr pjesë në festivale gjithashtu dhe teatrin e fëmijëve”, tha ai. 

Historia e familjes Shahiqi dëshmon se arti nuk është vetëm profesion, por një trashëgimi që përcillet ndër breza. 

Për Albanin, ruajtja e kësaj rruge dhe kontributi në teatrin e Gjilanit mbeten mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë pasionin dhe kujtimin e atyre që i paraprinë në skenë.