KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Συμπλήρωμα Πολιτισμού

Εθνολογικό Μουσείο Κοσσυφοπεδίου – δύο δεκαετίες στην προώθηση του εθνοπολιτισμού και της πολιτιστικής κληρονομιάς

Εθνολογικό Μουσείο του Κοσσυφοπεδίου

Εθνολογικό Μουσείο του Κοσσυφοπεδίου

Sot Muzeu Etnologjik i Kosovës paraqet një nga shembujt më të mirë të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor. Megjithëse ky institucion ka një histori relativisht të re të punës në krahasim me muzetë dhe institucionet e tjera kulturore në vend, ai ka arritur që për 20 vjet veprimtari të bëhet i njohur si njëri ndër vendet më të rekomanduara nga turistët e huaj që duan të njihen me etnokulturën e vendit

Njëri ndër institucionet kulturore në Kosovë që merret me ruajtjen e materialeve e të koleksioneve etnografike, si dhe të artefakteve artizanale, është Muzeu Etnologjik i Kosovës, i themeluar më 27 korrik 2006, por që për publikun e gjerë hapi dyert më 11 shtator 2006. Përmes ekspozitës së përhershme, publikimeve e botimeve, ngjarjeve kulturore, prezantimeve audio-vizuale, ky muze paraqet dhe interpreton etnokulturën në Kosovë, me theks të veçantë në trashëgiminë shpirtërore të saj. S’do mend se themelimi i Muzeut Etnologjik të Kosovës është ndër arritjet e shënuara në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, sidomos të etnologjisë dhe të muzeologjisë në Kosovën e dalë prej luftës së fundit.

Muzeu Etnologjik i Kosovës është pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ai është i vendosur në kompleksin e “Emin Xhikut”, në qendrën e zonës historike të Prishtinës, afër Pazarit të Gjelbër dhe Xhamisë së Madhe. Nofka e pronarit të hershëm ishte “Eminxhik” (Emini i vogël), prej ku e merr emrin edhe mbarë kompleksi. Konsiderohet si kompleksi më i vjetër në Prishtinë dhe si një strukturë që u ka bërë ballë periudhave të ndryshme të kohës. Përbëhet prej katër objekteve që u takojnë shekujve XVIII e XIX, përveç shtëpisë prej guri, e cila nuk ka qenë pjesë e kompleksit, por është transferuar aty nga qendra e qytetit në vitet e ‘60-ta të shek. XX, kur u rrënua Çarshia e Vjetër e Prishtinës. Shtëpia e familjes, ajo e mysafirëve si dhe shtëpia që në të kaluarën shfrytëzohej si ahur bagëtish e bujtinë, i takojnë arkitekturës qytetare shqiptare të ndikimit osman. Janë objekte që i hasim kryesisht nëpër qytete. Sipas të dhënave nga Avni Eminxhiku, i lindur në vitin 1952 në Prishtinë, në këtë kompleks shtëpish, në fëmijërinë e tij, kanë jetuar kryefamiljari Hajrullah Eminxhiku (hafëz), me të shoqen Zylfinigarin dhe dy bijtë, Rexhepin (i ati i Avniut), me profesion berber, si dhe Et’hemin, me profesion këpucëtar. Në vitin 1959, kjo familje shiti kompleksin dhe u shpërngul për në Turqi. Që nga ajo kohë, kompleksi është pronë e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Shtëpia familjare e shekullit XIX –  Muzeu Etnologjik i Kosovës

Në fillim të viteve ‘60-të të shekullit XX, në kompleksin “Eminxhiku” u vendos Muzeu i Natyrës, përkatësisht Sektori i Natyrës i këtij muzeu, dhe deri në vitin 2001 aty ekspozoheshin materiale të këtij institucioni. Në vitin 2006, pas ndërhyrjeve dhe renovimeve që u bënë, u hap për vizitorë, sikurse u tha më sipër, Muzeu Etnologjik i Kosovës. Muzeu u hap në dy shtëpitë e shekujve XVIII e XIX, kurse në objektin tjetër të së njëjtës periudhë, të njohur ndryshe si “Shtëpia e mysafirëve”, u instalua “Ekspozita etnologjike”, në të cilën u përfshinë dhoma e mysafirëve (oda), dhoma e grave dhe e fëmijëve, shtëpia ose dhoma e zjarrit, si dhe një depo për ruajtjen e bulmetit, të pemëve, perimeve dhe ushqimeve të tjera. Në të gjitha këto dhoma janë të prezantuara eksponate të ndryshme etnologjike, përmes të cilave tregohet mënyra e jetesës në qytet. Në objektin e shekullit XIX, të njohur si “Shtëpia e familjes”, u instalua një ekspozitë etnologjike që prezanton jetën e popullit shqiptar në Kosovë përgjatë shekujve. Ekspozita muzeale është e ndërtuar prej katër temave bazë që prezantojnë ciklin e jetës – lindja, jeta, vdekja dhe trashëgimia shpirtërore. Në kuadër të këtyre temave përfshihen: mënyra e jetesës, enë dhe orendi, oda e burrave, dhoma e artit popullor, dasma, shtroja dhe mbuloja, veshje popullore, stoli, armë, vegla muzikore dhe amulete të ndryshme. Mbi 1430 eksponate janë të ekspozuara në Muzeun Etnologjik si pjesë e konceptit të ekspozitës, të mbledhura nga punonjësit e Muzeut Kombëtar të Kosovës për mbi 75 vjet me radhë.

Sot Muzeu Etnologjik i Kosovës paraqet një nga shembujt më të mirë të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor. Megjithëse ky institucion ka një histori relativisht të re të punës në krahasim me muzetë dhe institucionet e tjera kulturore në vend, ai ka arritur që për 20 vjet veprimtari të bëhet i njohur si njëri ndër vendet më të rekomanduara nga turistët e huaj që duan të njihen me etnokulturën e vendit, pra me mënyrën e jetesës, traditat, doket, zakonet, ritet, zejet, ushqimin, muzikën, por edhe me historinë dhe jetën e përditshme të popullit të Kosovës. Muzeu Etnologjik i Kosovës është kthyer tashmë në pikë referimi për vizitorët – për nxënësit dhe studentët, institucionet e vendit, diasporën shqiptare, por edhe për delegacionet e huaja, qofshin këto politike, ekonomike a kulturore, pastaj për të huajt që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, si dhe për turistët e shumtë që e vizitojnë Prishtinën gjatë vitit. Sipas vlerësimeve nga të huajt, të publikuara në uebfaqen e platformës më të madhe botërore të udhëtimeve “TripAdvisor”, Muzeu Etnologjik i Kosovës renditet për të dhjetin vit me radhë si atraksioni kryesor turistik në Kosovë. Dhe ky vlerësim nuk është i parëndësishëm dhe as i rastësishëm, kur dihet se numrin më të madh të vizitorëve në këtë muze e përbëjnë turistët e huaj, ndër të cilët dominojnë amerikanët, anglezët, gjermanët, zviceranët, francezët, turqit, pastaj turistët nga vendet skandinave, por nuk mungojnë as ata nga vendet e largëta si Australia, Japonia, Tajvani, Singapori, Kina e të tjera.

Kontribut të rëndësishëm në promovimin e Muzeut dhe të Kosovës në këto 20 vjet, kanë pasur mediat vendore e ndërkombëtare, sidomos ato elektronike, si dhe rrjetet sociale. Mediat prestigjioze ndërkombëtare si “The Washington Post”, “The Guardian”, “New York Times”, që të tria promovuese të kulturës, të traditave dhe të trashëgimisë sonë, e kanë veçuar Muzeun Etnologjik të Kosovës si “vend që nuk duhet lënë pa e parë” sepse përmes ambientit, arkitekturës, ekspozitës dhe stafit profesional me njohuri të përgjithshme, “vizitorin e kthen në kohët e kaluara”. Sipas aktivistes dhe vullnetares britanike në Kosovë, znj. Elizabeth Gowing, kontributi i së cilës në vitet fillestare të punës së Muzeut Etnologjik ishte i paçmueshëm, ky muze është institucion vendimtar për zhvillimin e turizmit kulturor në Kosovë, duke qenë njëri nga më të rinjtë të hapur pas luftës dhe për vite me radhë i ranguar si vendi numër një për vizitë në Prishtinë. Zonja Gowing pohon se ky muze jo vetëm u tregon të huajve për Kosovën, por edhe kosovarëve për gjërat që të huajt janë më shumë të interesuar t’i shohin, sidomos traditat dhe mënyrën e jetesës, të ndryshme nga ato të popujve të tjerë, që tashmë i kanë humbur. Sipas saj, ndër shumë arsyet për ta vizituar Muzeun janë objektet muzeale, që janë të rralla në Kosovë, e që po rrallohen dita-ditës për shkak të shkatërrimit e neglizhencës, pastaj ekspozita interesante dhe kopshti i gjelbër, gjë që i mungon qytetit të Prishtinës. Pastaj vijnë koleksionet dhe eksponatet e bukura, të vendosura në mënyrë profesionale, si dhe traditat e prezantuara aty, që japin një pasqyrë interesante të objekteve që mund të duken të ngjashme me ato nga shtetet e rajonit. Ajo që Muzeun Etnologjik të Kosovës e bën më të veçantë nga muzetë e tjerë në vend, është shoqërimi me ciceron për të gjithë vizitorët, madje edhe për një të vetëm. Stafi profesional i Muzeut, i përbërë nga etnologë, me njohuritë e tyre të përgjithshme, me humorin, çiltërsinë, anglishten e shkëlqyeshme, dhe shpjegimet profesionale që ofrojnë, sjell në jetë eksponatet dhe ekspozitën e Muzeut. Me qasjen e vet, stafi shfaq njërën nga vlerat kryesore të Kosovës – mikpritjen, që vizitorët gjithmonë e përjetojnë si përvojë personale kuptimplotë nga vizita në muze.

Muzeu Etnologjik i Kosovës, krahas mirëpritjes së vizitorëve, gjatë veprimtarisë 20-vjeçare ka realizuar një mori projektesh. Puna e parë, e bërë që në verën e vitit 2007, ishte përgatitja dhe promovimi i ushqimeve tona tradicionale. Pas saj, nga fusha e etnomuzikologjisë ka pasur disa performime me vegla muzikore popullore, e nuk kanë munguar as prezantimet nga ansamble folklorike, të shoqëruara me valle popullore shqiptare. “Pleqnari në muze” ishte tjetri projekt – një burrë i moshuar, i ftuar në odë, tregonte për doket dhe zakonet e të kaluarës, si dhe për odën e burrave si institucion që zinte vend të rëndësishëm në kulturën shqiptare. “Demonstrimi i punës në vek” titullohej aktiviteti në të cilin një vegjëtare jepte shpjegime dhe demonstronte si punohet qilimi. Aktiviteti vijues, “Artistët në rezidencë”, i realizuar në Muzeun Etnologjik të Kosovës, mblodhi përgjatë një jave tre artistë që punuan dhe shfrytëzuan ambientet e Muzeut, me qëllim që të realizonin piktura me motive prej tij. “Fotografët në rezidencë” titullohej aktiviteti disaditor gjatë të cilit qytetarët kishin mundësi të bënin fotografi brenda kompleksit të Muzeut. Në ditën e fundit të aktivitetit u hap një ekspozitë me një përzgjedhje të këtyre fotografive. Në vitin 2008, për tre muaj rresht, tre etnologë, dy prej të cilëve punonjës të Muzeut Etnologjik të Kosovës, bënë punë hulumtuese nëpër rajone të ndryshme të Kosovës – Rugovë, Has, Drenicë, Opojë, Gollak, Llapushë, Podgur, etj., duke mbledhur materiale të ndryshme etnomuzikologjike. Pasi mblodhën incizime të shumta melodish, këngësh e vallesh, një pjesë e materialit u përzgjodh për ta përgatitur një CD audio, të titulluar “Tinguj tradicionalë të Kosovës”. Në vitin 2011, në Muzeun Etnologjik të Kosovës është realizuar ekspozita e përkohshme me 35 fotografi, të bëra në bjeshkët e Deçanit në vitin 1956 nga fotografi anglez, Neil Robinson. Muzeu ka vazhduar me një cikël aktivitetesh kulturore, të titulluara “Ligjërata për etnokulturën dhe trashëgiminë kulturore”, mbajtur në ambientet e Muzeut gjatë viteve 2012-2013. Në këtë cikël ligjëratash kanë marrë pjesë profesorë dhe ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit.

Në shumësinë e projekteve muzeore nuk ka munguar as bashkëpunimi ndërkombëtar. Vlen të përmendet këtu që për herë të parë në gjithë veprimtarinë e muzeologjisë në Kosovë, në nëntor të vitit 2012 Muzeu Etnologjik i Kosovës u binjakëzua me Muzeun Popullor të Kembrixhit në Angli (Cambridge Folk Museum). Pjesë e projektit binjakëzues ishte demonstrimi i artit të filigranit dhe i zejes së argjendarisë në Muzeun e Kembrixhit. Ekspozita ‘’Fija e Argjendit nga Kosova deri në Istër’’ e hapur në vitin 2015 ishte fryt i bashkëpunimit në mes të Muzeut Etnologjik dhe Muzeut Etnografik të Istrës – Kroaci, një ngjarje tjetër me vlerë për artin e filigranit. Ekspozita prezantonte simbolin e pasur të filigranit në hapësirën publike të Istrës, si rrjedhojë e migrimit të parë ekonomik të shqiptarëve të Kosovës drejt Kroacisë në vitet e ’50-ta dhe ’60-ta të shekullit XX. Në vitin 2015 u zhvillua aktiviteti “Prezantimi i pehlivanëve”, ku për herë të parë në mjediset e Muzeut u demonstrua tradita e mundjes së pehlivanëve nga disa krahina të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, e shoqëruar me muzikë tradicionale.

Ndër projektet më të suksesshme të Muzeut Etnologjik të Kosovës kanë qenë edicionet “Java e artizanateve”, të realizuara në vitet 2008, 2010, 2012 dhe 2014. Në secilin edicion, gjatë punëtorive njëjavore demonstroheshin zeje dhe artizanate të ndryshme, si: argjendaria, drugdhendja, poçaria, plisaxhinjtë, farkëtaria, teneqexhinjtë, briskaxhinjtë, punimi i tekstilit, pastaj punimet me thurje, grep e gjilpërë, punimet për shtrojë e mbulojë, praktika tradicionale e lyerjes së fytyrës së nuses, etj. Për këto punëtori u përzgjodhën afro 100 zejtarë dhe mjeshtër tradicionalë nga anembanë Kosovës, të cilët zejen e kishin kryesisht të trashëguar brez pas brezi, e njihnin mirë dhe dinin ta prezantonin para vizitorëve. Komunikimi i drejtpërdrejtë mjeshtër- vizitorë, shpalosja e përvojave dhe rrëfimet familjare e profesionale, përfshirë demonstrimin e zejes dhe të mjeshtërisë aty për aty, me anë të veglave të punës, zbatimit të metodave dhe të teknikave të veçanta, aplikimit të motiveve dhe dekorimeve në materiale të ndryshme, e bënin më informativ dhe njëkohësisht edukues qëndrimin e pjesëmarrësve në këto aktivitete. Dita e fundit e aktiviteteve rezervohej për panairin e punimeve të punëdoreve. Përveç prezantimit, zanatlinjtë kishin mundësi edhe t’ua shisnin punimet vizitorëve të interesuar. Dihet se shumë prej zejeve të moçme janë zhdukur ose janë drejt zhdukjes, prandaj këto aktivitete dhanë sadopak ndihmesë për promovimin e tyre, si dhe për vetëdijesimin, së pari të institucioneve kulturore, por edhe të qytetarëve, mbi rëndësinë e ruajtjes të vlerave të tyre të veçanta.

Shtëpia miqve e shekullit XVIII –  Muzeu Etnologjik i Kosovës

Rreth një mijë vizitorë kanë marrë pjesë në secilin nga edicionet e “Javës së artizanateve”. Një pjesë e madhe ishin të huaj, gjë që ua shtonte vlerën promovuese zejtarëve dhe zejeve, por edhe Kosovës si shtet i ri. Këto aktivitete kulturore ishin risi, si për veprimtarinë muzeale në Kosovë, ashtu edhe për qytetarët, sepse hapësira e komunikimit të qytetarëve tanë me muzetë në të kaluarën ishte larg më vogël. Prezantimi i zejeve më parë bëhej vetëm gjatë panaireve kulturore në data të caktuara. Me realizimin e këtyre projekteve u krijua një afri më e madhe mes vizitorëve dhe Muzeut. Sigurisht që këto aktivitete nuk mjaftojnë, pasi kërkohen plane dhe strategji afatgjata me punë konkrete, që t’i përfshijnë institucionet e trashëgimisë kulturore, zejtarët dhe të gjithë që merren me artizanate, e që mund të kontribuojnë më tej për ruajtjen, studimin, prezantimin dhe promovimin e zejeve tradicionale të Kosovës. Në këtë drejtim spikasin sidomos zeja e argjendarisë (filigranit), e plisaxhinjve, poçaria, drugdhendja, zeja e tekstileve, e briskaxhinjve, farkëtaria, si dhe arti i lyerjes së fytyrës.

Që nga gushti i vitit 2017, objekti kryesor i muzeut i njohur si shtëpia familjare e shek. XIX ka qenë i mbyllur për vizitorë për shkak të restaurimit dhe konservimit të domosdoshëm, proces që ka përfunduar me sukses në pjesën e parë të vitit 2022. Një tjetër proces i rëndësishëm ka filluar në muajin maj të vitit 2025, trajtimi i përgjithshëm i hapësirave të kompleksit etnologjik, planet e konservimit dhe restaurimit të shtëpisë së miqve, shtëpisë së ahurit, pastaj objektit nga guri, oborrit si dhe rifreskimit të ekspozitës kryesore ”Cikli i Jetës” në shtëpinë familjare të shekullit XIX dhe ekspozitës në shtëpinë e miqve shekulli XVIII. Gjithashtu, krahas fillimit të restaurimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës në shtator të vitit 2024, ka filluar pastrimi, konservimi dhe inventarizimi i fondit etnologjik që gjendet në hapësirat e Muzeut Etnologjik.

Duke i uruar shumë suksese në të ardhmen stafit profesional dhe teknik të muzeut, urojmë që fillimi i dekadës së tretë të punës ta gjejë Muzeun Etnologjik të Kosovës si një oazë të dialogut kulturor, me ekspozitën kryesore të hapur dhe me një veprimtari të pasur e të vazhdueshme në mbledhjen, ruajtjen, studimin, dokumentimin, prezantimin dhe promovimin e etnokulturës dhe trashëgimisë së pasur kulturore të vendit tonë. Urojmë që Muzeu të vijojë të jetë një hapësirë e gjallë e dijes, edukimit dhe komunikimit kulturor, në shërbim të shoqërisë, turistëve dhe të gjithë vizitorëve.

Autori është etnolog në Muzeun Etnologjik të Kosovës