KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Συμπλήρωμα Πολιτισμού

Η Εθνοσυνέλευση της Αυλώνας και η Ημέρα της Σημαίας

Αντίγραφο της Πράξης Διακήρυξης της Ανεξαρτησίας της Αλβανίας

Αντίγραφο της Πράξης Διακήρυξης της Ανεξαρτησίας της Αλβανίας

Për trupin tonë gjeo-etnik të ndarë, sidomos këtej kufirit, Dita e Pavarësisë dhe Flamurit është ditë gëzimi me lot. Është ditë që na rikujton epopetë e lavdishme të të parëve tanë në ballafaqim me furtunat e egra që na rikujtojnë dashurinë dhe sakrificën e madhe të tyre për lirinë. Është ditë që na rikujton dhe na qorton...

Nehat Krasniqi

Dita e Pavarësisë te çdo popull paraqet ngjarjen më të ndritur dhe më të shenjtë, ngjarjen më të shënuar –  kryengjarjen. Këtë ditë, si të këtillë, popujt e lirë dhe të pavarur e festojnë me gëzimin më të madh dhe me krenarinë më të ligjshme. Kjo ditë është një rast i veçantë për pjesëtarët e një populli të lirë, duke shenduar të shpalosin edhe kujtesën e vet historike dhe të nderojnë kontributin e patriotëve për liri e pavarësi të atdheut. Të rikujtojnë ngjarjet më të mëdha të sukseseve dhe dështimeve, të lumturive dhe vuajtjeve, të fitoreve dhe humbjeve të paraardhësve të vet. Të përkujtojnë edhe miqtë edhe armiqtë e tyre. Është rast i veçantë të shohin nga kanë ecur, ku kanë arritur dhe si të shkojnë më shpejt e më mirë deri te caku i dëshiruar.

Populli shqiptar i ndarë, këtë ditë e feston, duke ndjerë të përzier edhe gëzimin edhe brengën e helmuar. E feston si ditë të kurorëzimit të pjesshëm të përpjekjeve të tija të gjithmbarshme dhe të pareshtura për të gëzuar lirinë. Kjo ndjenjë e përzier është e natyrshme të jetë ndjenjë e jona e përbashkët, siç është e natyrshme të ndiejë dhembjen tërë trupi kur dhemb gjysma e tij.

Është kjo Ditë e Flamurit tonë të shtrenjtë. Dita e atij Flamuri që, siç thotë Konica, “përmbleth kujtimet e shkuara të, njëj kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t'a kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që çfaq, duke valuar, Flamuri ynë?”, pyet Konica dhe përgjigjet: “Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: janë kujtime vetë-mprojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lënë gjurma në letërsitë e gjith popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje munt te mburremi se Flamuri i ynë, siç është një nga ata më të vjetërit e botës, është edhe një nga më të drejtët". (Nga revista e përmuajshme shqiptare kulturore “Njeriu”, nr. 5 - Kushtue Flamurit, Nanduer 1942. fq. 9).

Duke qenë Flamuri i kuq me shkabën dykrenare, simboli ynë më i dashur e më i shtrenjtë, ai na zgjon ndjenja, të cilat vetëm poetët e mirëfilltë e atdhetarë mund t’i shprehin me fjalë. Njëri ndër ta, Fan Noli duke himnizuar Flamurin ka shënuar:

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nënë' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S'të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.

Flamur që lint, Shën Kostandinin,
Pajton Islamin' e Krishtërimin,
Shpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben' u-lavdërove
Dhe në furtun' i funtmi u-shkove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri.
(Fan S. Noli, Vepra 1, Prishtinë: Rilindja, 1988, fq. 7374)

Për trupin tonë gjeo-etnik të ndarë, sidomos këtej kufirit, Dita e Pavarësisë dhe Flamurit është ditë gëzimi me lot. Është ditë që na rikujton epopetë e lavdishme të të parëve tanë në ballafaqim me furtunat e egra që na rikujtojnë dashurinë dhe sakrificën e madhe të tyre për lirinë. Është ditë që na rikujton dhe na qorton... Na provokon të pyesim vetveten: Mos vallë janë zvetënuar në ne ato virtyte të ndritura të besës dhe atdhedashurisë së çiltër që stolisnin shpirtin fisnik të të parëve tanë? Sa jemi të ndërgjegjshëm sot ne shqiptarët, përgjithësisht për rëndësinë kardinale të bashkimit kombëtar? Sa jemi të preokupuar e të angazhuar për këtë? A është gjendja jonë shpirtërore në atë shkallë sa të jemi të gatshëm që për liri dhe shtet kombëtar të sakrifikojmë pasurinë më të dashur dhe jetën?
Detyra historike, që ka shtruar para nesh kauza kombëtare nuk është e lehtë, por assesi nuk është e pazgjidhshme. Nuk ishte aspak më e lehtë detyra, që u shtrua para Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës me shokë. Ata këtë detyrë e zgjidhën pjesërisht, por krijuan një bazë me rëndësi të madhe jetike për t'u zgjidhur përfundimisht çështja shqiptare.
Ishte ai momenti më kritik, ndoshta, për fatin e Atdheut tonë. Mbi tokat shqiptare qenë vërsulur si të çmendura ushtritë gjakatare të fqinjëve tanë grabitqarë, nga veriu dhe nga jugu. Shqipëria ishte gjakosur keq dhe ishte mbytur në flakë e në tym. Në rrethana të këtilla përfaqësues nga krahina të ndryshme shqiptare u mblodhën në Vlorë për të konfirmuar vullnetin e patundur të popullit tonë për të qenë i lirë në tokat e trashëguara nga të parët e vet. Vullnet ky që me ngulm të veçantë në shkallë kombëtare qe shprehur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe sidomos me Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912.
Përfaqësuesit, që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 deri më 7 dhjetor 1912 dhe që u nënshkruan në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sipas radhës së nënshkrimeve, janë këta:

1.    Ismail Kemal (Vlora)
2.    (Nikollë) Kaçorri
3.    Vehbi (Dibra Agolli)
4.    Abdyl-Aziz (Gjirokastra)
5.    J(orgji) Karbunara
6.    Elmas Boçe
7.    Veli Harçi
8.    Qazim Kokoshi
9.    J(ani) Minga
10.    Rexhep (Mitrovica)
11.    Dh(imitër) Tutulani
12.    A(ristidh) Rruçi
13.    Abdi (Toptani)
14.    Abas Dilaver (Çelkupa)
15.    Mid’hat Frashëri
16.    Shefqet Daiu
17.    Zihni Abas Kanina
18.    Xhelal Ko(prenska)
19.    Hajredin Cakrani
20.    Qemal Elbasani
21.    Iljas Vrijon
22.    Salih Gjuka 
23.    Dh(imitër) Beratti
24.    Dh(imitër) Emanuel
25.    Dimitri Zografi
26.    Murad Toptani
27.    Pandeli Cale
28.    Luz Gurakuqi
29.    Bedri Pejani
30.    Spiro T. Ilo
31.    Thanas V. Floqi
32.    Qemal Mullaj
33.    Lef Nosi
34.    Dr. H. Murteza (Struga)
35.    Nuri Soj(liu)
36.    Mustafa Asim Kruja
37.    M. Ferit Vokopola
38.    Ymer (Deliallisi)
39.     Xhemaludin (Deliallisi)
40.    Nebi Sefa Lushnja
41.    Zuhdi Ohria

Kush ishte delegati pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, i cili u nënshkrua në Vendimin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pranë Vehbi Dibrës, (që të dy të nënshkruar me alfabetin arab-osman) por, që u la në harresë nga historiografia shqiptare?

Kush ishte delegati pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, i cili u nënshkrua në Vendimin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pranë Vehbi Dibrës, (që të dy të nënshkruar me alfabetin arab-osman) por, që u la në harresë nga historiografia shqiptare, për mungesë serioziteti e korrektësie në leximin dhe interpretimin e këtij akti historik kombëtar më të rëndësishëm? Ishte Abdul-aziz efendi Gjirokastra, i lindur më 1862 në fshatin Pallurdoz të Gjirokastrës. Shkollën fillore dhe rushdijen i kreu në Gjirokastër, ndërsa studimet në Universitetin Fatih të Stambollit. U specializua për kadi, po në Stamboll, më 11 prill të vitit 1887. Pas specializimit ai nga 20 korriku i vitit 1787 shërbeu si kadi në disa kaza, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, përfshirë sanxhakun e Serfixhesë në Vilajetin e Manastirit, në sanxhakun e Durrësit, në Kavajë dhe më në fund, më 2 shtator të vitit 1912 u emërua kadi në Kazanë e Ajdonatit të Vilajetit të Janinës. (Lit. : Sadık Albayrak, Son devir osmanlı uleması, cild 1, Istanbul 1980, f. 55.)

Këta delegatë të lartpërmendur morën pjesë në mbledhjen e 28 Nëntorit, në të cilën dhe u mor vendimi për shpalljen e Pavarësisë. Ndërsa më vonë atyre iu bashkuan edhe delegatët e tjerë, që nuk patën mundësi të vinin me kohë në Vlorë.

Kosovën në Kuvendin e Vlorës e përfaqësuan këta persona:

1. Bedri Pejani
2. Sali Gjuka
3. Ajdin Bej Draga
4. Ρετζέπ Μιτρόβιτσα
5. Isa Boletini
6. Riza Bej Gjakova
7. Mehmet Pashë Deralla - Tetova
8. Dervish Bej Peja
9. Zejnel Bej Peja
10. Qerim Bej Peja
Përfaqësues i Kosovës po ashtu ka qenë edhe Mid-hat Frashëri djali i Abdyl Frashërit.
Senatorë nga Kosova, që u zgjodhën në Senatin e parë shqiptar më 04.XII.1912 ishin:
1. Bedri Bej Pejani (1886 - 1945)
2. Sali Gjuka (1876 - 1925)
3. Ajdin Bej Draga (1864 - 1914)

Për këtë të fundit më poshtë po japim ca të dhëna biografike, sepse për të është shkruar fare pak, për dallim nga dy të parët për të cilët dihet se janë publikuar studime të thukëta, madje edhe studime monografike.

Ajdin Bej Draga (1864 - 15 qershor 1914) Ishte veprimtar politik dhe atdhetar shqiptar i palëkundur. U lind në fshatin Mojstir të Mitrovicës. Rrjedh nga një familje e njohur për veprimtari politike dhe me ndikim, e fisit Kelmendi. Babai i tij, Ali Pashë Draga, ishte një feudal i madh. Ai vetëm në Mojstir kishte rreth 5000 hektarë tokë. Ali Pasha mori pjesë në luftën ruso-turke më 1876-7 pas së cilës edhe fitoi gradën Pashë. Ai po ashtu mori pjesë edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Në ndarjen, që u bë ndërmjet Këshillit të Lidhjes dhe atij të Portës, respektivisht ndërmjet rrymës autonomiste dhe asaj prosulltanore, Ali Pashë Draga si dhe disa pashallarë të tjerë si: Iljaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia, Hasan Pashë Tetova e ndonjë tjetër, i takonte rrymës së dytë. Gjyshi i Ajdin Bej Dragës, Ali Ferhat Beu po ashtu ka qenë person me ndikim. Ai ka vakëfuar një Xhami në Tregun e Ri (Jeni Pazar), e cila ekziston edhe sot. Edhe vëllezërit e Ajdin Beut, Nexhipi dhe Ferhati, ishin veprimtarë të njohur politikë dhe atdhetarë. Nexhip Draga ishte deputet në parlamentin xhonturk të vitit 1908 dhe së bashku me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin dhe Shahin Kolonjën ishin luftëtarët më konsekuentë dhe të pathyeshëm për çështjen shqiptare, si dhe kundërshtarë të hapur të politikës xhonturke ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Pas Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) Nexhip Draga dhe Hasan Prishtina me vendosmëri mbrojtën alfabetin latin dhe haptazi demaskuan elementet konservatore shqiptare të ndihmuara nga pushteti turk. Ndërkaq nga fundi i vitit 1919 së bashku me Hasan Prishtinën dhe disa patriotë të tjerë shqiptarë formuan një komitet për përgatitjen e Kryengritjes në Kosovë në krye të së cilit ishin këta të dy. Me nismën e këtyre dy aktivistëve të palodhur politikë, u mbajt Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912), Kuvend ky që i dërgoi një Memorandum portës dhe Fuqive të Mëdha me të cilin kërkohej autonomia e Shqipërisë, duke iu caktuar dhe duke iu njohur kufijtë e vet, flamuri i vet, dhe shkollat në gjuhën shqipe. Shpërthimi i Luftërave Ballkanike qe shkak i formimit të “Komitetit të Shpëtimit” në Shkup në krye me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Bajram Currin etj., duke njoftuar për këtë Fuqitë e Mëdha. Burgosja dhe internimi i tyre në Beograd nga ushtria okupatore serbe në fund të tetorit i pamundësoi ata të merrnin pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës.

Dita e atij Flamuri që, siç thotë Konica, “përmbleth kujtimet e shkuara të, njëj kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t'a kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja...”

Edhe vëllai tjetër i Ajdin Bej Dragës, Ferhat Draga ishte veprimtar politik dhe luftëtar për çështjen shqiptare. Ai gjatë okupimit austriak ishte Kryetar i Bashkisë së Mitrovicës. Pas vdekjes së të vëllait, Nexhipit më 21 korrik 1921 Ferhati erdhi në krye të organizatës “Xhemijet”, të formuar nga Nexhipi dhe Kenan Zija Manastiri qysh me 1919. Ferhati ishte personaliteti më i njohur dhe veprimtari politik nga mesi i shqiptarëve gjatë kohës së sundimit jugosllav midis dy luftërave. Në zgjedhjet e vitit 1923 patën fituar 14 deputetë nga Xhemieti. Ferhat Draga i mbështetur nga deputetët e tjerë shqiptarë të Kosovës në atë kohë kërkoi një lloj autonomie për Kosovën. Ai po ashtu kërkoi të ndërpritet dhuna dhe terrori ndaj popullatës së Kosovës, të ndërpritet e ashtuquajtura reformë agrare dhe toka t’u kthehet pronarëve të ligjshëm, që të shkolluarit nga mesi i kësaj popullate të punësohen në administratë, dhe gjuha shqipe të mësohet si lëndë mësimore krahas mësim-besimit. Lidhur me këto kërkesa ai do të zhvillojë dy herë bisedime me Pashiqin në Beograd dhe në Shkup, por pa rezultat. Ndërkaq me rastin e votimit për votëbesimin e qeverisë, Ferhat Draga me anëtarët e Xhemijetit do të votojë kundër dhe do të shkaktojë rënien e Qeverisë së Pashiqit. Reperkusionet e kësaj rënie do të jenë të rrezikshme për Xhemietin dhe për kryetarin e saj, i cili u arrestua me akuzën se mban lidhje të fshehta me kaçakët dhe u dënua me 100 vjet burg, dënim ky që më pastaj iu zbrit në 20 vjet, e më vonë u amnistua. Fat të ngjashëm apo edhe më të keq pësuan edhe anëtarët e tjerë të Xhemijetit. Xhemijeti në këtë rast u shpartallua, kurse organi i saj "Hak" (E Drejta) u ndalua.

Ajdin Bej Draga ishte pjesëmarrës në Kryengritjet e Kosovës kundër Turqisë. Ai ishte i deleguar nga Kosova në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në Senatin (Pleqësinë) 18-antarëshe të zgjedhur nga ky Kuvend me 04.XII.1912 në krye të së cilit ishte Vehbi Dibra, Ajdin Draga ishte njëri nga tre senatorët shqiptarë nga Kosova bashkë me Bedri Pejanin dhe Sali Gjukën. Ajdin Draga me forcat kosovare të udhëhequra nga Bajram Curri dhe Isa Boletini mori pjesë në luftimet kundër rebelëve esadistë dhe më 15 qershor 1914 u vra në Rashbullë afër Durrësit. Në këto luftime, që paraqesin një njollë të zezë në historinë e popullit tonë u vra edhe koloneli holandez Thomson, i cili dy ditë para se të vritej kishte deklaruar: “Për Shqipërinë vdes, por nuk turpërohem”, u vra gjithashtu edhe majori e poeti shqiptar Kamber Sejdini nga Elbasani. I prekur nga këto ngjarje Noli shkroi vjershën “Thomsoni dhe Kuçedra”, strofa e parë e së cilës është:

Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra
Me armë, me topa, me kordhë' e me shpata,
Se doli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak,
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me vrap.

Dy politikanët patriotë nga Kosova, Hasan Prishtina (1873 – 14 gusht 1933) dhe Nexhip Draga (1851 –  21 korrik 1921) edhe pse ishin ndër shqiptarët kosovarë më të denjë për të marrë pjesë në këtë Kuvend, u penguan. Nuk patën mundësi të merrnin pjesë edhe atdhetarë të tjerë, edhe pse me mendje dhe me zemër ishin të pranishëm aty. E njëri ndër ta Nikollë Ivanaj me një poezi të bukur shpreh ndjenjat e tij për këtë rast si vijon:

Liriës atëdheut!

28 Nanduer, 1912

Zot, a jâm unë fjetë a çue,
A jâm n'ândër, a jâm zgjue,
Gëzimit mêndja si s’po m’lue.
Se Shqipnija u lirue!...

Ah, sa smirë po j’a u kâmë...
Shqiptarve qi gjinden në Vlonë,
Ku madhshtuer, sot i lirë,
Flamuri i ynë po valonë!

Sot prej gëzimi aty diset,
Ku u çpallë lirija jonë;
Kush të shpetojnë kujtimin shêjtë,
Do t'e kenë aj përgjithëmonë!

Vallë çka banë, sot, kombi ynë,
A âsht ende fjetë a zgjue,
A e dinë madhëninë lumniënë
Perendija qi i ka çue?...

Mos qoftë zgjue do të zgjohet;
Ende shum nuk do të vonojnë;
Do të bashkohet fatëbardhsohet
Edhe liriën do t’e gezojnë!..
Nikolla Ivanaj
Mbi detë t’Adriatikut 28 Nanduer 1912