KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Showbiz

Πέθανε σε ηλικία 93 ετών ο διάσημος ηθοποιός Τομ Σκέριτ

Tom Skerritt

Φωτογραφία: Associated Press

Tom Skerritt, aktori fitues i çmimit Emmy, i cili mishëronte figurën e autoritetit të qëndrueshëm dhe ironik, qoftë si instruktor fluturimi në filmin “Top Gun”, si sherif i rreptë, por i drejtë, në serialin televiziv “Picket Fences”, apo si kapiteni i dënuar me vdekje në filmin “Alien”, vdiq në moshën 93-vjeçare, njofton agjencia “AP”.

Skerritt vdiq të mërkurën nga shkaqe natyrore, njoftoi familja e tij. 

“Ndërsa bota e njihte Tomin përmes karrierës së tij të jashtëzakonshme në aktrim, ne e njihnim për humorin, kureshtjen, mençurinë, bujarinë dhe dashurinë që solli në jetën tonë. Ai kujdesej shumë për imagjinatën, krijimtarinë, rrëfimin e historive, shërbimin, veteranët, botën natyrore dhe ndihmën ndaj të tjerëve për të gjetur dhe ndarë zërin e tyre”, thuhej në deklaratë.

Skerritt u nominua dy herë për çmimin Emmy, të dyja herët për serialin “Picket Fences”, ndërsa në vitin 1993 fitoi çmimin për aktorin më të mirë në një serial dramatik.

Ndër rolet e tjera të spikatura të karrierës së tij janë ai i bashkëshortit të durueshëm të Shirley MacLaine në filmin “The Turning Point”, i bashkëshortit të Sally Field në “Steel Magnolias” dhe i një oportunisti intrigant, i cili pengon përpjekjet e personazhit të Jodie Foster për të komunikuar me jetën jashtëtokësore në filmin “Contact”.

Skerritt u rrit në një familje të klasës së mesme në Detroit. Babai i tij ishte pronar i një biznesi të vogël, ndërsa nëna ishte amvise. Ai kishte dy vëllezër dhe një motër, e cila vdiq në fëmijëri.

Ai shërbeu për katër vjet në Forcat Ajrore, studioi në Universitetin Wayne State dhe më pas u transferua në Universitetin e Californias në Los Angeles (UCLA), ku studioi regjinë e filmit, i frymëzuar nga shikimi i filmit “Citizen Kane”.

Interpretimi i tij në një produksion teatror të shfaqjes “The Rainmaker”, në Los Angeles, i hapi rrugën drejt rolit të tij të parë në film. Ai luajti një rreshter në filmin e pavarur “War Hunt”, të vitit 1962, një film për Luftën e Koresë, i realizuar me një buxhet modest prej 250 mijë dollarësh.

Ky film shënoi debutimin e Skerrittit, Robert Redfordit, Sydney Pollackut dhe Francis Ford Coppolës.
Redfordi dhe Skerritti konkurruan për të njëjtin rol kryesor, por atë e fitoi Redfordi. Vite më vonë, Redfordi, tashmë regjisor, ia shpërbleu Skerrittit me interes të shtuar në filmin “A River Runs Through It”, duke i dhënë rolin e spikatur të pastorit të rreptë John Maclean, një shërbyes fetar, pasionet kryesore të të cilit ishin besimi dhe peshkimi me mizë.

Gazeta The New York Times u impresionua nga mënyra e tij e interpretimit, të cilën e përshkroi si të matur dhe të përsiatshme.

Redfordi, i cili vdiq vitin e kaluar, u bë mik i tij për gjithë jetën.

Pas filmit “War Hunt”, Skerritti vazhdoi të kishte vështirësi për të siguruar role të rëndësishme në ekran. Ai mori role të vogla në filmin “M.A.S.H.” dhe në “Thieves Like Us”, me regji të Robert Altmanit, si dhe luajti një rol të shkurtër si polic me motoçikletë në filmin “Harold and Maude”, me regji të Hal Ashbyt.

Gjithçka ndryshoi me filmin “The Turning Point”, për të cilin ai fitoi një çmim nga Bordi Kombëtar i Shqyrtimit të Filmit në SHBA.

Më pas erdhi “Alien”, ku Skerritti luajti kapitenin e anijes kozmike Nostromo, i cili përballet me një fat tragjik. Në një skenë, ai zvarritet nëpër një kanal të errët e klaustrofobik, duke gjuajtur alienin me një flakëhedhës që lëshonte flakë me ndërprerje.

Ai i tha gazetës Seattle Times se ajo që e kishte tërhequr te skenari ishte fakti që aktori kryesor zhdukej nga qendra e ngjarjes dhe gruaja bëhet heroina. 

“Më pëlqen shumë kjo ide”.

Më pas karriera e tij mori sërish një drejtim tjetër, me një rol të paharrueshëm si instruktor i personazhit të Tom Cruise në filmin e famshëm “Top Gun”.

Skerritti mori vlerësimet ndoshta më të mira të karrierës së tij për rolin e sherifit zemërmirë në serialin “Picket Fences”, një komedi e krijuar nga David E. Kelley, e cila fitoi 14 çmime Emmy, përfshirë një për Skerrittin, si dhe një çmim Golden Globe gjatë transmetimit të saj katërvjeçar, nga viti 1992 deri më 1996.