KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Showbiz

Ηθοποιοί αποκαλύπτουν τα συναισθήματα και τα μηνύματα της νέας ταινίας «Οι Αγώνες Πείνας»

Τζόζεφ Ζάντα

Yjet e filmit “The Hunger Games: Sunrise on the Reaping” u mblodhën në New York, për premierën e vazhdimit më të ri të sagës së njohur filmike distopike. Në tapetin e kuq parakaluan aktorët Joseph Zada, Mckenna Grace, Elle Fanning, Glenn Close dhe Ralph Fiennes.

Duke folur për emocionet e saj në këtë premierë, Grace u shpreh se e gjithë përvoja ishte pothuajse e pabesueshme.

“E gjithë kjo që po ndodh! Jam këtu, e veshur me këtë fustan me krahë, me mbishkrimin ‘Hunger Games’ prapa meje. Në të majtë kam Joseph Zadan, ndërsa në të djathtë Whitney Peak, dhe të dy duken kaq të bukur e të përsosur. Ndërkohë, jashtë dëgjohen fansat që bërtasin për Jennifer Lawrence. Jennifer Lawrence është këtu! Sapo dola nga makina, pashë fansa gjithandej dhe ata më njihnin. Thërrisnin emrin tim. E dinin se kush jam! Ishte diçka e pabesueshme. E gjithë kjo përvojë është e jashtëzakonshme. Fakti që jam pjesë e ‘Hunger Games’ është i pabesueshëm. Ka qenë një përvojë aq surreale, sa nuk e di nëse do të arrij ndonjëherë ta perceptoj plotësisht si diçka reale. E gjithë kjo përvojë, nga fillimi deri në fund, gjatë më shumë se një viti, ka qenë gjëja më e çmendur dhe më e jashtëzakonshme që kam përjetuar”, tha Grace.

Edhe Elle Fanning foli për mesazhet që përcjell filmi, duke theksuar rëndësinë e tij për brezat e rinj.

“Pa dyshim, është një film që flet shumë për qëndrueshmërinë dhe forcën për të përballuar vështirësitë. Mendoj se është gjithashtu shumë frymëzues për të rinjtë. Unë kam qenë fanse e kësaj sage gjatë gjithë këtyre viteve, si të filmave, ashtu edhe të librave. Ajo që më pëlqen është se librat nuk i trajtojnë kurrë të rinjtë sikur nuk janë në gjendje të kuptojnë temat e vështira. Përkundrazi, u japin rëndësi emocioneve të tyre. Kjo është diçka e mrekullueshme dhe mendoj se përbën një frymëzim të madh për brezin e ardhshëm”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, Ralph Finnes, vlerësoi historinë dhe aktorët që kanë qenë pjesë e kësaj sage ndër vite.

“Është një ndjesi që vjen natyrshëm. Në këtë sagë kanë marrë pjesë aktorë të jashtëzakonshëm. Më ka pëlqyer gjithmonë ta ndjek këtë seri filmash. Jennifer Lawrence është e jashtëzakonshme. Ajo ka qenë në qendër të filmave të mëparshëm, së bashku me aktorë si Julianne Moore dhe Philip Seymour Hoffman. Kjo tregon shumë për faktin se sa shumë aktorë të talentuar tërhiqen nga personazhet e kësaj sage”, tha aktori.

Glenn Close deklaroi se, pavarësisht tematikës së errët dhe emocionale, filmi përcjell një mesazh të rëndësishëm shprese.

“Absolutisht. Ky film është shumë i errët dhe i trishtueshëm, por ne e dimë se në fund Kapitoli mposhtet. Mendoj se fëmijët duhet ta kuptojnë që në moshë të hershme, ose të mësohen, se në botë ekziston edhe errësira, por është e mundur të dalësh prej saj. Për mua, kjo histori ngjan me një përrallë madhështore që lidhet me diçka shumë reale. Unë besoj vërtet në këtë histori dhe mendoj se është e rëndësishme”, theksoi ajo.

Filmi bazohet në romanin bestseller të shkrimtares Suzanne Collins dhe zhvillohet 24 vjet përpara ngjarjeve të historisë origjinale të “The Hunger Games”. Ai i rikthen shikuesit në Panem, ku Kapitoli vazhdon të ruajë pushtetin përmes lojërave televizive vdekjeprurëse. Si regjisor i filmit rikthehet Francis Lawrence, i cili më parë ka drejtuar edhe filmin “The Hunger Games: The Ballad of Songbirds & Snakes”, të publikuar në vitin 2023.

Historia përqendrohet te 16-vjeçari Haymitch Abernathy (i luajtur nga Joseph Zada), nga Distrikti 12, dhe nis në mëngjesin e përzgjedhjes së pjesëmarrësve për Lojërat e 50-ta të Urisë. Të njohura si “Second Quarter Quell”, këto lojëra parashikojnë dyfishin e numrit të zakonshëm të pjesëmarrësve, duke u shndërruar në garën më të madhe dhe më vdekjeprurëse në historinë e tyre.

Aktori Zada tregoi se gjatë realizimit të filmit ka përjetuar vazhdimisht momente të pabesueshme.

“Kam pasur me qindra momente të tilla. Mendoj se më i fundit ishte në Mexico City, ku pasioni i fansave ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Të shihja gjithë ata njerëz që kishin dalë për të na pritur dhe të kuptoja se sa shumë do të thotë kjo histori për ta, më bëri jashtëzakonisht krenar për punën që ka bërë i gjithë ekipi dhe për atë se sa i mrekullueshëm është ky film”, u shpreh ai.

“The Hunger Games: Sunrise On the Reaping” shfaqet nëpër kinematë botërore nga e premtja.