KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Γνώμη

Το Κόσοβο κέρδισε την ελευθερία του, τώρα πρέπει να κερδίσει το μέλλον των παιδιών του

Në vitin 2018 u ktheva në Kosovë për të themeluar Teach For Kosova dhe për të ndërtuar një lëvizje për reformimin e arsimit në një vend që e kisha vizituar shpesh, e kisha ndier gjithmonë timin, por ku vetë nuk kisha vijuar asnjë ditë shkollë. 

Duke u rritur në diasporë, isha gjithmonë i fascinuar nga ideali i Kosovës: nga lufta e rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga lëvizja paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe nga diaspora, e cila për dekada kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit. 

Këto rrugë nuk ishin gjithmonë të njëjta dhe shoqëria jonë nuk ishte gjithmonë e bashkuar. Por së bashku krijuan një qëllim kombëtar që në vitet ’90 shpesh dukej i paarritshëm. 

Në vitin 2008, Kosova u bë shtet i pavarur. 

Dhe pothuajse menjëherë nisëm ta përsërisnim: rinia është potenciali më i madh i Kosovës. 
E thoshin politikanët, diplomatët dhe organizatat ndërkombëtare. Kishte arsye për optimizëm. Kosova ishte shteti më i ri në Evropë dhe njëkohësisht kishte një nga popullsitë më të reja të kontinentit. 
Sot kanë kaluar 18 vjet nga pavarësia. 

Tetëmbëdhjetë vjet janë pikërisht aq sa i duhen një fëmije të lindur në vitin 2008 për t’u bërë i rritur. 

Dhe duhet të pranojmë një të vërtetë të vështirë: nuk po ua japim të ardhmen që u premtuam. 
PISA 2025 na e dha këtë javë paralajmërimin më të fundit. 

Për herë të katërt që nga viti 2015, nxënësit 15-vjeçarë të Kosovës janë testuar për aftësinë e tyre për ta përdorur dijen në matematikë, lexim dhe shkencë. Rezultatet janë përsëri ndër më të dobëtat në botë. 

Por më shqetësuese se renditja janë vetë aftësitë që mungojnë. 

Sipas OECD-së, vetëm 15 për qind e nxënësve tanë arrijnë nivelin bazë të kompetencës në matematikë, 16 për qind në lexim dhe 21 për qind në shkencë. Krahasuar me vitin 2018, rezultatet janë më të ulëta në të tri fushat. 

Kjo do të thotë se një pjesë shumë e madhe e fëmijëve tanë kalojnë vite në shkollë pa zhvilluar aftësitë bazë për të kuptuar një tekst, për të zgjidhur një problem apo për të përdorur dijen në jetën e përditshme. 

Sfida demografike po bëhet gjithnjë e më serioze. Vetëm gjatë vitit 2024, Agjencia e Statistikave të Kosovës vlerësoi se 37,451 persona emigruan nga Kosova. Studimi për Rininë në Kosovë i vitit 2024 gjeti se vetëm 28 për qind e të rinjve deklaruan se nuk kishin ndërmend të emigronin. 

Pra, po aq sa problem arsimor, kemi një problem të së ardhmes së vendit.

Si erdhëm këtu dhe, më e rëndësishmja, çfarë duhet të bëjmë tani?

Përgjigjja është komplekse, por disa shkaqe janë të qarta. 

Një pjesë e problemit lidhet me pikën nga e cila nisi sistemi ynë. Në vitet ’90, regjimi serb i largoi nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë nga shkollat publike. Mësimi vazhdoi në shtëpi private, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Sistemi paralel ishte një akt i jashtëzakonshëm rezistence, por një dekadë e tillë e la Kosovën pas luftës me një sistem arsimor që duhej rindërtuar pothuajse nga fillimi. Kjo nuk i shpjegon problemet e sotme, por e përcaktoi pikën tonë të nisjes. 

Prioriteti i parë, me të drejtë, ishte qasja: të ndërtoheshin shkolla, të hapeshin klasat dhe fëmijët të kishin ku të mësonin. 

Por kalimi nga qasja në arsim te cilësia e arsimit nuk u përfundua kurrë. 

Në dy dekadat e fundit kemi ndryshuar kurrikula, kemi prezantuar metodologji të reja dhe kemi zhvilluar qindra trajnime e projekte. Shumë kanë qenë të vlefshme. 

Por arsimi nuk ndryshon kur ndryshon dokumenti. 

Ndryshon vetëm kur ndryshon ajo që ndodh çdo ditë mes mësimdhënësit dhe nxënësit. Shpesh kemi kërkuar reforma të reja pa u dhënë mësimdhënësve kohën, mentorimin dhe mbështetjen për t’i kthyer ato në praktikë. Kemi ndryshuar politikat më shpejt sesa kemi ndryshuar klasën.
Problemi i dytë është politizimi

Arsimi në Kosovë është i decentralizuar dhe komunat kanë kompetenca të mëdha mbi punësimin e mësimdhënësve dhe zgjedhjen e drejtorëve. Në teori, vendimmarrja më afër komunitetit duhet të krijojë institucione më të përgjegjshme. 

Por decentralizimi pa llogaridhënie krijon gjithashtu hapësirë për politizim. 

Pozitat në arsim përbëjnë një pjesë të madhe të punësimit publik në shumë komuna. Për vite kemi dëgjuar dhe parë pretendime për punësime të ndikuara nga lidhjet politike, veçanërisht në drejtimin e shkollave. Ky nuk është problem i një partie; në forma të ndryshme, ka qenë problem i sistemit. 
Pasojat shkojnë shumë më larg se një emërim i gabuar.

Kur një mësimdhënës i mirë bindet se procesi nuk është i drejtë, ai ose ajo nuk aplikon fare. Këtë e kam parë gjatë viteve 2023–2024, kur shërbeva në komisionin e Komunës së Prishtinës për rekrutimin e drejtorëve të shkollave të mesme. Kam folur me mësimdhënës shumë të mirë që nuk kishin aplikuar për udhëheqje, jo nga mungesa e aftësive apo ambicies, por sepse nuk besonin në proces.
Sistemi humb dy herë: kur zgjedh personin e gabuar dhe kur personi i duhur as nuk hyn në garë. 
Problemi i tretë është zbatimi i reformave. 

Kosova ka një sistem ku politikat hartohen kryesisht në nivel qendror, ndërsa një pjesë e madhe e zbatimit varet nga komunat. Kjo mund të funksionojë vetëm me koordinim dhe llogaridhënie të fortë. Shpesh kemi të kundërtën. 

Ministria harton politika pa përfshirje të mjaftueshme të komunave. Komunat i interpretojnë ose i zbatojnë ndryshe. Drejtorët mbesin në mes. Mësimdhënësit improvizojnë. 

Në fund, secili mund të tregojë me gisht dikë tjetër. Ndërsa nxënësi nuk ka kujt t’ia delegojë pasojat.

Katër reforma strukturore që nuk mund t’i shtyjmë më

Nëse duam që PISA e ardhshme të tregojë një histori tjetër, nuk na duhet edhe një listë e gjatë strategjish. Na duhen katër shtylla operacionale dhe këmbëngulja për t’i zbatuar.

E para është meritokracia e bazuar në standarde kombëtare. 

Rekrutimi i mësimdhënësve duhet të bazohet në standarde kombëtare, pa ua hequr komunave përgjegjësinë për përzgjedhjen. Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) duhet të trajnohen posaçërisht për rekrutimin e mësimdhënësve dhe të kenë mbështetje dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, në mënyrë që të njëjtat standarde të zbatohen në çdo komunë. Intervistat disa-minutëshe nuk mjaftojnë për të përcaktuar nëse dikush mund të udhëheqë një klasë. Kandidatët duhet të vlerësohen edhe përmes performancës, portofolit dhe detyrave praktike pedagogjike. 

Sot kemi të rinj të shkëlqyeshëm që mbesin jashtë sistemit nga mosbesimi në proces; një sistem që vuan për cilësi nuk mund të humbasë talent. 

E dyta është themelimi i Akademisë Kombëtare të Udhëheqjes për Drejtorët. 

Nëse do të duhej të zgjidhja vetëm një pikë kthese në sistem, do të ishte drejtori i shkollës. Një drejtor i mirë ndërton kulturë, mbështet mësuesit dhe vendos standarde. Prandaj, pozita duhet të bëhet njëkohësisht më e fuqizuar dhe tërësisht apolitike përmes një Akademie Kombëtare të Udhëheqjes. Akademia do të shërbente si filtër rigoroz dhe program trajnimi përpara dhe gjatë mandatit, që drejtorët të jenë udhëheqës të mësimdhënies, jo vetëm administratorë burokratikë. 

E treta është riorganizimi i rrjetit të shkollave i lidhur me riinvestim të garantuar. 

Demografia e Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht: klasa urbane të stërmbushura bashkëjetojnë me shkolla rurale ku stafi po i afrohet numrit të nxënësve. Konsolidimi i shkollave të vogla është politikisht i vështirë, por shmangia e tij dëmton fëmijët. Çdo bashkim duhet të shoqërohet me plan të qartë riinvestimi: kursimet nga objektet e vogla të investohen drejtpërdrejt në teknologji, laboratorë shkencorë dhe transport të sigurt për nxënësit. 

E katërta është kalimi nga mbulimi i përmbajtjes te zotërimi dhe zbatimi i dijes. 

Nxënësit tanë kanë nevojë për më pak vrapim pas përmbajtjes dhe më shumë thellësi në lexim, matematikë, shkencë dhe mendim kritik. Qëllimi duhet të jetë që nxënësi ta kuptojë, ta përdorë dhe ta zbatojë dijen, jo vetëm ta kalojë kapitullin. Kjo kërkon edhe matje ndryshe: vlerësime të vazhdueshme formative, detyra për zgjidhjen e problemeve dhe portofola projektesh, në vend që dobësitë tona t’i zbulojmë vetëm kur dalin rezultatet e PISA-s. Mësimi tërëditor, atje ku zbatohet, duhet ta mbështesë këtë qasje duke krijuar hapësirë për art, sport, klube, projekte dhe kureshtje, jo thjesht duke zgjatur orarin e modelit të vjetër. 

Kur u ktheva në Kosovë në vitin 2018, besoja se arsimi mund të bëhej një nga projektet kombëtare të gjeneratës sonë. 

Pas tetë vjetësh pune me nxënës, mësimdhënës, drejtorë, komuna e institucione, e besoj këtë edhe më shumë. 

Por kam kuptuar edhe diçka tjetër: as Teach For Kosova, as një ministër, as një qeveri dhe as një projekt ndërkombëtar nuk mund ta reformojë i vetëm sistemin. Duhet një marrëveshje më e madhe se mandati i një qeverie. 

Kosova e ka dëshmuar se mund ta bëjë këtë kur çështja është mjaftueshëm e rëndësishme. 
Brezi para nesh pati një projekt të madh kombëtar: lirinë dhe shtetin. 

Brezi ynë duhet ta ketë të vetin: të ndërtojë një Kosovë ku një fëmijë që lind këtu nuk duhet të largohet për ta realizuar potencialin e vet. 

Në vitin 2008 thamë se rinia ishte pasuria jonë më e madhe. 

Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, fëmijët e lindur atë vit janë bërë të rritur.

Është koha që edhe shteti ynë të sillet si i tillë.

(Autori është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Teach For Kosova. Ai ka mbi një dekadë përvojë në arsim, zhvillim të lidershipit dhe politika publike. Ka përfunduar doktoraturën në edukim në Johns Hopkins University, me fokus në vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë)