Shpëlarja e gojës me vaj kokosi është bërë një trend i përhapur në internet. Por, a ndihmon vërtet në zbardhjen e dhëmbëve dhe përmirësimin e shëndetit oral? Shkenca ende nuk ofron prova të mjaftueshme për këto pretendime.
E njohur si “oil pulling”, kjo praktikë e lashtë vjen nga mjekësia tradicionale indiane, Ayurveda. Ajo konsiston në mbajtjen dhe lëvizjen e vajit të kokosit, lulediellit ose ullirit në gojë për 5-20 minuta, përpara se të pështyhet, ka shkruar CNN.
Përkrahësit pretendojnë se kjo metodë largon toksinat, zbardh dhëmbët dhe përmirëson shëndetin e gojës. Por, çka thotë shkenca?
A funksionon vërtet?
Sipas doktorit Matthew Messinas, këshilltar i Shoqatës Amerikane të Stomatologjisë, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që vërtetojnë përfitimet e kësaj praktike.
Një analizë studimesh e publikuar në vitin 2022 ka treguar se shpëlarja e gojës me vaj mund të ulë numrin e baktereve. Megjithatë, provat për ndikimin e saj në reduktimin e pllakës dentare dhe inflamacionit të mishrave të dhëmbëve mbeten të kufizuara.
Sipas Shoqatës Amerikane të Stomatologjisë, nuk ka studime të besueshme që vërtetojnë se kjo metodë parandalon kariesin, zbardh dhëmbët apo përmirëson shëndetin e përgjithshëm të gojës.
A mund ta zëvendësojë shpëlarësin e gojës?
Jo. Ekspertët theksojnë se shpëlarja me vaj nuk duhet të zëvendësojë larjen e dhëmbëve me pastë me fluor dhe pastrimin e hapësirave ndërmjet tyre.
Ndryshe nga vaji, disa shpëlarës tradicionalë të gojës përmbajnë përbërës antibakterialë që ndihmojnë në kontrollin e baktereve të lidhura me kariesin dhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve. Shpëlarësit me fluor mund të ndihmojnë gjithashtu në forcimin e dhëmbëve.
Megjithatë, edhe shpëlarësi i gojës duhet të përdoret si plotësues, jo si zëvendësues i higjienës së përditshme.
Stomatologu dhe ortodonti Kami Hoss paralajmëron se mbështetja te shpëlarja me vaj mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie.
“Nëse kaloni disa minuta çdo ditë duke shpëlarë gojën me vaj, sa kohë do t’ju mbetet për gjërat e tjera që e dimë se kanë përfitime të vërtetuara shkencërisht?”, pyet ai.
Τι προτείνουν οι ειδικοί;
Për higjienë të mirë orale, rekomandohet larja e dhëmbëve dy herë në ditë me pastë që përmban fluor, pastrimi i hapësirave ndërmjet dhëmbëve çdo ditë me fill dentar ose pajisje për pastrimin ndërmjet tyre, përdorimi i shpëlarësit të goje sipas nevojës, si plotësues të higjienës së përditshme.
Në rast infeksioni të mishrave të dhëmbëve ose abscesi dentar, konsultohuni me dentistin dhe mos u mbështetni te metodat e paprovuara.