KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΒΡΑΔΙΝΕΣ ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Το QIKA θεωρεί το κράτος υπεύθυνο για τη δολοφονία της Arlinda Zekaj

1

Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë ka nxitur reagime të shumta dhe thirrje për përgjegjësi institucionale. Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kërkuar të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Ndërkaq, të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të mbahet protestë me kërkesën që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Organizata QIKA ka realizuar të hënën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me qëllim adresimin e rastit të vrasjes së Arlinda Sylaj-Zekajt dhe kërkimin e përgjegjësisë institucionale. 

Pranë hyrjes në ndërtesën e Qeverisë është vendosur një pankartë me mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën”.

Aktivistet e kësaj organizate kanë hedhur edhe ngjyrë të kuqe në shkallët e Qeverisë.
Aktivistja e QIKA-s, Blenda Asllani, ka thënë se institucionet që kontribuuan në dështimin për ta mbrojtur Zekajn, duhet të hetohen dhe të mbahen përgjegjëse para drejtësisë.

“Kontribuuan në dështimin për të mbrojtur Arlindën, duhet të hetohen e të mbahen përgjegjësitë para drejtësisë. Ngjyra e kuqe që e hodhën sot në shkallët e qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe përgjegjësisë që shteti duhet ta mbajë. Shteti e vrau Arlindën, andaj shteti duhet të japë llogari”, ka thënë ajo.

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka kërkuar raport të detajuar nga kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, ndërsa Inspektorati Policor është udhëzuar të hetojë veprimet e Policisë.

Po ashtu edhe presidentja Justina Shiroka-Pula, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe liderët opozitarë kanë kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke përfshirë edhe trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje dhe përgjegjësinë e institucioneve. 

“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional, duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula.

Edhe zyrtarët e partive politike, në reagimin tyre, kanë kërkuar llogaridhënie, dorëheqje dhe masa ndaj atyre që mund të kenë dështuar ta mbrojnë Zekajn. 

E nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike kanë theksuar se ky rast tragjik rikthen në vëmendje dështimin e vazhdueshëm të institucioneve për ta trajtuar me seriozitet dhunën familjare.

“Mbrojtja e jetës së grave nuk është çështje vullneti, prioriteti të përkohshëm apo deklaratash publike, por detyrim themelor i shtetit. Kur ky detyrim nuk përmbushet, institucionet duhet të japin llogari dhe të bartin pasojat, përfshirë edhe penale. Asnjë dështim institucional nuk duhet të relativizohet, të mbulohet apo të mbetet pa pasoja”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Sipas të dhënave të GLPS-së për seancat gjyqësore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, nga janari deri në shtator 2026 janë evidentuar 957 viktima gra.

Që nga viti 2010 e deri tash, 67 gra janë regjistruar si viktima të vrasjeve brenda familjes.

Të mërkurën pasdite në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të mbahet protestë kundër vrasjes së grave. 

Protesta do të zhvillohet me thirrjen “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Sipas organizatorëve, rasti dëshmon neglizhencën e institucioneve ndaj kërkesave të grave për mbrojtje dhe siguri.

Organizatorët po ashtu kanë paralajmëruar protesta dhe bllokime të institucioneve të mërkurën, të enjten, të premten dhe ditëve në vijim.

Arlinda Sylaj-Zekaj është vrarë të dielën mbrëma në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar është kunati i saj, që është në kërkim policor.