KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
ΒΡΑΔΙΝΕΣ ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Η Συμμαχία απαιτεί ανταποδοτική σύνταξη ακόμη και για όσους δεν έχουν 15 χρόνια υπηρεσίας

Teuta Haxhiu

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar ndryshime në Ligjin për skemat pensionale, me qëllim që pensioni kontributpagues proporcional t’u mundësohet edhe qytetarëve që kanë paguar kontribute para vitit 1999, por nuk i kanë plotësuar 15 vjet stazh pune. Propozimi synon që pensioni të llogaritet në bazë të periudhës për të cilën janë paguar kontributet

Partia Aleanca ka propozuar ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, në mënyrë që pension të përfitojnë edhe qytetarët që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para vitit 1999, por nuk i kanë plotësuar 15 vjet stazh pune.

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në konferencën për media të martën, ka thënë se ka shumë qytetarë që kanë vite të tëra përvojë pune, por nuk përfitojnë pension kontributpagues, sepse nuk e plotësojnë periudhën e kërkuar me ligj.

Haxhiu ka thënë se ky propozim synon t’i adresojë rastet kur qytetarëve u mungojnë vetëm disa muaj apo ditë për ta plotësuar periudhën e kërkuar.

“Bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute para 1 janarit të vitit 1999. Për njerëz që kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pension kontributpagues për shkak se nuk e arrijnë periudhën e kërkuar. Dikujt i mungon një vit. Dikujt disa muaj. Dikujt mund t’i mungojnë vetëm disa ditë. Pyetja që sot e shtrojmë është e thjeshtë. A duhet që mungesa e disa muajve apo ditëve t’ia mohojë qytetarit mundësinë për të përfituar nga vitet për të cilat ka paguar kontribute? Unë konsideroj se duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka shpjeguar edhe mënyrën se si do të llogaritej pensioni proporcional për qytetarët që nuk i kanë 15 vjet kontribute.

“Nëse pensioni i plotë i kontributpaguesit të kategorisë përkatëse do të ishte 300 euro në muaj, këtë shumë e pjesëtojmë me 15 dhe rezultati është 20 euro në muaj për çdo vit kontribute. Nëse një qytetar ka 14 vite kontribute, do të përfitojë 280 euro në muaj. Një qytetar me 14 vjet e 6 muaj kontribute do të përfitojë 290 euro në muaj. Llogaritet çdo muaj, çdo ditë që qytetarët kanë kontribute”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se propozimi nuk parasheh ndryshimin e kushteve për pensionin kontributpagues të moshës dhe pensionin parcial kontributpagues.

Ligji për skemat pensionale, i miratuar në vitin 2014, përcakton kriterin prej 15 vjetësh stazh kontributdhënës deri më 1 janar 1999 për të përfituar pensionin kontributpagues të moshës.

Më 17 janar 2023, Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimit KO190/19, ka konstatuar se trajtimi i disa kategorive të punëtorëve të larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve të 90-ta ishte në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit. Gjykata ka obliguar Kuvendin dhe Qeverinë që ta ndryshojnë ligjin, por nuk e ka shfuqizuar në tërësi kriterin 15-vjeçar.

Më 27 korrik 2023, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale, duke paraparë skemën e pensionit parcial kontributpagues të moshës për punëtorët e larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme gjatë viteve të 90-ta.

Megjithatë, ndryshimet nuk e kanë zgjidhur problemin për të gjithë qytetarët që kanë paguar kontribute pensionale, por nuk e plotësojnë kriterin prej 15 vjetësh stazh kontributdhënës.