KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Πλακάκια Αναγέννησης πουλήθηκαν για 120 ευρώ, κρυμμένα για 140 χρόνια

Pllakat e Renesancës

Të fshehura nga publiku për më shumë se 140 vjet, këto pllaka përfaqësojnë një prej koleksioneve më të famshme të pllakave të qeramikës të krijuara ndonjëherë gjatë Renesancës

Dy pllaka të rralla janë shitur në ankand për 120 mijë euro, në një ngjarje të cilësuar si një moment të cilin një gjeneratë mund ta përjetojë vetëm një herë.  Për vite me radhë, një familje që jetonte në një shtëpi të vogël në Shaftesbury në Angli kishte shijuar pamjen e dy veprave të artit të vendosura në korridorin e shtëpisë së tyre. Ato paraqisnin një skenë të Kirit të Madh, themeluesit të Perandorisë Akamenide. Vetëm kur familja i dërgoi me e-mail një fotografi shtëpisë së ankandeve “Woolley and Wallis, me seli në Wiltshire, kuptoi se pllakat ishin realizuar nga artisti i famshëm i Renesancës, Francesco Xanto Avelli, i cili jetoi prej vitit 1487 deri më 1542.

John Axford, kryetar i “Woolley and Wallis” ka thënë se “rizbulimi i këtyre dy pllakave është një ngjarje e llojit që ndodh ndoshta vetëm një herë në një brez”. 

Ankandi, i cili u zhvillua më 22 tetor, shënoi herën e parë që nga viti 1884 që këto pllaka të shekullit XVI, të dyja të nënshkruara nga artisti, u nxorën sërish në shitje.

Një blerës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i bleu të dyja pllakat për një shumë të përgjithshme prej rreth 120 mijë eurosh, duke përfshirë edhe tarifat.

“Të fshehura nga publiku për më shumë se 140 vjet, këto pllaka përfaqësojnë një mbijetesë emocionuese të një prej koleksioneve më të famshme të pllakave të qeramikës të krijuara ndonjëherë gjatë Renesancës”, ka thënë Axford. 

Prejardhja e tyre e dokumentuar në mënyrë të përkryer, që shkon deri te koleksioni legjendar i Sir Andrew Fountaine, si dhe lidhja e tyre interesante me oborrin e familjes Medici në Firence, ua shtojnë edhe më shumë rëndësinë. Dy pllakat janë pjesë e një serie prej rreth 39 pllakash majolika, të pikturuara në vitin 1536 nga Xanto, i cili u lind në Rovigo, në rajonin Veneto të Italisë. Dy pllakat mbërritën në Angli me Sir Andrew Fountaine, nga Narford Hall, në Norfolk.

Mendohet se ato u blenë gjatë udhëtimit të tij në të ashtuquajturin Grand Tour –  një udhëtim i gjatë nëpër Evropë, që dikur ndërmerrej nga të rinj të pasur të shtresave të larta shoqërore –  rreth vitit 1714. Pllakat qëndruan në koleksionin e familjes Fountaine për disa breza, derisa familja vendosi t’i shiste në një ankand në vitin 1884. Ato u blenë nga gjenerali Augustus Henry Lane Fox Pitt Rivers, i lidhur me Muzeun Pitt Rivers në Oksford. Më pas, pllakat kaluan brez pas brezi në familjen Pitt Rivers, deri te pronarët e tyre të tanishëm në rajonin West Country të Anglisë.