KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Γλωσσικοί μηχανισμοί ως στρατηγικές επισήμανσης και στιγματισμού στην πολιτική

Migena Balla

Në studimin e saj, Migena Balla e ka parë gjuhën politike, pos si mjet për përcjelljen e informacionit apo argumentimin e qëndrimeve, edhe si hapësirë ku ndërtohen identitete dhe përcaktohet mënyra se si publiku e percepton realitetin politik

Në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, në njërin prej katër sesioneve të gjuhësisë për ditën e enjte, studiuesit kanë trajtuar çështje që shtrihen nga mënyra se si shqipja ruhet dhe përshtatet te brezat e dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, te mekanizmat gjuhësorë, përmes të cilëve ndërtohet polemika në ligjërimin politik bashkëkohor, si dhe përdorimi i mbiemrave me dhe pa nyje nga folësit e shqipes si gjuhë e huaj

Gjuha si mjet për ndërtimin e identiteteve, përplasjet politike, ruajtja e shqipes në mjedise dygjuhëshe kanë qenë në qendër të disa prej studimeve të prezantuara të enjten pasdite në kuadër të edicionit të 44-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, në njërin prej katër sesioneve të gjuhësisë për ditën e enjte, studiuesit kanë trajtuar çështje që shtrihen nga mënyra se si shqipja ruhet dhe përshtatet te brezat e dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, te mekanizmat gjuhësorë përmes të cilëve ndërtohet polemika në ligjërimin politik bashkëkohor, si dhe përdorimi i mbiemrave me dhe pa nyje nga folësit e shqipes si gjuhë e huaj.

Seanca e Gjuhësisë është drejtuar nga studiuesja Migena Balla, e cila ka prezantuar studimin “Strategjitë gjuhësore të polemikës në ligjërimin politik shqiptar”, ndërsa Hysnie Haxhillari ka sjellë studimin “Gramatika e trashëguar e shqipes te folësit e brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi (sistemi emëror)”. Po ashtu, Teuta Blakqori-Salihu dhe Albana Gashi kanë trajtuar temën “Mbiemrat me dhe pa nyje në shqipen si gjuhë e huaj”. 

Në program kanë qenë edhe studimet e Eriola Qafqezit, “Stigmatizimi në diskursin mediatik shqiptar: identifikimi i modeleve dhe i mjeteve gjuhësore të etiketimit”, dhe Majlinda Toçit, “Shqipja institucionale midis normës dhe algoritmit: transformimet e komunikimit administrativ në epokën digjitale (2000–2025)”, të cilat nuk janë prezantuar për shkak të mungesës së studiuesve, të paktën në seancën e tretë të sesionit të Gjuhësisë. 

Në studimin e saj, Balla e ka parë gjuhën politike, pos si mjet për përcjelljen e informacionit apo argumentimin e qëndrimeve, edhe si hapësirë ku ndërtohen identitete dhe përcaktohet mënyra se si publiku e percepton realitetin politik. 

“Ligjërimi politik është një nga format e komunikimit publik ku zgjedhja gjuhësore lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e ndikimit, ndërtimin e identiteteve dhe përcaktimin e mënyrës se si perceptohen aktorët dhe ngjarjet politike. Në një hapësirë të karakterizuar nga konkurrenca dhe përplasja, gjuha nuk shërben vetëm për transmetimin e informacionit dhe argumentimin e qëndrimeve, por edhe për kategorizimin, vlerësimin dhe delegjitimimin e kundërshtarit”, ka thënë ajo. 

Sipas saj, në situatat polemizuese të ligjërimit politik shqiptar bie në sy një krijimtari e theksuar gjuhësore, e cila shfaqet përmes krijimeve leksikore, riemërtimeve të kundërshtarit, transformimeve të emrave vetjakë, metaforave, epiteteve dhe lidhjeve leksiko-semantike.

“Në një hapësirë të karakterizuar nga konkurrenca dhe përplasja, gjuha nuk shërben vetëm për transmetimin e informacionit dhe argumentimin e qëndrimeve, por edhe për kategorizimin, vlerësimin dhe delegjitimimin e kundërshtarit”, ka thënë Balla në studimin e saj.

Duke u nisur nga kjo, ajo ka shqyrtuar mekanizmat gjuhësorë, përmes të cilëve ndërtohet polemika dhe mënyrën se si këta mekanizma shndërrohen në strategji të etiketimit, stigmatizimit, polarizimit dhe delegjitimimit të kundërshtarit.

Analiza e korpusit, sipas përfundimeve të studimit, tregon se polemika politike shqiptare karakterizohet nga krijimtari e lartë leksikore, semantike dhe stilistike. 

Dy dukuri janë veçuar si veçanërisht produktive në materialin e shqyrtuar: seritë fjalëformuese polemizuese, të ilustruara përmes formave me ‘narko-‘, dhe manipulimi polemizues i antroponimeve. Sipas saj, krijimtaria gjuhësore në polemikën politike nuk mbetet vetëm në nivelin e ekspresivitetit, por shndërrohet në mënyrë për kategorizimin e aktorëve, kornizimin e realitetit dhe ndërtimin e kufirit simbolik ndërmjet “nesh” dhe “atyre”.

Një tjetër këndvështrim mbi marrëdhënien ndërmjet gjuhës, mjedisit shoqëror dhe identitetit gjuhësor është sjellë nga Hysnie Haxhillari, e cila ka analizuar sistemin emëror të shqipes te folësit trashëgues të brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi. 

Studimi i saj është mbështetur në të dhënat e mbledhura nga 20 folës të moshës 10 deri në 25 vjeç, disa prej të cilëve ndjekin kurse vullnetare të gjuhës shqipe në qytetet Katerini dhe Selanik të Greqisë.
Sipas Haxhillarit, folësit trashëgues shfaqin nivel të mirë të përvetësimit të shqipes, ku rol të rëndësishëm ka pasur ekspozimi ndaj gjuhës që në moshë të hershme, si dhe ndjekja e kurseve të shqipes. 

Megjithatë, të dhënat e studimit tregojnë dallime të rëndësishme në zotërimin e kategorive gramatikore, veçanërisht në përdorimin e rasave.

“Realizimi i kategorisë gramatikore të rasës së sintagmës emërore nuk shfaq vështirësi për rasat emërore dhe kallëzore, ndërsa rasat e tjera: gjinore, dhanore dhe rrjedhore shfaqin mungesë të licensimit të tyre; mungesë të shënuesve rasorë dhe ndikim nga sistemi rasor i gjuhës greke”, ka theksuar Haxhillari.

Në aspektin semantik, studimi evidenton gjithashtu humbje gjuhësore në përdorimin e rasave të brendshme dhanore dhe rrjedhore, të cilat, nën ndikimin e greqishtes, zëvendësohen me rasën emërore dhe kallëzore.

“Në aspektin semantik, folësit trashëgues të gjuhës shqipe shfaqin humbje gjuhësore në realizimin e rasave të brendshme dhanore – rrjedhore, të cilat i zëvendësojnë nën ndikimin e gjuhës greke me rasën emërore dhe kallëzore. Gramatika e trashëguar e gjuhës shqipe te folësit trashëgues të gjuhës shqipe në Greqi përbën një objekt të rëndësishëm studimi, jo vetëm për të kuptuar se si përvetësohet një gjuhë amtare në kushtet e reduktimit të inputit (material gjuhësor) në mjedise dy a shumëgjuhëshe, por edhe për njohjen e aftësisë gjuhësore në përgjithësi”, ka thënë ajo duke iu referuar punimit të saj. 

Për studiuesen, këto të dhëna janë të rëndësishme jo vetëm për të kuptuar mënyrën se si përvetësohet një gjuhë amtare në kushtet e reduktimit të inputit gjuhësor, por edhe për të kuptuar më gjerësisht aftësinë gjuhësore në mjedise dy- ose shumëgjuhëshe.

Ndërkaq, çështja e nyjës dhe përdorimi i saj në shqipe ka qenë në fokus të studimit të Teuta Blakqori-Salihut dhe Albana Gashit. Blakqori-Salihu ka vënë në pah kompleksitetin e kësaj çështjeje brenda gramatikës së shqipes, duke e lidhur studimin me mënyrën se si mbiemrat me prejardhje të huaj integrohen në sistemin e gjuhës.

“Çështja e nyjës mbetet një ndër problemet më komplekse të gramatikës sonë dhe vazhdon të jetë objekt studimi e debati i gjuhësisë shqiptare, duke nxitur nevojën për hulumtime të mëtejshme”, ka thënë Blakqori-Salihu.

Sipas saj, vëzhgimi i mbiemrave me prejardhje të huaj tregon se, gjatë integrimit në sistemin e shqipes, këto njësi përdoren pa nyje të përparme. Analiza e shembujve të trajtuar në punim, sipas studiueses, dëshmon se prurjet nga gjuhë të tjera hyjnë në leksikun e shqipes si mbiemra të panyjshëm.

“Rëndësia e këtij punimi qëndron në vëzhgimin sesi mbiemrat me prejardhje të huaj, kur integrohen në sistemin e shqipes, përdoren pa nyje të përparme. Analiza e një numri të madh shembujsh në punimin tonë, dëshmon se prurjet nga gjuhë tjera hyjnë në leksikun e shqipes si mbiemra të panyjshëm”, ka thënë ajo. 

Ky sesion i Gjuhësisë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka hapur një varg diskutimesh mbi gjendjen dhe zhvillimet e shqipes nga perspektiva të ndryshme: nga ruajtja e strukturave gramatikore në diasporë dhe ndikimi i kontaktit ndërgjuhësor, te mënyra se si gjuha përdoret për të ndërtuar kuptime, identitete dhe pozicione në diskursin politik.