KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

Συνθέτες του μέλλοντος με νέες ιδέες επιστρέφουν στην κρύα αίθουσα

Το φεστιβάλ, το οποίο έχει ως στόχο να

Festivali, që synon të krijojë hapësirë për promovimin e kompozitorëve vendorë, ka përmbyllur edicionin me një kontrast të dukshëm: përpjekjen për të nxitur forma të reja të komunikimit artistik, përballë mungesës së kushteve elementare për ta përjetuar muzikën në një ambient të përshtatshëm dhe mungesës së një audience më të gjerë

Në natën përmbyllëse të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë,  kompozitorët e rinj kanë prezantuar krijimtarinë e tyre. Partiturat e shfaqura në ekran, krahas interpretimit muzikor, kanë ofruar mënyrë tjetër komunikimi me publikun. Por, përderisa në skenë janë sjellë ide të reja krijuese, festivali është përcjellë nga kushtet e papërshtatshme në sallë, temperaturat e ulëta dhe mungesa e publikut. Madje profesionistët kanë tërhequr vërejtje se gjeneratat e reja po përballen me të njëjtat probleme infrastrukturore sikurse ata e madje edhe më keq

Partiturat muzikore, të shfaqura në ekran, janë ndërthurur me tingujt e veprave të kompozitorëve të rinj. Publiku është bërë dëshmitar jo vetëm i asaj që ka dëgjuar, por edhe i strukturës mbi të cilën është ndërtuar krijimi muzikor. Kjo formë prezantimi ka qenë veçoria e natës së dytë dhe përmbyllëse të edicionit të tretë të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë, e cila të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës u është kushtuar krijuesve të rinj.

Katër kompozitorë kanë prezantuar krijimet e tyre përmes formatit audio-vizual, në të cilin publiku ka mundur t’i ndjekë njëkohësisht tingujt dhe partiturat muzikore. Disa prej veprave janë sjellë përmes interpretimit të drejtpërdrejtë nga instrumentistët, ndërsa të tjerat përmes tingujve të gjeneruar në bazë të partiturave. Kjo qasje ka krijuar mundësi komunikimi ndërmjet kompozitorit dhe dëgjuesit. E ka bërë më të prekshëm procesin e ndërtimit të veprës.

Por, përtej përpjekjes për ta sjellë krijimtarinë e re më afër publikut, mbrëmja është zhvilluar në kushte që vështirë se mund të konsiderohen të përshtatshme për një ngjarje të muzikës artistike. Amfiteatri ka qenë sërish i ftohtë, sikurse në koncertin hapës të së hënës, ndërsa edhe prania e publikut ka qenë e paktë. Përveç organizatorëve dhe pjesëmarrësve të programit, vetëm disa persona kanë qenë të pranishëm për t’i dëgjuar veprat e prezantuara.

Në këto rrethana, festivali që synon të krijojë hapësirë për promovimin e kompozitorëve vendorë ka përmbyllur edicionin me një kontrast të dukshëm: përpjekjen për të nxitur forma të reja të komunikimit artistik, përballë mungesës së kushteve elementare për ta përjetuar muzikën në një ambient të përshtatshëm dhe mungesës së një audience më të gjerë.

Koncerti i parë i këtij edicioni, i mbajtur të hënën mbrëma, kishte sjellë një tjetër dimension të krijimtarisë muzikore. Ansambli “Neo Dardanus”, nën drejtimin e kompozitorit Valton Beqiri, kishte ndërthurur motive të muzikës tradicionale shqiptare me gjuhën e muzikës artistike bashkëkohore, në një program ku ishte përfshirë edhe sopranoja Zana Abazi-Ramadani. Nën temën “Reconnect”, programi kishte synuar të krijonte lidhje ndërmjet trashëgimisë muzikore dhe interpretimeve të reja. Megjithatë, edhe atë mbrëmje, përveç mungesës së publikut, salla e ftohtë ishte dëshmuar si problem që e ka shoqëruar festivalin në të dy netët.

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se njëjtë si gjeneratën e saj, edhe atë të tashmen po e përcjellin kushtet e njëjta.

“Fatkeqësisht, nuk do ta kisha pritur që edhe gjeneratat që vijnë pas nesh do të përballeshin me kushte kaq të vështira, për të mos thënë të jashtëzakonshme, në organizimin e ngjarjeve të tilla. Megjithatë, ajo që më gëzon është fakti se pasioni dhe dashuria për këtë profesion vazhdojnë të jenë të pranishme”, është shprehur ajo.

Sa i përket formës së prezantimit, ka thënë se qëllimi nuk është që Inteligjenca Artificiale të zëvendësojë përvojën njerëzore, por është shprehur se krijuesit e rinj janë ende në kërkim të gjetjes së gjuhës së tyre krijuese. 

“Synimi i komunitetit të muzikës artistike nuk është që kompjuteri, ndonjë program apo edhe Inteligjenca Artificiale, e cila tashmë është integruar dhe është bërë pjesë e jetës dhe profesionit tonë, ta zëvendësojë përvojën njerëzore, pra interpretimin e drejtpërdrejtë. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për artistë dhe kompozitorë të rinj, të cilët ende janë në proces të gjetjes së gjuhës së tyre krijuese, mendoj se është shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht interesante që edhe publiku të bëhet pjesë e këtij procesi dhe t’i kuptojë më mirë krijuesit dhe synimet e tyre artistike”, ka thënë Kryeziu-Breznica. 

Në natën përmbyllëse, të enjten, programi ka nisur me veprën për violinë dhe violonçel të Blendiar Bytyqit. E ndërtuar mbi dialogun ndërmjet dy instrumenteve, ajo ka sjellë një bashkëbisedim muzikor që është zhvilluar në tri kohë. Pjesa e parë është karakterizuar nga një ndërveprim më dinamik, ndërsa e dyta ka marrë karakter më vajtues dhe minimalist. Dy instrumentet kanë alternuar dhe plotësuar njëri-tjetrin, duke e zhvilluar materialin muzikor drejt kulmit në kohën e tretë.

Bytyqi ka treguar se pikënisja e veprës ka qenë pikërisht krijimi i dialogut ndërmjet violinës dhe violonçelit. 

“Ideja kryesore, ose pikënisja e veprës, ka qenë dialogu ndërmjet dy instrumenteve. Është një vepër për violinë dhe violonçel, e ndarë në tri kohë. Besoj se e keni vërejtur dialogun ndërmjet instrumenteve dhe mënyrën se si ato ndërveprojnë. Përmes vazhdimësisë së tyre, deri në kufijtë e mundësive interpretuese, jam përpjekur të sjell një ngjyrim të ri, ndonëse këto elemente janë trajtuar edhe nga kompozitorë të tjerë”, ka thënë ai.

Kompozitori ka treguar se në vepër ka përfshirë edhe elemente të muzikës vendore. 

“Jam munduar që në këtë vepër të përfshij edhe elemente të muzikës sonë, duke u kujdesur që të mos jem thjesht përsëritës i modeleve ekzistuese, por të krijoj një ndërthurje me gjuhën time muzikore”, ka thënë ai. Bytyqi e ka vlerësuar edhe mënyrën e prezantimit të partiturës në ekran, duke thënë se kjo qasje i mundëson publikut ta kuptojë më konkretisht synimin e kompozitorit dhe raportin ndërmjet idesë së shkruar dhe interpretimit muzikor.

Në vazhdim është prezantuar “Gjenerali i vdekur” i Landi Surdullit, për kuartet harkor. Vepra ka pasur karakter më solemn dhe një tension që e ka përcjellë zhvillimin e saj muzikor. Ajo është ndërtuar mbi ngjarjen dhe atmosferën e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, duke i dhënë materialit muzikor një sfond letrar. 

“Me këto instrumente që kam pasur në dispozicion, jam përpjekur që ngjarjen e veprës ta përshkruaj përmes katër instrumenteve. Në vepër janë dy personazhe kryesore: një prift dhe një grua. Secilit prej tyre, në përputhje me personalitetin, ia kam kushtuar nga një melodi. Në këtë mënyrë e kam ndërtuar edhe veprën”, ka thënë Surdulli.

Më abstrakte në gjuhën tingullore ka qenë vepra “Where Silence Blooms” e Dea Ahmës, për ansambël instrumentesh. E karakterizuar nga tensioni i brendshëm dhe një zhvillim më abstrakt, ajo është prezantuar në format që ka ndërthurur dëgjimin me pamjen e partiturës.

Ahma ka treguar se veprën, të cilën e ka kompozuar rreth dy vjet më parë, e kishte krijuar pas pjesëmarrjes në një akademi ndërkombëtare në Sofje të Bullgarisë, ku edhe ishte dhënë premiera e saj absolute.

“Sot pata kënaqësinë që, në kuadër të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë, për të dytin vit radhazi, të prezantoja para publikut vendor një pjesë të vogël të krijimtarisë sime. Zgjodha të prezantoja veprën ‘Kur heshtja lulëzon’, e cila është kompozuar rreth dy vjet më parë. Ajo u iniciua me rastin e pjesëmarrjes sime në një akademi ndërkombëtare në Sofje të Bullgarisë, ku pati edhe premierën absolute, nën interpretimin e ansamblit ‘Divertimento’, me dirigjimin e maestros Sandro Gorli”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se vepra ishte pritur mirë në premierën e saj dhe se prezantimi në Prishtinë i ka dhënë mundësinë që krijimin ta sjellë para publikut vendor në një formë tjetër.

“Ishte një premierë jashtëzakonisht e suksesshme dhe pata nderin e kënaqësinë që këtë vepër ta sillja edhe para publikut vendor, kësaj radhe në një format pak më ndryshe, ku partitura qëndronte gjatë gjithë kohës në prapavijë, duke i mundësuar publikut ta shihte edhe atë që po dëgjonte”, ka thënë ajo më tej.

Programi është përmbyllur me tri krijime të Ylli Daklanit: “I become wind” për fizarmonikë solo, “Kur digjen gjethet” për ansambël vokal dhe “Tone poem” për orkestër. Në veprën për fizarmonikë, instrumenti ka marrë një karakter tingullor abstrakt, duke krijuar përshtypjen e zhurmës së erës. Ndërkaq, “Kur Digjen Gjethet” është mbështetur në një metodë tradicionale të nxjerrjes së tingujve përmes një gjetheje. 

Drejtori i Festivalit, kompozitori Ersan Januzi, ka thënë se kjo formë e prezantimit ka afruar publikun me krijimtarinë e kompozitorëve. 

“Kjo ishte nata e dytë dhe përmbyllëse e Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë. Ishte një mbrëmje e kushtuar kompozitorëve të rinj dhe krijimtarisë së tyre, me synimin që të prezantoheshin veprat e tyre para publikut. Konsideroj se kjo është një ndër format më të mira për t’i afruar dashamirët e muzikës dhe muzikantët me krijimtarinë e kompozitorëve të rinj. Sa u përket prurjeve të reja në krijimtarinë e kompozitorëve të rinj, mendoj se jemi në rrugë të mirë, ndonëse ende ka hapësirë për promovimin dhe mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Përmes këtyre veprave, programi ka shpalosur qasje të ndryshme krijuese nga brezi i ri i krijuesve muzikorë që shoqërohen nga kushtet e vjetruara për interpretim.