KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

"Κάθε λαμπρό πράγμα" με μια λίστα με αντικείμενα που σώζουν ζωές

"Κάθε λαμπρό πράγμα" με μια λίστα με αντικείμενα που σώζουν ζωές

Historia nis në kohën kur personazhi kujton harmoninë familjare dhe ditët kur në shtëpi kishte një piano rreth së cilës këndonin së bashku. Gjithçka ndryshon kur nëna e tij përballet me depresionin dhe përfundon në spital. Për ta ndihmuar, ai nis të shkruajë një listë me gjërat që e bëjnë jetën të vlefshme (Foto: Faton Hasani)

Me humor, ndjeshmëri dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me publikun, monodrama “Every Brilliant Thing” e autorëve Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe është prezantuar në Prishtinë, me regji të Fatos Berishës dhe interpretim të Armond Morinës. Në Stacionin Kulturor, shfaqja e ka shndërruar publikun në pjesë të rrëfimit. Që në fillim, Morina ka shpërndarë letra me numra, të cilat shikuesit i lexojnë në momentet përkatëse, duke marrë role të ndryshme në zhvillimin e ngjarjes

Lista e gjërave të vogla që e bëjnë jetën të bukur nis si përpjekje e një fëmije për ta shpëtuar të ëmën nga depresioni. Por me kalimin e viteve shndërrohet në mënyrën e tij për ta përballuar humbjen dhe për të gjetur arsye për të vazhduar. Me humor, ndjeshmëri dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me publikun, monodrama “Every Brilliant Thing” e autorëve Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe është prezantuar në Prishtinë, me regji të Fatos Berishës dhe interpretim të Armond Morinës.

Në Stacionin Kulturor, shfaqja e ka shndërruar publikun në pjesë të rrëfimit. Që në fillim, Morina ka shpërndarë letra me numra, të cilat shikuesit i lexojnë në momentet përkatëse, duke marrë role të ndryshme në zhvillimin e ngjarjes. Në skenë ka ftuar edhe avokatin Arianit Koci, producentin Eki Rrahmani dhe aktoren Drita Kabashi. Dritat e sallës nuk janë fikur, sepse komunikimi me publikun është pjesë e konceptit të shfaqjes.

Përmes kësaj forme interaktive, rrëfimi për depresionin, humbjen dhe marrëdhëniet familjare ndërtohet edhe me reagimet e njerëzve në sallë. Në njërin prej momenteve, Morina, teksa kërkon një laps, thotë se “jetojmë në një kohë kur më parë mund të gjesh tri revole sesa një laps”. Ndërsa pyetjet e vazhdueshme “pse?” të njërit prej pjesëmarrësve bëhen pjesë e humorit që e shoqëron shfaqjen.

Historia nis në kohën kur personazhi kujton harmoninë familjare dhe ditët kur në shtëpi kishte një piano rreth së cilës këndonin së bashku. Gjithçka ndryshon kur nëna e tij përballet me depresionin dhe përfundon në spital. Për ta ndihmuar, ai nis të shkruajë një listë me gjërat që e bëjnë jetën të vlefshme. Ka qenë si përpjekje fëmijërore për ta rikthyer buzëqeshjen e saj.

Lista rritet bashkë me personazhin, ndërsa rrëfimi kalon nga kujtimet e fëmijërisë te përvojat e moshës së rritur.

Një pjesë e veçantë i kushtohet edhe përgjegjësisë së mediave në raportimin e vetëvrasjeve. Përmes ndërveprimit me publikun, përmenden parimet e raportimit të kujdesshëm, si shmangia e titujve senzacionalë, publikimit të letrave të lamtumirës dhe spekulimeve për arsyet e vetëvrasjes. Në kontekstin e Kosovës përmendet edhe “Linja e Jetës” si mundësi për të kërkuar ndihmë.

Shtatë vjet pas vdekjes së nënës, personazhi gjen një letër të shkruar prej saj. Ky zbulim i jep tjetër dimension rrëfimit, duke e kthyer historinë në përballje me kujtimet, dashurinë dhe atë që mbetet e pathënë midis njerëzve të afërt.

Regjisori Fatos Berisha ka treguar se koncepti interaktiv është pjesë e tekstit origjinal dhe se puna me aktorin është përqendruar në përshtatjen e tij me kontekstin vendor.

“Autorët, Duncan Macmillan dhe Jonny Donahoe, e kanë shkruar tekstin duke trajtuar edhe punën e mediave, edhe çështjet e shëndetit mendor. Ne nuk kemi ndërhyrë pothuajse fare në tekst. Autori ka lënë një liri të caktuar, e cila na mundëson të shtojmë elemente që lidhen me kontekstin e vendit ku luhet shfaqja. Për shembull, mund të përmendim ndonjë organizatë që merret me shëndetin mendor. Autorët na e kanë lejuar këtë mundësi, por koncepti interaktiv i shfaqjes është i tyre”, ka thënë Berisha.

Ai e ka cilësuar shfaqjen si monodramë kolektive, pasi publiku jo vetëm që ndjek ngjarjen, por edhe bëhet pjesë e saj.

“Në letër është monodramë, por në praktikë është një shfaqje interaktive, ku përfshihet pothuajse i gjithë publiku. Siç e keni vërejtur, shumica e shikuesve marrin nga një letër kur hyjnë në sallë dhe më pas lexojnë pjesë të caktuara të tekstit. Armondi i fton në skenë. Në këtë kuptim, paradoksalisht, mund ta quajmë një monodramë kolektive. Është një koncept unik dhe jam i lumtur që arritëm ta realizonim”, ka theksuar ai.

Pas prezantimeve në Tiranë, në qendrën kulturore “Tulla”, Berisha ka thënë se synojnë ta luajnë shfaqjen sa më gjatë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Në dhjetor, trupa pritet të prezantohet edhe në Mal të Zi.

Për Armond Morinën, aktualiteti i temës ka qenë ndër arsyet kryesore që e kanë shtyrë ta marrë përsipër këtë rol.

“Tema e shfaqjes është shumë e ndjeshme dhe teksti është vërtet i mrekullueshëm. Besoj se është aq bukur i shkruar, saqë edhe vetëm leximi i tij, pa e interpretuar, të lë përshtypje të veçantë. Shpresoj që edhe publiku ta përjetojë njësoj siç e kam përjetuar unë gjatë leximit. Kur ma dërgoi Fatosi tekstin, e lexova me një frymë. Mendova se sa aktuale është tema dhe sa shumë kemi nevojë të flasim për të. Jemi në një periudhë të çuditshme, jo vetëm këtu, por në mbarë botën, me ndryshime radikale dhe sfida të shumta që lidhen edhe me depresionin.”, ka thënë ai.

Morina ka vlerësuar se shfaqja arrin të kalojë nga momentet e dhimbshme tek ato që rikthejnë optimizmin dhe besimin në jetë. Sipas tij, rëndësia e saj qëndron edhe në nxitjen e bisedave për shëndetin mendor, për të cilin shoqëria ka filluar të flasë më hapur.

“Dikur njerëzit i mbanin të fshehta periudhat depresive, nga frika dhe për shkak të stigmatizimit. Sot po flitet më shumë për këto çështje dhe është bërë shumë më normale të diskutohet për to. Jam shumë i lumtur që kjo shfaqje mund të shërbejë edhe si nxitje për të folur hapur për shëndetin mendor”, ka theksuar aktori.

“Every Brilliant Thing” ka shënuar hapjen e sezonit teatror 2026/2027 në Stacionin Kulturor, të përuruar muajin e kaluar. Drejtoresha e “ArtPolis”, Zana Hoxha, ka thënë se shfaqja do të jetë pjesë e repertorit dhe do të prezantohet çdo muaj.

“Shfaqja trajton çështje të ndryshme të shëndetit mendor, por e bën këtë përmes humorit dhe ndjeshmërisë. Është një shfaqje e mrekullueshme, që prek zemrat dhe mendjet tona”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se Stacioni Kulturor synon të jetë një hapësirë në shërbim të komunitetit, me shfaqje mysafire, ekspozita, diskutime dhe programe të ndryshme kulturore.

Shfaqja pati edhe një reprizë të premten. Përmes një liste që nis si përpjekje për ta shpëtuar një njeri të dashur, “Every Brilliant Thing” e zhvendos vëmendjen te gjërat e vogla që mund të bëhen arsye për të vazhduar jetën.