KOHA.net

Στηρίξτε το TIME. Διαφυλάξτε την αλήθεια.
Πολιτισμός

«Σκοτεινή είναι η νύχτα» αναζητά ελπίδα στις ζοφερές μέρες

Μεχμέτ Μπεχλουλί με το "Σκοτεινή είναι η νύχτα"

Reflektimi i Mehmet Behlulit me “E errët asht nata” tregon se ka dritë brenda territ dhe terr brenda dritës. Në foto, në qendër vepra “Ana” si një monument pëlhurash. Niset nga një bazë emocionale tejet e sinqertë: nga nëna

Magjia e ekspozitës “E errët asht nata” tejkalon përditshmërinë. Niset nga ajo, por kërkon shumë më shumë. Kërkon një kohë tjetër. Një që merr shtysë nga zymtësia e së kaluarës e edhe së tashmes. Mehmet Behluli është brutal. “Sakrifikon” estetikën siç vepron krejt arti i tij, por ekspozita e kuruar nga Dren Maliqi, me titull që tingëllon si një konstatim tautologjik, është e kundërta. Në errësirë ai gjen shpresën. Dhe kjo është thirrja e tij

Mehmet Behluli ka kohë që ka hequr dorë nga ideja se arti është dekorativ, zbukurues. S’e sheh atë as pa politikë. Në këndvështrimin e tij, veprat artistike duhet të kenë qëndrime të qarta. Por gjithnjë me një shteg dalës, që publiku ta ketë leximin e vet. Provokimet e tij janë thelbësore. S’kanë përgjithësime. Edhe nëse kanë, pikënisja është bazë e patejkalueshme. Është artist që pozicionohet.
Një prej pozicionimeve e kishte bërë më 1995 me “Post Guernica”. Qe një “citim” i mjeshtrit botëror, Pablo Picasso. Derisa Picasso, në mënyrën e vet, paraqiste bombardimin e një qyteti, Behluli, me disa elemente të maestros, fliste për atë që asokohe po ngjante në Kosovë. Por i linte një dritare edhe shpresës. Së paku në prapavijë. Kjo vepër është një prej shtatë sosh të ekspozitës personale, “E errët asht nata”, e hapur të hënën mbrëma në galerinë “Qahili”, në periferi të kryeqytetit.

Me të hyrë në Galeri, Behluli ka krijuar një ambient ku, në lexim të parë, krijohet ideja e një përshkrimi të zymtë të realitetit ndër vite. Kundërmon njëfarë proteste e bazuar në realitet dhe bindje. “Post Guernica” ofron një trazirë të ditëve të vështira. Me teknikë të përzier në pëlhurë, ai luan me shpendët e trazuara që nuk zënë vend. Kjo referencë e së kaluarës vjen si leksion. Bashkëjeton me “Setrat”. Janë simbol punëtorësh. Mund t’i “vishen” gjithsecilit, por jo edhe atyre që janë shpesh në kronikat e zeza se humbën jetën gjatë punës. Artisti ata i ka në mendje. E karrigia e zbrazët para tyre, me një palë këpucë punëtorësh, vjen si homazh. Aty zë vend hija e gjithsecilit që ra nga skelat. Por brenda këtij diptiku “bërtet” thirrja për një tjetër kujdes për këtë kategori.

Si kategori të veçantë i ka gratë. Niset nga një bazë emocionale tejet e sinqertë: nga nëna. “Ana” është një monument pëlhurash. E ëma e tij qe rrobaqepëse. Për Behlulin shoqëria duhet të avancojë në raport me gratë. “Ana” bashkon pëlhurat që gra të tjera ia kanë sjellë për qepje. Secila prej atyre, për artistin ka rrëfim e histori. Por shqetësimet e Behlulit s’ndalen veç në nivel lokal. Veprat e tij komunikojnë më gjerë. “I love you” qe reagim për situatën në Ukrainë. Tash aty gjen vend edhe situata në Palestinë. Lulet e thata që janë pjesë edhe e pëlhurës, kanë simbolikë të fuqishme. Thatësia e tyre flet vetë. Nganjëherë tejkalon të qenit lule. Shihen edhe si agresive.

“Gjenerata ime jemi artistë vazhdimisht në tranzicion. Ne e kemi përjetuar epokën para vitit 1999 dhe atë më pas. Janë kohë krejtësisht ndryshe. S’kanë krahasim. Të gjithë kemi aspiruar të lirohemi nga reprezalja e vazhdueshme dhe e paparë deri me atëherë në Evropë. Ndjenjat janë shumë të rënda dhe përjetimet në shumicën e rasteve janë tragjike”, ka thënë Behluli. Sipas tij, pas vitit 1999, si artistë, janë preokupuar ta rishikojnë të kaluarën, por në nivelin artistik. Ka thënë se gjithmonë motiv ose material për punë ishte historia, mbamendja e identiteti.

“Nuk do të thosha se bëhet fjalë për nostalgji, sa do të thosha për një situatë të pamohueshme, si dikush që mendon, që ka qëndrime politike, kulturore. Njeriu nis t’i shikojë situatat ku kemi qenë dhe ku jemi tash. Unë jam si dikush që e hulumton vetveten në të djeshmen dhe nis të projektojë të nesërmen”, ka thënë ai.

Në vitet e rënda të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, profesori universitar i artit, Behluli, pozicionohej përballë situatës. Kur përmendet “Post Guernica”, tregon se e ka ndier nevojën që të jetë sa më i qartë pozicioni i tij.

“E kam ekzagjeruar ndoshta, por në aspektin artistik me ato simbolet e Picassos. Përse tash kjo? Si pjesëtarë të kësaj shoqërie gjithnjë tentojmë më mirë. Arti nuk e rregullon situatën, por unë mendoj që shërben si një kritikë, autokritikë dhe shndërrim i një pozicioni me të cilin një artist pajtohet ose jo. Mendoj se shoqëria jonë ka merituar më mirë”, ka thënë ai.

Lirinë, si krejt të tjerët, e përjetoi fort pas vitit 1999. Reflektimi i tij me “E errët asht nata” tregon se ka dritë brenda territ dhe terr brenda dritës.

“‘Ana’ i kushtohet formalisht nënës sime, por është një reaksion që përfshin shumë gra, nëna, motra e vajza. Jam i bindur se gratë duhet ta kenë një vend shumë më meritor sesa sot, edhe pse janë shumë më mirë sesa që kanë qenë. Nëna ishte rrobaqepëse dhe materialet aty janë për mua si personalitet. Secila grua që ka sjellë një material për ta punuar ka një histori brenda saj”, ka thënë ai.

Është marrë gjatë me artistin gjerman, Joseph Beuys. E konsideron si një prej shtyllave të artit konceptual. Ka shpjeguar se Beuys ka punuar me materiale të caktuara dhe ato për të s’janë veç estetike, por kanë strukturë e mbamendje dhe e rrezatojnë këtë.

“Ai ka pasur disa karrige që i mbushte me materiale. Unë, në të kundërtën, e kam lënë karrigen e zbrazët. Pse? Një prej parimeve bazike në artin konceptual është prezenca në mungesë. Po mos të isha këtu, ju do të imagjinonit dikë tjetër. Secili mund ta vendosë atë për të cilin ka simpati ose antipati”, ka thënë Behluli.

Mehmet Behluli: “Moti unë nuk besoj në artin dekorativ, në artin që zbukuron ambientet ku jetojnë njerëzit. Arti është komunikim, gjuhë e në rend të parë mjet për të shprehur atë që artisti do ta shprehë. Pra, pakënaqësia, kënaqësia, politika, kundërpolitika, arti e kundërarti”

Në këtë rast ka shtuar se u përket artistëve që kanë dëshirë të jenë të angazhuar. Ka dëshirë që vepra të shtresohet, ta ketë njëfarë tregimi.

“Moti unë nuk besoj në artin dekorativ, në artin që zbukuron ambientet ku jetojnë njerëzit. Arti është komunikim, gjuhë e në rend të parë mjet për të shprehur atë që artisti do ta shprehë. Pra, pakënaqësia, kënaqësia, politika, kundërpolitika, arti e kundërarti”, ka thënë ai.

Kuratori i ekspozitës, Dren Maliqi, ka një njohje të gjatë me Behlulin, krijimet e botëkuptimet e tij. I di qëndrimet e tij e shprehjet brutale artistike.

“Mehmeti në shikim të parë është brutal. Punon mjaft me të zezën, me kontraste të mëdha, me tema të mëdha, lule të gjakosura, tesha të refugjatëve. Janë tema që na rrethojnë. Edhe pse përshkruese, kishin njëfarë shprese prapa. Atë shpresë vendosa ta kap. Nisa t’i nxjerr punimet me prapavijë të bardhë. Janë lulet e thata, përkushtimi për Ukrainën e të tjera”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, e rëndësishme është që ekspozita ta mbërrijë një ide që, edhe pse janë përjetuar gjëra të rënda, në esencë ekziston njëfarë shprese e cila mund të shihet.

“Unë mendoj se Mehmeti e ndjek atë dhe dëshiron me e pa”, ka thënë ai, duke u nisur edhe nga ajo se në momentin kur thekson gjërat e rënda, me njerëzoren përpara, në art është e mundur që të transformohet ajo dhe të kërkohet diçka tjetër. Të kërkohet një shpresë a një iluzion.

“Është njëfarë dëshire njerëzore për qetësi e rehati që shpesh nuk e mbërrijmë”, ka thënë ai.

Me të hyrë në Galeri, Behluli ka krijuar një ambient ku, në lexim të parë, krijohet ideja e një përshkrimi të zymtë të realitetit ndër vite. Kundërmon njëfarë proteste e bazuar në realitet dhe bindje. “Post Guernica” ofron një trazirë të ditëve të vështira. Me teknikë të përzier në pëlhurë, ai luan me shpendët e trazuara që nuk zënë vend. Kjo referencë e së kaluarës vjen si leksion. Bashkëjeton me “Setrat”.

Për Maliqin, në momentin që sforcohet e kaluara, është një kërkesë për mospërsëritje. Këtë e ka lexuar edhe e bija, Renea Behluli. Në një tekst të gjatë ajo shoshit ekspozitën edhe nga prizmi i personit që merr sqarime të vazhdueshme nga i ati për krijimet e tij.

“Nën krejt këtë errësirë, mbizotëron dashuria – ajo që na bën t’i ruajmë stofat e një nane, me mbledh, ruajt e pikturu lule, e me kthy një referencë Guernike tri dekada më vonë. Bash ajo dashuri që ndoshta s’e lë errësirën ta mbysë krejt shpresën”, shkruan Renea Behluli.

Veprat e Behlulit tregojnë se ai ka pozicion të qartë. E thotë edhe vetë disa herë.

“Nuk mund ta shoh artin pa ‘politikë’, pa qëndrime të artistit. Pa qëndrime të qarta. E publiku mund të interpretojë ashtu siç e ndien”, ka thënë ai.

Do të dëshironte që të pranishmit në ekspozitën e tij ta marrin me vete poezinë. Atë poetikën e veprave, pasi beson se, nëse arti ka ndonjë mision në këtë botë, e ka komunikimin në nivele magjike, në nivele më të larta sesa bisedat e përditshmërisë.

E magjia e “E errët asht nata” tejkalon përditshmërinë. Niset nga ajo, por kërkon shumë më shumë. Kërkon një kohë tjetër. Një që merr shtysë nga zymtësia e së kaluarës e edhe së tashmes. Kërkon pak më shumë dritë në errësirën e natës.